Aktualitet

GJK rrëzon kërkesën e opozitës për shfuqizimin e VKM për ndërtimet pa leje

Shkruar nga Liberale
GJK rrëzon kërkesën e opozitës për shfuqizimin e VKM

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të enjten kërkesën e opozitës për të shfuqizuar vendimin e qeverisë për konfiskimet e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, që u miratua në shtator të vitit 2022.

"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 6 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 589, datë 7.9.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 dhe vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI:

  1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese".

Në Shqipëri janë krijuar pasiguri të shumta juridike pas vendimit të qeverisë për konfisikimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, që u miratua në fillim-vjeshtë të vitit të kaluar.

Mjaft qytetarë, që kanë blerë apartamente në 25 ndërtesat e konfiskuara tashmë, janë të shqetësuar mbi të ardhmen e investimit të tyre në këto objekte. Juristët shprehen se vendimi i keshillit të ministrave cënon të drejtën e pronës, dhe të sigurisë juridike.

Vendimi i qeverisë për konfiskimet e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, që u miratua në shtator të vitit 2022 shkaktoi mjaft debate në qarqet politike dhe juridike në vend. Ky vendim parashikon përdorimin për qëllime sociale të sipërfaqeve të konfiskuara. Njohës të fushës juridike argumentojnë, se ai bie ndesh me vetë ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit të cilit i referohet, si dhe me Kodin Penal, ndërsa deputetët e opozitës kërkuan shfuqizimin e tij në Gjykatë Kushtetuese, por që kjo e fundit e rrëzoi.

Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka arsyetuar se janë konstatuar 25 objekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit, të cilat janë konfiskuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit./Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH