Kryesore

Gjithçka ke, është gjithçka duhet!

               Publikuar në : 23:46 - 10/04/21 liberale

Shpendi Gashi

Në përditshmëri pandemia gjendet e formësuar si një pjesë integrale e psikozës kolektive. Menaxhimi i mirë deri në zgjidhjen përfundimtare të saj janë prioritetet e çdo shtetasi dhe kjo, jo aq për shkak të frikës së madhe nga përhapja e virusit sa pasojat që ka shkaktuar në lekujditetin e të ardhurave e në biznes. Në vendet me ekonomi të dobët si yni, efektet e saj ndjehen akoma edhe më shumë. Si pasojë vetë votuesi është bërë më pragmatist, jo vetëm se është i zhgënjyer nga politika në përgjithësi, porse kërkon zgjidhje imediate të situatës. Nëse retorika politike nuk vjen e bashkëshoqëruar me hartimin e planit për të dalë nga kriza, atëherë vota ose jepet kundër ose abstenohet.

Kërkohet medoemos një plaformë emergjente për daljen nga kriza. Ky është kushti për fitoren në këto zgjedhje. Premtimet në ajër nuk vlejnë në këtë rast.

Kreu socialist, Edi Rama, bazuar në informacionet që vinë nga terreni, është në dijeni të plotë për faktin se suksesi garantohet vetëm nëpërmjet administrimit të pandemisë. Sikundër është në dijeni gjithashtu të epërsisë ndaj kundërshtarit për vetë faktin e thjeshtë se PS është në krye të vendit e logjikisht ka tagrin e gjithë veprimtarisë politike.

Kudo që socialistët shkojnë, distancat respektohen, maskat janë gjithmonë prezente dhe grumbullime masive nuk ka. Nivel i lartë i përgjegjshmërisë qytetare afekton ndjeshëm sentimentet e qytetarëve.

Marrë në kuadrin elektoral, Partisë Socialiste i konvenon situata e tillë, pasi i ka të gjitha mjetet për t’u treguar shqiptarëve se po bëhet gjithçka është e mundur dhe këtë po përpiqet ta tregojë në çdo mënyrë.

Të vetmin kal beteje që ka, Rama di ta përdorë në mënyrën më efikase, e kjo shihet edhe nw dinamikën e përditshmërisë.

Në radhë të parë, dita ditës në çdo takim elektoral Kryeministri nuk kalon pa e përmendur rëndësinë që ka vaksinimi. Sheshi i Tiranës është kthyer në një qëndër shëndetësore, e mbushur me të moshuar të moshave ndryshme të cilët vaksionohen apo presin të vaksinohen dhe që potencialisht janë vota të sigurta.

Përsëritja është babai i mërzisë, por nëna e dijes. Rama e di më së miri këtë gjë.

Vazhdimisht shpalos edhe shifrën në rritje ditore të 250.000 personave të vaksinuar deri më tash, e cila ekuivalentohet diku me rreth 10 % të popullsisë. Guxohet edhe të bëhet një krahasim me vendin më të pasur të Europës, Zvicrën, e cila sipas të dhënave zyrtare nga BAG (zyra federale e shëndetit) ka arritur në nivelin 7.4 % të popullsisë së vaksinuar.

Përpos faktit se Kryeministri vazhdon t’i atribojë vetes rëndësinë jetike në procesin e vaksinimit dhe nëse elektorati nuk e sheh këtë garantim vetwm si kryerjen e një detyrë shtetërore, absolutisht që është një arritje shumë e madhe e qeverisë së tij, sidomos për një shtet si Shqipëria.

Në fund të ditës, për Ramën është e rëndësishme se gjithë shqiptarët të majtë e të djathtë qofshin, tifozë apo edhe kundërshtarë, ia njohin kredencialet si fytyra e vërtetë e pandemisë. Të vetët duke i thurur elozhe, e kundërshtarët duke e akuzuar për pakorrektësi me llogaritë në çmimin e dozave, nuk bëjnë asgjë tjetër veç sa e mbajnë në qendër të vëmendjes, duke sfumuar kështu automatikisht figurat rivale. Kjo ndodh për faktin se opozita nuk ka asnjë gjë tjetër në dorë, përveç se e ka të shpjeguar në program zgjidhjen hipotetike të situatës, e cila do konkretizohet në rast ardhjeje në pushtet më 25 Prill.

Pyetja që shtrohet në këto raste është nëse elektorati do vlerësojë veprimin praktik apo atë teorik.

Së dyti, Edi Rama arrin të paraqesë fushatën si një muaj të zakonshëm të qeverisjes së tij të pazakontë e cila përkon në dy pika kryesore:

– Duke prezantuar përpara publikut investimet e ndryshme të cilat priten të inagurohen edhe në ditët në vazhdim, tregon qartazi se punët po vazhdojnë pa ndërprerje.

Lë kështu të kuptohet se i njëjtë do jetë  përkushtimi ndaj të gjithë projekteve të lëna përgjysmë për t’i vazhduar në mandatin e tretë.

– Gjatë takimeve elektorale, kur njerëzit priren të grumbullohen me idenë se një politikan i rëndësishëm ka ardhur për t’i takuar, Edi Rama gjen këtu rast që të anatemojë veprimet e kundërshtarit. Ai u bën thirrje dhe u tërheq vëmendjen atyre që janë pa maska dhe që s’mbajnë distancë, duke u bërë të ditur se skuadra e majtë nuk është pro infektimit, madje e lufton intensivisht atë.

Kryeministri kështu krijon hapësira për sulme ndaj kundërshtarit duke i paralelizuar me virusin. Është mëse e qartë që edhe vetë atë e gëzon fakti se njerëz pranë tij mblidhen, pasi organizimet e simpatizantëve të opozitës për hir të së vërtetës e bezdisin jo pak, por ka zgjedhur të mbajë linjën e përgjegjshmërisë duke i etiketuar demokratët edhe si shkaktarë të rritjes së infektimeve.

Në përfundim të analizës vlen për t’u përmendur edhe rëndësia që marrin vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, si veprimtari politike në dorën e mazhorancës dhe kreut të saj në raport me fushatën dhe elektoratin.

Që prej muajsh vendi ynë është i kufizuar nga një fashë orare, e cila ka sjellë edhe mbyllje totale të jetës e si rrjedhojë edhe të bizneseve pas orës 20:00.

Shpesh herë është hipotetizuar fakti se ndikimi i Ramës tek Komiteti do bëjë që edhe kufizimet të jenë në favor të qeverisë. Fakt është që një pjesë e madhe e anëtarëve të Komitetit janë anëtarë të partisë.

Me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, po diskutohet që të ndryshojë fasha orare dhe ka mundësi të shtyhet deri në orën 22:00.

Sipas socialistëve shteti po shkon drejt hapjes graduale, por njëkohësisht efektet elektorale që të sjell ndryshimi i fashës orare janë pozitive. Qytetarët dhe bizneset në veçanti ndjehen të lodhur nga kufizimet dhe shtyrja e afatit qoftë edhe me dy orë, shikohet në prizmin e marrjes frymë lirshëm, e me frymëmarrjen gjenerohen edhe disa të ardhura të tjera, të munguara prej kohësh.

Fakti se është përmendur si shkak kryesor muaji i Ramazanit, pritet të afektojë edhe në sentimentet e komunitetit të madh musliman, i cili për hir të së vërtetës është i afërt me Ramën, shkak edhe afërsia e këtij të fundit me Presidentin turk apo edhe nga figura të pëlqyera fetare sikundër Hoxha Elvis Naçi, i cili ka qenë partner i qeverisë me fondacionin e vetë të bamirësisë, në procesin e rindërtimit të Thumanës.

‘’Gjithçka ke, është gjithçka duhet!’’ – kjo i shkon për shtat fushatës së PS-së në kuadrin e pandemisë, pasi duhet pranuar klasi zotërues në kuadrin e faktorizimit të atyre pak aseteve që kanë në dispozicion./ Gazeta Liberale

 

 

 

Tags:


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back