Kryesore

Gjolaj, shkodrani që la universitetin për t’u marrë me bletari

               Publikuar në : 17:34 - 01/12/21 ro ot

Me zero njohuri dhe zero bletë, sot ai është një bletar i suksesshëm që synon tregun e huaj. Nëse nuk do të kishte pasionin e madh për t’u bërë sipërmarrës, Rinaldo Gjolaj do të ishte bërë inxhinier kompjuterash.

“Pashë dy thirrje për projekte. Aplikova në të parën. Tek po shihja të dytën, vërejta se një nga kriteret themelore ishte që të mos isha student me kohë të plotë. Nuk doja ta humbisja si shans dhe ajo që bëra së pari ishte çrregjistrimi nga shkolla. Mora edhe letrën e çregjistrimit që të isha i besueshëm. Në intervistë ishin pedagogë të mi. Disa më kritikuan që kisha lënë universitetin për IT, të tjerë më përgëzuan për iniciativën e biznesit. Fitova të dy projektet. Nisa me 0 bletë. Mësova nga librat dhe interneti”,– tregon i riu Gjjolaj në parkun e tij të bletëve në Torovicë të Shkodrës.

Por gëzimi nuk zgjati.  Pas 3 muajsh bletët u sëmurën. Sipas literaturës europiane duhej të digjte gjysmën e parkut.

Kam qarë shumë atë ditë dhe shumë të tjera më pas. Dyshova te vetja: sa i duhuri isha të merresha me këtë punë. Por i solla ndërmend vetes që kisha qenë edhe atlet dhe garoja e fitoja, kisha qenë arbitër dhe menaxhoja. Kështu që duhej të ringrihesha. Pashë thirrjet e “ EU for innovation” dhe aplikova. E pashë si mundësi për tu ringritur”- rrëfen Rinaldo Gjola duke vënë theksin se kur e ka marrë këtë nismëishte vetëm 21 vjeç. Vendim i marrë në kushte pasigurie. “Por kjo, thotë ai, është aftësia e sipërmarrësit; guxon dhe rrezikon”.

Ai tregon se nuk ka ndërmend t’i rikthehet shkollës, por të perfeksionojë profesionin që ka tashmë në fushën e bletarisë sepse e ka pasion të madh.

“Pas dështimit doja të përfitoja nga inovacioni që të mos përsërisja dështimin dhe të përmirësohesha. Kërkova në internet dhe zbulova një koshere inovative që rrit prodhimin dhe shmang sëmundjet duke prodhuar në mënyrë organike, duke mbrojtur mjedisin dhe aplikova te programi i BE për inovacionin. Kisha njerëz që jetonin në Zona malore dhe bletët mund të shtegtonin në Alpe. Me zero njohuri, zero bletë. Kam bërë gjënë e duhur sepse kisha pasionin për të krijuar një sipërmrrje”- thotë Gjolaj.

Investimi fillestar për parkun e bletëve i ka kushtaur atij 40 mln lekë në tre vite, por investimi vijon ende. Aktualisht produktet si mjalti, qumshti i bletës, propolis shiten në Tiranë. Marka e tij Alpin Bees ështëfutur në proces për çertifikim organik dhe Gjolaj synon së shpejti tregun ndërkombëtar dhe çeljen e një agroturizmi.

Një koshere novative atij i kushton 250 euro por që rrit me 30% prodhimin dhe eleminon sëmundjet e bletëve sepse ka aftësinë të ruajë brenda temepraturë konstante.

Rinaldo Gjolaj është mbështetur nga Challenge Fund/EU4Innovation që prej nëntorit të 2019. Nëpërmjet mbështetjes së Challenge Fund Rinaldo ka investuar në blerjen e koshereve të reja innovative Teknoset që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së bletëve dhe rritjen e sasisë dhe cilësisë së produktit dhe eleminimin e dyllit. Këto koshere me teknologji të re matin temperaturën, lëvizjen e bletëve, sasinë e ushqimit të bletëve dhe gjithë informacioni regjistrohet përmes një platforme që aplikohet në koshere dhe më pas ky informacion shkon në celular duke bërë të mundur që të zotërohet informacioni kudo që të jesh.

Nëpërmjet mbështetjes së Challenge Fund /Ambasada Suedeze “Alpine Bees” ka nxjerr në treg 2 produkte të reja që janë testuar prej gati 1 viti, që nuk ekzistojnë në tregun shqiptar dhe europian por vetëm në atë amerikan. Produktet janë: 1) Fuqia e Bletës ose Bee Poëer 2) SuperUshqimi ose SuperFood që kanë në përbërjen e tyre kakao, mjaltë, lëng shege të egër. Të dyja produktet kanë vlera të larta ushqimore. Produkte të tjera të prodhuara përvec mjaltit : 1) Qumësht blete 2) propolis 3) qirinj me dyll me vajra esencial.

Gjithashtu mbështetja e Challenge Fund ka konsistuar edhe në: blerejne e 4 centrifugave për vjeljen e mjaltit  realizimin e fushatës së marketingut për promovimin e brand-it nëpërmjet ndërtimit të faqes ëebsite të Alpine Bees dhe shitjen e produkteve online , ofrimin e vazhdueshëm të konsulesnës ligjore dhe financiare sipas nevojave përkatëse, trajnime dhe mentorime të ndryshme.

Gjatë vitit 2021 Alpine Bees ka prodhuar 400kg mjaltë lulesh, 500kg mjlaltë gështenje, 300 shishe propolis, 150 shishe (10 ml) qumësht blete.

Në zonën e Shkodrës programi i EU inovation ka mbështetur edhe tre start up-e të tjera; Saliva Nord, sipërmarrje që prodhon dhe kultivon bimët mjekësore natyrale spontane, kompani që eksporton si në SHBA dhe Europë si lëndë të parë, çajra bimorë dhe vajra esencialë nga sherebeli, eliksiri, lavanda, etj.

Një start up tjetër është prodhimi dhe përpunimi i mëndafshit nga krimbi i mëndafshit në Vaun e Dejës dhe eko ferma në Anën e Malit.

Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, bën me dije se mbështetja e BE me fonde për të rinjtë novatorë do të vazhdojë.

“Përpjekja e skuadrës Europë ka bashkëpunim me shtetet anëtare si Suedi dhe Gjermani. Programi BE për novacionin synon të rrisë novacionin në Shqipëri duke mbështetur të rinjtë sipërmarrës, kreativë me grante dhe financime që ata të marrin risqe. Dëshirojmë të rrisim aftësitë e tyre teknologjike dhe kapacitetet e tyre në të bërit biznes.Kam pasur mundësi të shoh vetë nga afër 4 iniciativa dhe u gëzova për arritjet e tyre.Kam lajme të mira. Pasi kemi parë se çfarë është arritur deri tani me sukses do të vazhdojmë të mbështesim start up-e të tjera dhe të rinj të talentuar.250 biznese të tilla kemi mbështetur deri tani. Është një ekosistem i tërë. Po bëjmë një diksutim në Bruksel se si do të vazhdohet mbështetja”,- shprehet Perr.

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back