Aktualitet

Gjonaj: Ligji ri për OJF-të largon rrezikun e pastrimit të parave

Shkruar nga Liberale
Gjonaj: Ligji ri për OJF-të largon rrezikun e pastrimit të parave

Për herë të parë pas 20 vjetësh në Shqipëri paraqitet një ligj i plotë për miratim mbi regjistrimin e organizatave jofitimprurëse.

Projektligji sipas Ministrisë së Drejtësisë, do të lehtësojë pa fund veprimtarinë e organizatave të shoqërisë civile.

Prej korrikut 2019 edhe me ndihmën e BE-së, Këshilli i Ministrave, pas konsultimeve dhe me kontributin e organizatave të shoqërisë civile miratoi udhërrëfyesin për një mjedis mundësues për të.

Ky udhërrëfyes një nga prioritetet kryesore kishte krijimin e kuadrit ligjor më mundësues për regjistrimin e shoqërisë civile. Deri tani rezulton se gjatë gjithë procesit të konsultimit, mbi 70 përqind e komenteve të shoqërisë civile, janë reflektuar në përmbajtjen e projektligjit dhe kjo e ka rritur ndjeshëm cilësinë e tij.

Nëpërmjet këtij ligji, autoritetet thonë se përmirësojmë ndjeshëm kohëzgjatjen dhe procedurat e regjistrimit të një organizate ose për të kryer ndryshime në regjistrin e OJF-ve.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, u tha deputetëve në seancën plenare se edhe “për shkak edhe të detyrimeve që burojnë nga “MONEYVAL”, ne rrisim transparencën dhe heqim një rrezik që ky sektor ka për pastrimin e parave”

Sipas zonjës Gjonaj “në përputhje të plotë me standartet më të mira ndërkombëtare, projektligji vendos detyrime për regjistrim dhe për raportim të të dhënave që janë të nevojshme për transparencën e këtij sektori”.

Po ashtu u nënvizua se projektligji ndryshon rrënjësisht sistemin e regjistrimit.

“Ne krijojmë një sistem regjistrimi të bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrim. Pra, edhe dikush që është nga një rreth i largët, mund të paraqesë aplikimin elektronik për regjistrimin e organizatës në gjykatën e Tiranës dhe e përfundon procedurën pa ardhur asnjë ditë në Tiranë. Kjo shkurton kohën e regjistrimit dhe koston që lidhet me këtë proces”-tha ministrja.

Element thelbësor gjithashtu në këtë luigj, është lehtësimi i procedurave, pasi në vazhdimësi deri më sot ishin të zgjatura vështirësitë me krijimi dhe regjistrimi i një organizate, për të cilën duhet të shkohej disa herë në gjykatë për ta përfunduar si procedurë.

Sipas ministres, kjo vështirësohej më shumë për anëtarët e shoqërisë civile nga jashtë kryeqytetit, që u duhej për të regjistruar organizatën, të vinin disa herë në Gjykatën e Tiranës.

Lidhur me këtë, projektligji jep zgjidhje për të ulur disi ngarkesën në Gjykatën e Tiranës. Sipas ligjit aktual, çdo veprim me regjistrin e OJF-ve, duhet të bëhej nga një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës.

Në një vit, Gjykata e Tiranës kishte rreth 2000 çështje që lidheshin me kryerjen e veprimeve në regjistrin e OJF-ve. Tashmë, këto 2000 çështje nuk do të trajtohen më nga gjyqtarët, por nga kancelari i Gjykatës së Tiranës, i cili, me mbështetjen e zyrës së regjistrit të OJF-ve, do të kryejë këto veprime regjistrimi.

Në tërësi ligji lehtëson pa masë punën dhe barrën administrative të organizatave dhe lejon zhvillimin e sektorit duke mundësuar krijimin e lehtë të organizatave nga çdo individ që ka zellin dhe pasionin për t’u marrë me çështje në interes dhe dobi të publikut.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH