Aktualitet

Gjermania, e rrëfyer nga një diplomat shqiptar

Shkruar nga Liberale
Gjermania, e rrëfyer nga një diplomat shqiptar

Kolana UETPress – 15 vjet

Titulli: Për Gjermaninë

Autor: Bashkim Zeneli

Prof. Dr. Paskal Milo

Gjermania për vetë historinë e saj, për rolin që ka pasur e ka në Evropë e në marrëdhëniet ndërkombëtare është, sot, perceptimi i fuqisë dhe i mbarëvajtjes ekonomike, i sigurisë botërore dhe i kontributeve të mëdha të zhvillimeve integruese evropiane. Për këto arsye e të tjera ky vend, sot, në një botë të tronditur nga pasiguria shihet nga dhjetëra e dhjetëra miliona njerëz si shpresë e si destinacion. Në mes këtyre arsyeve gjendet edhe vëmendja e madhe për të njohur “sekretet” e mrekullisë gjermane, ku pa dyshim, vitaliteti, vullneti, dashuria për punën, dituria, mendjemprehtësia e disiplina janë ndër ato vlera të shquara të këtij kombi të madh.

Njohja e këtyre vlerave, por edhe e shumë të tjerave është një sipërmarrje që pasuron fondin kulturor të çdo qytetari, veçanërisht të atij që jeton në Evropë. Është para së gjithash njohja e historisë së këtij kombi e vendi në të gjitha dimensionet, me majat e humnerat e saj. Një popull i madh ka energji të mëdha, talente e njerëz të jashtëzakonshëm, por edhe thyerje të mëdha në momente të caktuara të historisë, që i shkaktojnë forcat negative, që i shpëtojnë vigjilencës së shoqërisë ose që përgjumet nga opiumi i shpresës për një jetë më të begatë e që bie viktimë.

Historia gjermane ka një dinamikë të jashtëzakonshme. Kombi brenda shekullit të kaluar ka njohur dy rënie dramatike, e dyta shumë më e rëndë se e para. Por brenda tij forcat e tulatura të demokracisë dhe energjitë pozitive kanë ditur që në kthesat e dhimbshme të historisë ta rilindin e ta rindërtojnë vendin dhe imazhin e tij, ta zhvillojnë e ta bashkojnë për të mos u kthyer më e kaluara e hidhur e për t’u ribërë vendi i shpresës e modeli i demokracisë, i pajtimit dhe i besimit në vlerat njerëzore.

E bëra këtë hyrje paksa të gjatë për tu treguar lexuesve se sa i rëndësishëm është libri i ambasadorit Bashkim Zeneli për të njohur Rilindjen e madhe gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Libri është një histori politike e diplomatike e Gjermanisë, e para që shkruhet e botohet nga një shqiptar dhe kjo është një meritë e padiskutueshme e autorit.

Libri ka shumë vlera të tjera dhe është i dobishëm për të gjitha kategoritë e lexuesit shqiptar. Ai nuk është thjeshtë një kronologji e historisë gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore, as edhe një analizë pedante e shkencëtarit historian, që ka qëmtuar dokumentet arkivore. Jo, është një libër ku është përdorur mjeshtëria e gazetarit për të përzgjedhur faktet më mbresëlënëse dhe që e mbërthejnë lexuesin me kuriozitetet magjepsëse të historisë diplomatike e politike të çështjes gjermane.

Një vlerë e veçantë e librit, që e bën shumë tërheqës, është se autori ka lënë të flasin në libër, me gojën e tyre, burrat e mëdhenj të Fuqive të pas Luftës së Dytë Botërore dhe të Gjermanisë Federale. Ka shfrytëzuar botime dokumentare të konferencave e të ngjarjeve të mëdha të çështjes gjermane, si dhe kujtimet e jetëshkrimet e tyre. Ka sjellë detaje nga puna e jeta e tyre që e bëjnë interesante historinë e që dëshmon se prapa fytyrave të ngurta, serioze, zyrtare të udhëheqësve shtetërorë e partiakë, fshiheshin ndjenja, emocione, ambicie e interesa por edhe mirëkuptime të pashprehura, respekte reciproke të pashpallura. Libri i kthen personazhet e mëdhenj të politikës botërore në dimensionin e tyre njerëzor, që për shkak të detyrës, të imazhit e të interesave shtetërore fshihet e maskohet në shumicën e rasteve.

Libri përcjell në detaje dramacitetin e çështjes gjermane në periudhën e Luftës së Ftohtë që rrezikoi dy herë t’i çonte Fuqitë e Mëdha në rrezikun e konfrontimit me armë. Për lexuesin shqiptar ky libër mund të quhet fare mirë edhe një histori e kësaj Lufte. Veçanërisht finalizimi i kësaj Lufte, rënia e Murit të Berlinit dhe procesi i ribashkimit të Gjermanisë që janë edhe pjesa kulmore e dramatike e librit është përshkruar me shumë realizëm e me të gjithë rëndesën e përgjegjësisë që përshkoi vendimmarrësit e mëdhenj të tij.

Nuk mund të mos përmend një “truk” tjetër të librit për ta bërë një magnet të vogël për sytë e lexuesit. Autori shpesh i jep një dimension kulturor, përshkruan ngjarje, tradita, monumente, vende e personazhe të historisë por edhe bashkëkohore. Një meritë tjetër që dukshëm shfaqet në faqet e librit është ndërthurja e historishkruarjes së ngjarjeve me reflektimet personale të autorit në vende që ato janë zhvilluar ose me disa prej aktorëve kryesorë të tyre.

Nuk do të flas më tej për vlerat e tjera të kësaj pjese të librit se nuk dua të shteroj kuriozitetin e lexuesit për t’i shkuar deri në fund atij. Por libri nuk mbaron me kaq por ka një pjesë të fundit, të paralajmëruar që në faqet e dy kapitujve të parë që, për mendimin tim, sugjeruar edhe mikut e kolegut Zeneli meritonte për disa arsye të botohej si libër më vete.

Është fjala për kapitullin e tretë, për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane në vitet 1997-2002, kur Bashkim Zeneli shërbeu në Bon e në Berlin si ambasador i jashtëzakonshëm e ministër fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Federale të Gjermanisë. Thuajse katër vitet e para të shërbimit të tij diplomatik përkuan me detyrën time të ministrit të punëve të jashtme, fakt ky që më jep sa të drejtën aq edhe pretendimin për të vlerësuar kontributet e meritat e ambasadorit Zeneli në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-gjermane dhe në mirëkuptimin e bashkëpunimin intensiv të qeverive të të dy vendeve për të përballuar e zgjidhur krizat e Ballkanit e mbi të gjitha konfliktin në Kosovë.

Ato që shkruan Bashkim Zeneli në këtë libër, të paktën për kornizën zyrtare të veprimtarisë së tij diplomatike unë i konfirmoj plotësisht jo pasi kam lexuar ato çfarë ai ka hedhur në letër, porse jam një dëshmitar i saj; që më është dashur të kontaktoj thuajse çdo ditë, të bisedoj, të informohem e të diskutoj rreth zhvillimeve e problematikave të ndryshme. Ambasadori Zeneli nuk u bë diplomat siç ka ndodhur e ndodh rëndom në Shqipëri ditën që mori detyrën e lartë diplomatike. Ai erdhi i përgatitur si i tillë në ministrinë e punëve të jashtme. Jo se kishte mbaruar ndonjë shkollë të posaçme diplomacie, por se rrugëtimi i tij profesional, intelektual e politik e kishte pajisur me njohuri, aftësi e cilësi që ishin të domosdoshme për të përmbushur detyrën e lartë të përfaqësuesit të shtetit shqiptar në një vënd të madh e mik si Gjermania.

Ne kemi pasur e kemi shumë pak ambasadorë me kulturë profesionale e me integritet të lartë. Përgjegjësia kryesore këtu i mbetet politikës që e ka keqpërdorur për interesat e saj të ngushta institucionin e politikë-bërjes dhe të zbatimit të saj në marrëdhëniet me jashtë. Ambasadori Zeneli është ndër këta të paktë. Ai ka qenë korrekt dhe këmbëngulës në detyrë, me iniciativë e që nuk ka pasur nevojë për nxitje nga të tjerët. Faqet e këtij libri janë të mbushura me fakte që dëshmojnë dinamikën e lartë të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane në ato vite.

Çështje qendrore e politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë e mbetet Kosova. Por në atë kohë u luajt akti final i dramës së shqiptarëve të Kosovës. Mënyra e zgjidhjes së saj do të përcaktonte edhe fatin e tyre: ose lirinë e shumëkërkuar ose getoizimin e çbërjen e tyre kombëtare. Sot mund të duket e lehtë, por atëherë ka qenë tepër e vështirë jo vetëm për një ambasador, por edhe për gjithë qeverinë që të përballonte trysninë e madhe të ngjarjeve që rrokulliseshin nga dita në ditë, të luftoje skepticizmin e formulat pa ngjyrë e pa të ardhme që qarkullonin për statusin e Kosovës, por edhe të kontrollohej, të frenohej e të kanalizohej aksioni jo i organizuar e i qendërzuar i shqiptarëve të Kosovës kudo ku ata jetonin, përfshirë edhe Gjermaninë. Aspirata e shenjtë e lirisë dhe e çlirimit e gërshetuar tek shumica e shqiptarëve edhe me urrejtjen për regjimin e Millosheviçit kishte krijuar në Gjermani një situatë të elektrizuar, radikale mes tyre që nuk ka qënë e lehtë për t’u administruar me kujdes.

Ambasadori Zeneli ka një meritë të veçantë në këtë drejtim. Ai zyrtarisht ishte ambasadori i Shqipërisë, por në fakt ai shërbeu si ambasadori i gjithë shqiptarëve në Gjermani. Faqet e këtij libri janë të mbushura me fakte dhe emra njerëzish që e vërtetojnë këtë përfundim. Unë, sigurisht nuk kam pritur këtë libër që të arrij në këtë përfundim, por e kam konstatuar që në ato vite.

Shefi i misionit diplomatik është përfaqësuesi i lartë i kryetarit të shtetit dërgues pranë kryetarit të shtetit pritës. Për rrjedhojë, një detyrë qendrore e tij është të mbajë e të zgjerojë urat e kanalet e komunikimit midis institucioneve më të larta shtetërore të të dy vendeve. Lexuesi i këtij libri do të gjej në faqet e tij dëshmi të shumta për rolin e veçantë që ka luajtur ambasadori Zeneli në komunikimin e lartë ndërshtetëror, në shkëmbimet dypalëshe e në njohjen e ndërsjellë të vlerave kulturore e të traditave të të dy vendeve.

Uroj që ky libër i vlefshëm për të gjithë, veçanërisht për studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare, të diplomacisë, të historisë, të shkencave politike e të shërbimit diplomatik shqiptar të gjej vëmendjen e merituar. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH