Kryesore

Gjuha, që kemi nevojë ta mbrojmë!

               Publikuar në : 10:07 - 11/10/21 Suela Mino – UETPress

Suela Mino – UETPress

“Gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve”, thotë Heidegger. Besoj se të gjithë ne do ishim të  lumtur nëse shoqëria shqiptare do ta ndiqte këtë aksiomë. Nga mënyra si investohet për Gjuhën e saj, lexohet standardi i një shoqërie. Dhe ne mbesim një shoqëri në përpjekje për të gjetur veten tonë më të mirë. Veten tonë më të mirë që dëshmon qytetari, identitet, trashëgimi të pasur, fuqi për të ndërtuar, për të besuar, për të guxuar, për të pritur të ardhmen.

A nuk e mbart Gjuha këtë mision? A mund t’ia dalim, nëse nuk e ka Gjuha jonë këtë fuqi?

Unë jam një punëtore modeste në truallin e begatë të shqipes; përpiqem fort të jem e denjë për ta mbajtur këtë tagër. Ju e dini më mirë se kushdo që nuk është e lehtë të qëndisësh fjalë, të ruash harmoninë e melodisë së një teksti, të pastrosh germat nga mbingarkesa e përditshmërisë së rrëmujshme, të mbrosh territorin e një gjuhe nga pushtimet e pazëshme të modës së fundit, të botës së madhe pa kufinj, të ngutit për të folur shumë, shkurt dhe shpejt. Kjo është barra e një redaktoreje. Dhe, po kjo është arsyeja pse jam këtu sot. Sepse, përballë ekranit të një kompjuteri të përmbytur nga teksti, një redaktori nuk i ndodh shpesh ta peshojë deri në asht sa i vlen lëkura. Unë pata fatin e mirë ta përjetoj këtë ndalesë – për të peshuar.

Ishte dita kur u lajmërova se do të përgatisja për botim një libër të profesor Bahri Becit. UETPRESS kishte botuar më herët disa libra të profesorit, përfshi monografinë “Struktura dialektore e Shqipes” më 2016, ndërsa tani do të kishim edhe librin e tij të tretë publicistik – rrëfimi i jetës – Përjetime 1936 -2021.  Ne duhej të ishim gati me librin, për të festuar jubileun e 85 vjetorit të një personaliteti si profesor Beci.

E ruaj edhe sot emocionin me të cilin e kam telefonuar për të diskutuar të ashtuquajturat “çështje redaktimi”. I gjithë ankthi im u fashit, kur nga matanë telefonit më erdhi një zë i butë dhe i përkorë që më siguroi se ma besonte mua librin. “Tani nuk është më teksti im. Puno me të, si të dish ti më mirë”, më tha profesori dhe ky ishte fillimi i bukur i një pune të imtësishme për të peshuar jo çdo fjalë, por edhe presje, germë të madhe, kapuç thonjëze, hapësirë paragrafi. Një shkollë më vete! Ishte fati im të shijoja bashkëpunimin me një autor – gjuhëtar dhe të njihja kësisoj një Njeri të fisëm, mendjehapur, të çlirët në komunikim, sportiv në qasje, sfidues në kulturën e punës.

Në autobiografinë “Përjetime 1936 -2021”, profesor Beci ndan me lexuesin kujtime e përsiatje që nga fëmijëria e tij e hershme rrugicave të Shkodrës, e deri tek argumentimet për debatin kulturor e sociologjik në vend; ravijëzon tri kohë historike të Shqipërisë: gjatë viteve 1936-1944, kur në Shqipëri ishte vendosur sistemi kapitalist dhe ekonomia e tregut; gjatë viteve 1944-1990, kur u vendos sistemi komunist dhe ekonomia e centralizuar dhe vitet 1990-2021, me gjithë turbullinë e tyre.

“Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre tri epokave janë përpëlitur si një anije pa vela, në mes dallgëve të detit”, shkruan profesori. Përmes publicistikës, ai sjell ngjarjet vendimtare të kulturës: nga Kongresi i Manastirit, deri tek ai i Drejtshkrimit; rrugëtimin e vështirë të një shkencëtari të gjuhës në korridoret e ngushta të doktrinës politike; skicën e formimit të atij që profesor Beci e quan “Homo ideologicus”, sipas tij, dëmi më i madh që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë shoqërisë shqiptare diktatura komuniste.

Në këtë rrëfim në vetë të parë, profesori rrek një hark të gjatë kohor të jetës së tij, për të tejkaluar veten; me një protagonizëm të lartë kulturor, nga ata të spitakurit që kanë çfarë të tregojnë, ai sendërton frymën e kohës, mendësinë, duke sjellë kështu një dëshmi autentike sa edhe një optikë të të parit të fenomeneve jashtë kornizës së ngushtë, por në krejt përmasën edhe peshën që ato marrin në kohë. 

Presidenti i UET, prof. Selami Xhepa, në përurimin e librit – festa e profesorit do ta quaja – e quajti akademikun Beci “ndër kalorësit e fundit të aristokracisë së mendimit shqiptar”, ndërsa unë kisha fatin ta dija mirëfilli se ky përcaktim nuk ishte retorikë. Sepse kisha njohur profesorin e madh, përmes njeriut të mrekulleshëm që ai di të jetë – sa i ditur dhe i kulturuar, aq i përkorë dhe fisnik.

Në këtë foltore, mua më mbetet pak për të thënë mbi profilin e një akademiku si profesor Beci, ndaj zgjodha të ndaj me ju këto përjetime, që më kanë shenjuar.

Faleminderit Profesor! Ishte privilegj për mua puna me Ju!

Dhe më lejoni ta mbyll me një lutje, profesionale:

Sami Frashëri thotë se “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”. Ne, bashkëkohësit e modernitetit, jemi dëshmitarë dhe prova e gjallë e kësaj shpalljeje alarmi.

Të nderuar gjuhëtarë, akademikë, Shqipja ka nevojë për kontributin tuaj, për të mbetur gjuha që flasin shqiptarët dhe që i dëshmon ata kulturalisht. Ne, redaktorët, kemi nevojë për Fjalorë që kodifikojnë gjuhën e gjallë, atë që pulson me ritmin e folësve të saj.

Deri sa të mbërrijmë optikën e Heidegger-it, jemi krejt në dorën tuaj! /Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back