Aktualitet

Gjovalin Lazri vlerësohet me Titullin "Mjeshtri i Madh"

Shkruar nga Liberale
Gjovalin Lazri vlerësohet me Titullin "Mjeshtri i Madh"

Drejtori Artistik i Liceut të Artë

Zhani Ciko

I

Kohë reflektimesh,motivimesh dhe dëshirash, ndeshja me "të panjohurën".Jetohet me përditësimin por dhe ridimensionimin.

S'ka të bëjë me amanete e brenga,por me dëshirën e madhe për jetësimin,të ardhmen që shumë nuk po  presin të vonohet as me dekika.

Atëherë të qetësohemi se asgjë nuk mbetet jashtë vëmendjes shoqërore.Njeëzit aktivë të shoqërisë civile, ata që janë të bindur se pas sigurimit të jetës kaq sa është ajo,sipas latinit " ke kohë të jetosh duke menduar,duke filosofuar "-në origjinalin proverbial.

Kur kjo logjikë e vlerë nga mëse dy mijë vjeçarë të kaluar,nuk mbetet si logjikë  e ngushtë e mbijetesës, por nxit në aksione të vlerësuara kush ka mirëkuptim dhe kompetencë, atëhere ngjarje të tilla kthehen në ditë simbolike e festive, jo vetëm pēr individin e " shënjestruar ", por dhe anturazhin që e ka rrethuar.

Diku në një nga shkrimet e mija për rastin e kontributorit të madh Gjovalin Lazri dhe dëshirës për ta parë emrin e tij të shkëlqente ku dhe kur duhej, i dekurajuar nga mosrealizimi, shkruaja:"Dikur shoqëria vuante nga ngurtësia,më pas nga pavëmendësia ". Mirëpo, ";Arti është vërtetë i gjatë, por Jeta mbetet e shkurtër" , për ta mbyllur përsihatjen me atë që thuajse të gjithë e dinë, por që më shumë s'kanë kohë ta kujtojnë!.

II

Gjovalin Lazri,që ka merituar gjithmonë të nominohet Mjeshtri a Profesori,i përket të parëve të regjistruar në Shkollimin tonë artistik

I ardhur në Tiranë nga qarqet kulturore e artistike shkodrane,herë të inicuara nga mjedisi klerik dhe më pas nga ai i qytetar i grumbulluar nga "kapelmaestri " Prenk Jakova, u regjistruar në klasën e instrumentit atëherë të rrallë të violonçelit ku, pas kthimit nga studimet në Pragë,  Prof.Ymer Skenderi e udhëhoqi me kompetencë profesionale mbi pritshmëritë e kohës.Ishte hapi i parë i violonçelistit instrumentist pasionant dhe që përgatitej ti dilte në krah profesorit.Solist në gjithë koncertet e shkollës, por edhe i aktivizuar në Orkestrën e vetme profesioniste, Filarmoninë e Shtetit, dhe më pas shndërrimin e saj në Teatrin e Operas,Gjovalini u rreshtua në pult krahas Mateo Guralumit dhe Lekë Tasit. Impenjim vërtet i madh për një të ri që veç repertorit shkollor duhet të përballonte dhe partet e komplikuara të operave ruse në modë si Rusalka,Ivan Susanin, baleteve Shatërvani i Bahçisarait, Zhurale etj.

" Qingji i butë " i klasës së violonçelit, i armatosur me literaturën bazë violonçelistike përfitoi bursën e parë për të studjuar në Akademinë e Muzikës në Pragë. Pra, ai ishte i vetmi që vijoi ciklin e rregullt nga shkolla e mesme e Tiranës në shkollën e lartë të Pragës  të cilën e kreu gati plotësisht deri në prishjen e marrëdhënieve politike me këto vende.

Në një kronikë të kohës mbi çeljen e Shkollës së lartë ,Konservatorit Shtetëror të muzikës, pas ceremonisë inauguruese ka mjaftuar një regjistrim në studion e violonçelit të prof.Ymer Skënderit me studentin e tij të përzgjedhur Gjovalin Lazri, për të ilustruar dokumentarin.

Dua te theksoj një fakt.Ecuria instrumentore e violonçelistit Gjovalin Lazri ishte eksperimenti më i rëndësishëm i profesorit me avancimin e programit.Këtë, pas Gjovalinit,profesori e shndërroi në formulën e shkollimit në vendin tonë të armatës që do të përgatitej më pas,shenjë kjo e suksesit të zbatuesit të eksperimentit.

Më kujtohet që Gjovalini asi kohe ishte një instrumentist shumë i përkushtuar dhe solid.Dallohej per tingullin e kultivuar,

interpretimin e natyrshëm dhe impostimin e rregullt.E ndihmonte dhe " thesari i tij i vetëm që posedonte ", instrumenti më i mirë i violonçelit që ndodhej në vendin tonë, punim autori të njohur të liuterisë me emër, që më pas ai nuk ja kurseu asnjë nxënësi të tij dhe që si shenjë vlerësimi u a jepte në muajt e përgatitjes së diplomës apo ndonjë koncerti të rëndësishëm. Nxënësit e tij, zotëronin një standart formues bazë dhe dalloheshin vetëm nga karakteristikat individuale si, ndjeshmëria, aftësimi i shprehive dhe temperamenti. Pohoj me bindje të plotë se arritjet e Profesor Gjovalinit ishin të nivelit më të lartë të shkollës sonë instrumentore.Duke i njohur thuajse të gjithë, kur mjaft prej tyre vijuan shkollimin në shkollat më të mira që mundësoi para dhe pas '90-ta, pamë në kthim artistë tashmë të rafinuar,me njohuri profesionale të përditësuara sipas kohës, por më besoni, lojën e ndezur që parapëlqente Gjovalini, brilancën e realizimit dhe sigurinë disi dhe naive po të doni, nuk e gjetëm kollaj. Ai solli një klasë masive, madje kur e pati ai në dorë, mblodhi dhe të gjithë më të mirët e violonçelit në Lice për mësimdhënie, pa asnjë xhelozi për konkurencën pozitive që u krijua.Këtu ai mbetet unik, pasi e kam të vështirë të gjej korespondentin në krahun tjetër.

III

Pas disa vitesh përvoje të plotë e tejet rezultative, Gjovalin Lazri mori detyrën e drejtorit artistik të Shkollës së mesme "Jordan Misja", me gjithë kompleksitetin e këtij posti të cilin ai meritueshëm e mbajti deri nē fund të karrierës së tij pedagogjike. Nga vitet '70, '80 e '90, shkolla jonë mori pak nga pak karakterin e një shkolle të standarteve të larta artistike. Koha nuk ishte e lehtë. Normat e përgjithshme ishin imponuese. Prevalonin vlerësime që në asnjë mënyrë nuk mund te ndikoheshin nga preferenca personale dhe anashkalime instancash.Gjovalin Lazri në këto dhjetëvjeçarë u shqua për ekuilibra të respektuar, por dhe shprehjen bindëse të opinioneve profesionale që ishin edhe sumum i mendimit më të avancuar pedagogjik të kohës.

Gjovalin Lazri i shfaqi këto në të gjitha degët artistike të shkollës, muzikës, arteve figurative, baletit dhe koreografisë, shkollës së mbrëmjes si dhe në marrëdhëniet me drejtuesit e kulturēs së përgjithshme, komponentëve të tjerë si puna prodhuese, përgatitja ushtarake dhe konviktin e madh. Përvojë që e kam admiruar tek Gjovalini dhe e kam ruajtur për sa kohë kam qënë edhe unë në poste drejtuese të kësaj vatre edukuese artistike.

Në Lice gjatë viteve '70 ishte angazhuar një trupë pedagogjike artistike e konsiderueshme. Ende ishin aty disa nga pedagogët më të hershëm, pionierë të arsimit artistik shqiptar, artistë krijues të brumosur në shkollat " klasike europiane perëndimore", artistët më në zë të skenës aktuale si pedagogë të jashtëm, krijues të figurativit, të veçantë, por që "mëkate" të kohës ja kufizonin emërimet në tempullin e arsimit të lartë, ku ato nuk kapërxeheshin me vetëm talentin, sado i spikatur të ishte. Midis tyre kishte dhe njerëz të fortë në bindjet krijuese dhe që debatonin ose pranonin përmes nënvlerësimit me heshtje  imponuesin përmes vijës.

Drejtori artistik në debatet e këshillit pedagogjik, degës përkatëse a komisioneve lëndore merrte vendime të përgjegjëshme dhe kompetente. Ai gjente zgjidhje të situatave pa demostruar " erudicion " të sforcuar.Kalonte problemet e papërballueshme, ruante personalitetet dhe nuk komplikonte punë. Shpesh, në konfidencë ruanim ndonjë batutë që tejkalonte guximin dhe shuante zjarrin e rrezikshëm !

Kur unë u bëra pjesë e trupës pedagogjike të shkollës, pas viteve të largimit nga profesioni, gjeta një klimë pune që vlonte dhe një nivel nxënësish të paparë.Talente dhe nxënës artistë të parakohshëm kishte patur gjithmonë pak, sa gishtat e dorës. Aty tani ishin afirmuar " supertalentet " e para në vend. Parametrat e repertoreve ishin njësuar me ato të shkollave më të mira europiane për të cilat ende rridhte ndonjë informacion  përtej " perdes ".Ishte konsakruar ideja e një shkolle që synonte individualitete artistike që në moshat e herëshme. Procedimet u njësuan dhe u përhapën shpejt tek të gjithë ata që  ndanin një mendje.Ishte mbështetja e anëtarit specialist të drejtorisë që krijonte lirinë e procesit pedagogjik. Atij s'ja dilte kush, se ai i ndiqte personalisht të gjitha saxhiot, dorëzimet e punëve simestrore, provat e orkestrës, korit të shkollës etj, gjë që përbën një impenjim profesional total. Mbante shënim për ç'do nxënës dhe ishte i gatshëm t'i përgjigjej ç'do instance a ndonjë prindi të revoltuar me të drejtë ose jo. Dhe vetëm kjo mjafton për ta respektuar një drejtues si ai. Ai kishte kuptuar një parim të madh të artit, se pa sakrifikim të një pjese të karrierës artistike individuale, të vetën tërësisht, por edhe të disa të tjerëve shokë në mendim, nuk arriheshin nivelet e supertalenteve.

Shtroj pyetjen: kush na e kërkonte?!

Nuk pyetëm kurrë kënd, por nuk guxuam as ta diskutojmë mes nesh. U përballuan në heshtje sulme e romuze, ku Gjovalinin e ndihmoi justifikimi se : " Ai i mbështeste eksperimentimet për rritjen e nivelit profesional të shkollës dhe për gjithë talentet. A s'ishte kjo një kërkesë e kohës?! "

Në një takim me Ministrin përkatës, kur ai desh ta kufizonte listën e pranimit, mbas disa emrave të pa diskutueshëm, i thamë : Ne propozojmë ta pranoni shoku Ministër edhe këtë djalin jetim nga Kukësi, se ai, në historinë e muzikës botërore është i pari kuksian që ka luajtur Koncertin e Mendelsonit. Po kështu dhe kjo vajza nga Puka. Ai buzëqeshi, sigurisht kuptoi psenë tonë, dhe e shtyu vizën e pranimeve disa emra më poshtë...

Kishte ndryshuar dhe Ministri, po ndryshonin edhe kohërat.. ..

IV

Ndërkohë po ndërmerreshin hapa zhbllokuese të sistemit të ngurosur arsimor. U krijuan grupe të punës studimore për arsimin profesional. Unë u caktova të drejtoj grupin studimor të shkollave artistike. Synohej përhapja e procedimeve artistike në gjithë shkollat artistike të vendit. Ishte kjo dhe një triumf i punës së madhe pedagogjike dhe drejtuese të Gjovalin Lazrit.Pa reduktuar asgjë nga ngarkesa e tij, u impenjua maksimalisht për përhapjen e përvojes sonë të veçantë.Punime studimore, referate dhe tema mbushën botimet tona nën siglën e Institutit të studimeve pedagogjike, ku Profesori i nderuar ishte ndër emrat ballorë. U sistemua i gjithë dokumentacioni i shkollave artstike me dy emrat tanë si hartues. Seminare për të gjitha lëndët dhe degët gëluan gjithandej.Disa projekte speciale si : fillimi i instrumentave me frymë në ciklin e dytë të tetëvjeçares, fillimi i specialiteteve të kitarrës klasike dhe fisarmonikës në shkollat artistike, mbi eksperimentimin e klasës së dirizhimit dhe kompozimit muzikor në arsimin e mesëm si dhe projekti mbi lëndën " Njohuri për artin " në shkollat e mesme të përgjithshme e shumë të tjera, ku mendimi pedagogjik duhej të ishte i kualifikuar si Profesor i arsimit artistik.

Vetëm një fjali e fundit për këtë temë mjafton!

Ështe fjala për kolanën e botimit të repertoreve pedagogjike nga ShBLSh drejtuar nga i palodhuri Shaban Mara, ku Prof. Gjovalin Lazri jo vetëm për specialitetin e tij, është kontributor kryesor. Janë ende sot e vetmja pikë referimi për gjithë sistemin dhe sidomos për veprat kombëtare.

V

Afër epilogut.

Gjovalin Lazri i priti ndryshimet me shumë shpresa. Kur Orkestra e harqeve të liceut me programin Rapsodia albanese filloi të merrte e para rrugët koncertore në Austri, Greqi dhe Itali, i takonte " Entuziastit të pandreqshëm për talentet shpiptare" të ishte mes nesh, ndonëse koha e drejtimit të tij në shkollë ishte pranë skadimit.

Pas pritjes së jashtëzakonshme të publikut, luleve, ku një prej nxënësve kujdesej t'ja çonte atij në sytë e publikut, të nesërmen po prisnim disi me ankth të lexonim komente të shtypit. Austriakja Kronen Zeitung mbante titullin:

" Unglaublisches Praesition"(Precizion i pabesueshëm).

U pamë në sy dhe u përqafuam.

Në fillim të viteve '90, në Rtsh përjetuam gjatë largimet e instrumentistëve dhe madje dirigjentëve jashtë, në hemorragjinë e njohur. E ftova t'i rikthehej instrumentit të tij të dashur violonçelit dhe të rreshtohej në filën përkatëse. E priti me entusiazëm " reprizën " e tij. Ishte instrumentisti më i rregullt i orkestrës. Hapte i pari sallën dhe ulej e  studionte partet. Erdhi dhe turneja e parë e

Orkestres sinfonike të Rtsh në Romë, në sallën " Santa Cecilia ", nën patronazhin e Nënë Terezës dhe prezantimin e Bruno Vespës.

Violonçelisti Gjovalin Lazri hiqte emocionet e mëdha në skenën akademike. Ja që kontributi i tij për këtë herë dhe disa vite më pas kishte qenë i nevojshëm.Të nesërmen e rëndësishmja Corriere della sera shkruante: " Albanesi in Concerto, una meraviglia".

Edhe këtu njerëz të vlerave të spikatura si Ai që tani përfaqëson meritëplotë ":Mjeshtrin e Madh Gjovalin Lazri ", na bëjnë nder ne për t'ja renditur vlerat e përjetëshme. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH