Letërsi

Gjeratoret e Groteskes

Shkruar nga Liberale

*Dr. Durim Çaça

Aktet estetike, si konfigurime të përvojës, sjellin gjithëherë në ekzistencë, mënyra të reja të të ndjerit dhe induktojnë forma të reja të subjektivitetit artistik. Pas shpalljes së rrënimit të utopive politike e të dramaturgjisë së humnerës, vjen çmagjepsja prej post-modernes, me hovin e një moderniteti të ri.

1.Shtjella të një sage antiheroike

Në rastin më të mirë, një artist modern krijon një të shkuar vetjake e cila, në thelb, është e ndryshueshme. Ndërgjegjësimi i tij për të tashmen, i rrokur në menjëhershmërinë dhe kohëçastshmen e saj të papërballueshme, bëhet burimi kryesor i frymëzimit dhe i forcës së tij krijuese. Në këtë kuptim, mund të thuhet se, për një artist modern, e shkuara imiton të tashmen, shumë më tepër se e tashmja imiton të shkuarën, sepse moderniteti është kalimtarja, e paqëndrueshmja, e ndryshueshmja, e pasigurta, imanentja.

Ndjenja e pasigurisë, ankthit, pafuqisë përforcohet vazhdimisht prej ngurrimit, dyshimit, dilemës, mëdyshjes së  rrëfimtarit, ku kundërthëniet e qëllimshme të të cilit ia hedhin fajin paqetësisë, amnezisë, pamundësisë për të ndarë “faktin” prej “trillimit”, të tensionit të brendshëm shpirtëror e që shpërfaqen edhe në trilogjinë (që ne po e konceptojmë si të tillë) të tre romaneve:  “Dyer të paputhitura”,( SAIT, 2001, Tiranë), “Një vit i brishtë”, (Ombra GVG, 2008, Tiranë) dhe “Kolonia e erës”, ( Plejad, 2012, Tiranë), të shkrimtarit të spikatur Halit Shamata. Në nivelin e strukturës së “trilogjisë”, teknika e krijimit të të fshehtave (mistereve) ekzistenciale, merr formën e qasjeve rishqyrtuese më të gjera që pasojnë, apo të riinterpretimeve të gjithçkaje që ka ndodhur më parë. Këto tekste, (tre romanet  në fjalë) të cilët, dhe pse tejkalojnë në elemente të veçantë metodën artistike të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XX, gjithësesi janë po në hullinë estetike post-moderniste, sepse përdorin hapur konvencione dhe teknika strukturore dhe stilistikore  të kësaj estetike, si: përdorimin e ri ekzistencial apo ontologjik, (në ç’mënyrë ekziston teksti dhe në ç’mënyrë ekziston bota që ai pasqyron) të perspektivizmit, (i ndryshëm prej atij, kryesisht psikologjik, që gjejmë tek modernizmi), tematizimin parodik të autorit që ndërhyn kudo, me një damar të qartë vet-ironizues, trajtimin e barabartë të faktit e trillimit, të realitetit dhe mitit, të së vërtetës dhe gënjeshtrës, -si mjete për të thekuar luhatshmërinë, referimin ndaj vetes dhe “metafiksionin”, si mënyrë për të dramatizuar karakterin rrethor të pashmangshmërisë.  Nga ana stilistikore, përveç përdorimeve të veçanta dhe shpesh herë parodike të mjeteve të mëdha tradicionale retorike, mund të vërejmë te arti i literaritetit të këtij autori të një sharmi galant,  turbullues, përshkëndites,  parapëlqimin e tij të dukshëm për figura të tilla jokonvencionale, si: anakronizmi i qëllimtë,  tautologjia dhe palinidi, (ripërdorimi i motiveve, përdorur më parë në veprën e tij poetike e romanore, paradokset, etj. si dhe të autorëve botërorë, Shekspirit, etj.). Cikli i romaneve në shqyrtim, (të trilogjisë, në perceptimin tone të kësaj përsiatjeje kritike eseistike), i ngjan kështu një sage antiheroike  e absurdi, (ngaqë veprimet heroike janë të mundshme vetëm në epokat kur  nuk është përhapur akoma vet-ironia). Shpërfaqur, e gjitha kjo, përmes një projeksioni të groteskes, ndërthurur me paradoksin, parabolën, parodinë dhe humorin e zi, të një virtuoziteti të thellë therës. Të groteskes që është mohimi absolut i qetësisë, - të kësaj gjendjeje pastërtie, tejpashmërie dhe ftillimi, - kaq larg dëshpërimit, prej të cilit lindin kaosi dhe zbrazëtia. Të groteskes që fsheh, në të shumtën e rasteve, tragjeditë e brendshme, të cilat nuk shprehen në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes aktualizimit dhe intensifikimit të  frikës dhe tmerrit:

“…Ishte pa gdhirë akoma kur gardiani i turnit u fut me potere në kapanon dhe nisi t’u heqë një nga një batanijet e vetme të burgosurve, - Kush asht ai doktori i veshëve, mor jahu,- dhe vazhdonte të zbulonte me radhë të fjeturit e vdekur, në mos të vdekurit e fjetur. Mjeku nën batanije u shtang. – Pse duan të më marrin?! Unë edhe një muaj lirohem. Kishte dëgjuar që, ata që i pushkatonin, i merrnin në të zbardhur. – Apo duan të më ridënojnë, meqë më mbaron dënimi, dhe e mbuluan djersë të ftohta. Mundësia e dënimit, në krahasim me pushkatimin në të zbardhur, iu duk si një realitet festiv lirie. Pasi e mblodhi veten, tha me zërin që nuk ngjasonte aspak me zërin e tij: Jam unë, -tha i vdekuri. –Po fol, bre burrë, se nuk kena me t’vra sonte! Hajde, vishu! E ndoqi pas gardianin, gjersa u gjendën në sallën e vdekjes. Në skaj të dhomës së errët, mbledhur kruspull, gulçonte në dyshemenë e ftohtë, një njeri i mbytur në gjak që shtrëngonte veshin me duar…”. (“Dyer të paputhitura”).

2. Dyert e paputhitura të totalitarizmit

Romani “Dyer të paputhitura” paraqitet si një projeksion tragjikomik i deformimit të shoqërisë në diktaturë, i alogjizmit dhe iracionalitetit. Një vepër që përmbledh e ngjan me një “inventar” të frikës e paranojës, të makthit e vuajtjes së njerëzve të kohës, jo prej “demonëve të brendshëm” të qenies njerëzore, por prej “demonëve të jashtëm” të mekanizmave të terrorit shtetëror, (që i përndjek dhe i torturon përjetësisht), në një sistem totalitarizmi. Dhe kjo, në të gjitha nivelet e shoqërisë, (shtresat e thjeshta popullore dhe ato intelektuale) dhe në të gjitha trevat e vendit të pushtetit shtypës, (që nga kryeqyteti e qyteti bregdetar, gjer te bjeshkët e veriut e bregdeti i jugut). Një narrativë që ndërthur manierën, si ankth i përsëritur i autorit, (që ribën gjithnjë e vazhdimisht vetveten) me stilin, si aftësi për të kapërcyer vazhdimisht vetveten e që mund të vihet re vetëm përmes një vështrimi semiotik.

Në këtë narrativë shpërfaqet përdorimi parodik e shkatërrues i realitetit, që i kundërvihet kuptimit historik, duke e çliruar historinë përgjithmonë nga modeli njëherësh metafizik dhe antropologjik i kujtesës dhe duke bërë një kundër-kujtesë, për të shpalosur në të, një formë krejt tjetër të kohës shoqërore. Romani që po shqyrtojmë, projekton një realitet fantazmagorik, në pjesën më të madhe, jo nëpërmjet të ironisë së lehtë të së qeshurës e  komikes së tre shkallëve të ulëta të burleskes dhe  komedisë,  (sipas klasifikimit të Fraj-it), por përmes ironisë tragjike të tre shkallëve të larta të saj, deri në satirën e hidhur të groteskes  e të sarkazmës së humorit të zi.

Duke u ngritur tek shkalla e ironisë tragjike të fatalitetit, që është më pak morale dhe më shumë stoike dhe rezinjuese, (e nënshtrimit dhe pajtimit me fatin) dhe gjer te shkalla  më e lartë e ironisë, me intensitetin e saj të fortë, ku satira shkon deri në sarkazmë (e shkallës së Kafkë-s dhe Oruell-it) dhe ku jeta njerëzore paraqitet në terma të deformimit të skajshëm e të absurdit, të mungesës së lirisë dhe shtypjes shtetërore, me mjedise vuajtjesh, me forma të linçimit dhe vende të dënimit e të ekzekutimit, duke na kthyer sërish tek epifania demoniake, te burgu i dhembjes së pafund, te shkretëtira morale e një bote të ndohtshmërisë dhe shfrenimit, ku nuk  ka shpresë e mëshirë. Tragjedia dhe ironia tragjike na bartin në një ferr të harqeve ngushtues dhe kulminojnë në një vision të tillë të errët të burimit të tërë së keqes, por ndërsa tragjedia nuk na çon më tej, mitos-i i ironisë dhe satirës na çon deri te terri dhe terrori i totalitarizmit.

3. Një vit i brishtë Shqipërie

Ne ndoshta pranojmë që ekzistojmë po aq në atë që jemi, sa në atë që nuk kemi qenë, njëlloj si në atë që është e vërtetueshme, e matshme, e kujtueshme, edhe në atë që është e mjegullt, imagjinare, e rremtë ëndërrore. Dhe, kur zbulojmë se diçka nuk qe asht siç e jetuam, një dashuri a miqësi, një situatë politike a një çështje e përbashkët e gjer kombëtare, na shfaqet në jetën reale ajo dilemë, që mund të na torturojë aq shumë dhe që, në një pjesë të madhe të saj, është territori i fiksionit romanor.  Sa që “ tash ne nuk e dimë nëse ajo që jetuam është ajo që besonim, ndërsa qemë të gënjyer, apo nëse duhet ta hedhim në thesin pa fund të imagjinares e të rrekemi  të rindërtojmë hapat tanë,  në dritën e zbulimit të tanishëm e të zhgënjimit”, (Javier Marias).

Në këtë hulli mëdyshjeje e pakthjelltësie, duke qenë gjithnjë e më pak naivë për të besuar në fiksionin dhe imagjinaren e letrares së sotme, na shpie narrativa tjetër e bukur romanore “Një vit i brishtë”, një tjetër tekst mjeshtëror i metagjuhës artistike dhe i “veprës së hapur”, ku absurdja dhe paradoksalja shoqërore, kapërthyer hovshëm në surealen ekzistenciale, ( të shpërfaqur në botimet e mëparshme poetike dhe të prozës së gjatë të Shamatës),  arrijnë një densitet të fuqishëm, me ravgimin në gjurmë të reja të rrëfimit poetiko-filozofik, të estetizimit dhe ironisë së gjuhës. Ku, pas “një viti të brishtë” (të 1990-s) të realitetit shqiptar,   shihet një demokraci e brishtë , një politikë e brishtë, një shtet i brishtë, një lidhje erotike e brishtë, një fat njerëzor i brishtë. E përbërë nga kujtime dhe ëndrra, që lidhin të shkuarën me të tashmen, shoqëroren me intimen, dhembjen me shpresën, vuajtjen me sfidën, për të ecur përpara në një shoqëri të lirë, kjo veper literariteti shpërfaqet si një mozaik ndriçimesh e terresh, plot shpirt ekscentrizmi dhe të qeshure të hidhur.

Në një perceptim të parë, ngjan një roman i kujtdo, i shkruar në “lëkurën” e gjithësecilit, me përvojën e përzishme të diktaturës së monizmit komunist dhe tranzicionit të vështirë drejt demokracisë. Por nuk është kështu dhe jo gjurmë e rastësishme dhe, sidomos, jo e kujtdo. Fuqia imagjinative e pamjeve sociale, loja virtuoze gjuhësore dhe energjia e ligjërimit, pasuria e parabolave (edhe e atyre popullore krahinore), që shndërrohen në përsiatje filozofike të gjithëkohëshme, e bëjnë këtë vepër ,- të admirueshme. Shto depërtimet psikosomatike në qenien njerëzore, histori fantazmagorike fatesh tragjikomike, ku groteskja dhe humori i zi krijojnë atë atmosferë sureale dhe alogjizmi.

Kujtojmë se groteskja, mohon në mënyrë thelbësore klasiken dhe çdo ide të stilit, harmonisë dhe përsosmërisë. “Ndryshe nga tragjikomikja e mirëfilltë, ku ruhen veçoritë kategoriale të tragjikes e komikes, ku tragjikja është tragjike dhe komikja është komike dhe ku ne e dimë pse qajmë e pse qeshim, si tek figura tragjikomike e Don Kishotit, tek tragjikomikja e groteskes, nuk ruhen vecoritë kategoriale të tragjikes e komikes dhe na përftohen efektet e reja të paradoksales e deformimit, si tek figura groteske e Shvejkut”,  (Volfgang Kajzer). Ajo përdoret në funksion të rivlerësimit të realitetit, të krizës shoqërore, kulturore, etj.,shfrytëzohet si procedim stilistik dhe vizion estetik dhe është fuqia më e realizuar  artistike e shekullit XX.  Dy paradigmat e saj janë ajo që lidhet me projeksionin romantik të groteskes, dhe që vjen që prej Hygo-it: e madhërishmja në kundërvënie me të ultën e grotesken, (surealistët, ekspresionistët, Kafka, Kadare) dhe tjetra, groteskja realiste, ajo që lidhet me traditën e realizmit dhe kulturën popullore, (Tomas Man, Breht, Neruda, etj.). Te Shamata shohim grotesken e paradigmës së parë, të projeksionit romantik, me ndjesitë e paradoksales dhe alogjikes:

“…Merreni seriozisht dhe qeshni! Kemi dhe punë të tjera. Nuk na del hesapi që të presim deri sa t’ju vijë për të qeshur. – Po s’më qeshet, sikur gjithë palaçot e botës të më sjellësh përpara. Shkrepe! Qëllo! Qesh që të shpëtosh! Shpëtova në saj të një zgërdheshjeje që e shita për të qeshur. Me çmim fare qesharak. Njeriun nuk ka palaço ta bëjë për të qeshur dhe palaçon e vërtetë vetëm njeriu e bën të qajë…”

Gjer te satira e shkallës së lartë e ironisë së fortë të sarkazmës:

“…Edhe kur trupin ta kenë përshkuar plumbat që të kanë dënuar me vdekje, sa kohë që shpirti s’të ka dalë dhe sa kohë që prokurori nuk të ka qëlluar me një plumb elegant pas koke, je absolutisht i lirë…”.

Një teksturë rrëfimore, e endur sa me një modernitet të ri, që e tejkalon herë-herë,  shprehësinë e post-modernes, aq dhe me pasurinë e kulturave popullore krahinore:  “E ka thënë bukur labi, njeriu nuk vdes kur e mbulon dheu, por kur i harrohet emri…Mos fol shumë me vete!  Të bahet vetja havale dhe s’të ndahet. Hajt, freskohu e dil në rrugë. Kot, plot, hiqju vedit. Nuk bahet luftë me vedin… Si ka thon kavajsi: Kalove dyzet vjeç, han bukë veç…”.

Një roman i bukur nuk shkruhet e lexohet, por ndodh. Dhe ne bëhemi pjesë e tij e vetvetishme me një frymë. Sepse Adnan Hukamaj, një fiksion i imagjinatës, ngjan më i besueshëm se ne vetë, njerëzit e gjallë të vërtetë, që jetuam realisht vitet ’90.

4. Kolonia e erës delirante

Modelimi i teksturës romanore te “Kolonia e erës”  paraqitet si një metafiksion narrative, ku gjuha e rrëfimit të fshehtë, të brendshëm, e cila buron që nga thellësitë e nënvetëdijes ligjërimore të çdo protagonisti, (që shfaqen njëri pas tjetrit), paraqitet si gjuha e autorit, me lexuesin e vet. Të gjithë protagonistët  të tragjikomikes së groteskes të këtij metafiksioni rrëfimor: Melin Resmja, Keçka, Rik Bombola, Sutë Balla, Ndreqësi i çative, Mareza, Historiani,- kalojnë me ankthin e tyre të brendshëm, në imazhe, pothuaj, faktike, si ato fotografike, të shfytyrimit në përballjen me kontekstin politik e shoqëror të jashtëm, nëpërmjet tmerrit të përjetuar, perceptuar apo përfytyruar prej rrëfimit  të vuajtjeve të të tjerëve, në qelitë e hetuesisë politike dhe të policisë sekrete  te diktaturës komuniste, apo të absurdes dhe paranojakes së lirisë së pamodeluar me ligje, të periudhës së gjatë transitive. Por, gjithashtu, të gjithë këta aktantë-personazhë  parakalojnë edhe përmes meditimit dhe refleksionit të zërit kryesor ligjërimor, me projeksionin e Tomorrit apo Tomit, fotografit të ri të revistës lokale të qytetit të tyre të vogël, që ndërlidh gjithë parzmin rrëfimor të këtij tekstualiteti literariteti. (Siç shihet, ne nuk po bëjmë fjalë për protagonist kryesor, sepse romani nuk ka një rrjedhë subjektore ngjarjesh kronologjike që  mund të lëviznin  në kahun e këtij kryeprotagonisti, por një shumësi zërash ligjërimorë, një polifoni tingullore e semantike fjalësimesh, një sinergji të gjerë metaforike, ku autori “zhduket” apo “ravijëzohet”, konfigurohet si një medium i fshehtë dhe ku kumti, buron jo shfaqshëm e dukshëm, jo drejtpërdrejt, por si prej realitetesh të tjerë, nga kontekstet morale e shpirtërorë të kohëve të ligjëruesve dhe dekodohet përmes shenjuesish semiotikë societalë dhe estetikë. Ndaj, në këtë “vepër të hapur” për çdo lloj leximi dhe dekodimi, secili lexues mund të receptojë , të çkodojë e të kapë kumtin e leximit të vet:

“…Në bodrumin tim të shtetëzuar, unë punoj me qira. Unë i paguaj qira vetes, jo vetëm në këtë rast, por unë, në përgjithësi, edhe veten e shtetëzuar e kam marrë me qira. Paguaj kohë e pa kohë qira për përdorimin e duarve, të këmbëve, të të ndenjurave dhe pjesëve të tjera nën hije të trupit qiramarrës. Sidomos për këto të fundit, paguaj një qira që ia vlen barra qiranë. Kurse qiraja për përdorimin e mendjes është e ulët, gati falas, sepse mendjen jo vetëm që nuk e vëmë në punë por edhe po të duam, nuk na lejojnë, për shkak të ruajtjes së shëndetit mendor që është pronë publike…”.

Një sagë narrativiteti që kthehet në një meditim të thellë për botën dhe njeriun, për ideologjitë, pushtetet totalitare dhe liritë “barbare” që përçudnojnë shoqërinë dhe njerëzimin.

5. Parabola të “veprës së hapur”.

Gjeratoret e groteskes vorbullojnë shtjella-shtjella rrotullore nga njëri fat njerëzor te tjetri, nga njëri personazh tek tjetri, të çdo narrative dhe, nga njëri roman te tjetri të kësaj “sage” të absurdit, jo nëpërmjet ironisë së lehtë të së qeshurës dhe humorit të “bardhë” të komikes së satirës të nivelit të ulët (që merr si të gatshme një botë e cila është përplot me anomali, padrejtësi, marrëzi, krime dhe ku parim është se, kushdo që dëshiron të mbajë barazpeshën në një botë të tillë, duhet së pari të mësojë  t’i mbajë sytë hapur dhe gojën mbyllur) por, siç kemi përmendur dhe më parë, shpërfaqen përmes ironisë së thekshme, të fortë, të hidhur, të shkallës më të lartë,-asaj të sarkazmës shoqërore e politike, nëpërmjet parabolash, paradoksesh, parodish e humori të ashpër, të sertë, të rëndë, të zi të groteskes satirike e të tragjizmit:

“…Dikush i kishte thënë se edhe po të dilte nga burgu s’kishte nga të shkonte. Fshati më i afërt ishte dyzet ujqër larg. Dhe i dha karar që, ditët e para të lirisë, t’i kalonte në burg….” (“Dyer të paputhitura”).

“Vepra e hapur”, në konceptin e Eko-s nënkupton një sistem të ri gjuhësor poetik inovativ, që vë në pikëpyetje marrëdhënien me traditën, përmes kërkimit të marrëdhënies dialektike të formës me papërcaktueshmërinë, me një manifestim domethëniesh në universin e rastësisë, si një kategori fenomenologjike. Si e tillë, një vepër letrare lejon mënyra të shumta leximi, (apo më saktë leximin e vet të çdo lexuesi), dekodimi dhe kuptimësimi. Kështu, sentencën me të cilën Shamata përfundon romanin e parë dhe që e kalon si përmbyllje (sarkastike) te të gjithë romanet e tjerë, (si Dante që përmbyll secilën kantatë të Komedisë Hyjnore të tij, (poetikisht), me të njëjtin varg të “yjve vezullues”), sentencë e cila mbyll çdo narrativë romanore të këtij autori dhe, nga ana tjetër, hap “veprën” e receptimit të  lexuesit: “Epo s’vdesin kaq kollaj të vdekurit”, (“Dyer të paputhitura”) dhe, më tej, në veprat e tjera, “E po ja që nuk vdesin kaq kollaj të vdekurit” dhe “Zor se vdesin ndonjëherë të vdekurit!” Duke hapur kështu, përmes kësaj “mbylljeje” (nga autori) dhe “hapjeje” të veprës, (nga lexuesi), mundësinë e një shumësie receptimesh, interpretimesh, domethëniesh e kuptimësish.

Interpretimi i veprave letrare asnjëherë nuk mund të jetë i vetmi dhe përfundimtar. Qoftë forma e interpretuar, qoftë personi që interpreton, janë pafundësi të përcaktuara dhe, për pasojë, të interpretosh është një proces që zbulon vetë formativitetin e krijimit, pafundësinë e aventurës shpirtërore të krijuesit, që shkundullon e trondit nëpër kohë, jetë e botë të njerëzve. Sepse në veprën e autorit tonë, gjejmë pozicionin strategjik të fjalës në letërsi e cila, nga pozita e saj e mëparshme, si e panevojshme dhe jovepruese, për shkak të përhapjes së reportazhit universal, tashmë kjo fjalë katapultohet, përmes veprës së Shamatës, në një qiell të ri e tokë të re! Ngaqë letërsia ekziston edhe sot, edhe e vetme, si një përjashtim nga gjithçka, me fuqinë e formës, tani e çliruar prej gjithësejt dhe për këtë, edhe më e afërt, me shpirtin tonë të lirë!

*Doktor i Shkencave të Gjuhësisë /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH