Aktualitet

Gjobiten 2106 qytetarë që nuk respektuan rregullat anti-covid

Shkruar nga Liberale
Gjobiten 2106 qytetarë që nuk respektuan rregullat anti-covid

Teksa vendi po përballet me shifra të larta të rasteve me COVID-19, jo të gjithë qytetarët gjejnë mirëkuptimin për të zbatuar protokollin e vendosur për frenimin e këtij virusi të rrezikshëm. Mësohet se gjatë fundjavës, strukturat e Policisë kanë vendosur 2106 masa administrative në të gjithë vendin, për shkelje të masave anticovid, konkretisht:

– 2005 masa për mosvendosjen e maskës mbrojtëse;

– 7 masa për shkeljen e vetëkarantinimit të detyrueshëm;

– 9 masa për subjektet që nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes;

– 85 masa për këmbësorët që janë konstatuar duke lëvizur pas orës 22:00.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 2005 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Në vijim të kontrolleve për zbatimin e vetëkarantinimit të detyrueshëm nga shtetasit e infektuar me COVID-19, janë evidentuar 7 shtetas që kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë secili. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 9 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej subjekteve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 21 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 85 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH