Aktualitet

Gjendet i pajetë në qeli i dënuari me burgim të përjetshëm

               Publikuar në : 09:52 - 03/02/20 liberale

Andon Mëhillaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, është gjetur i vdekur në qelinë e tij, në burgun e Peqinit. Deri më tani ende nuk dihet shkaku i vdekjes së Mëhillaj, i cilësuar si kreu i bandës së tritolit në Vlorë.

Andon Mëhillaj u dënua me burgim të përjetshëm, pasi akuzohej se gjente klientët për vrasësin me pagesë Julian Sinanaj.

Roli i sekserit

Sekserët e vrasjeve, Andon dhe Genis Mëhillaj, shpërbleheshin me 20-30 mijë euro për “punën” e tyre. Kushërinjtë Mëhillaj “peshkonin” biznesmenët e mëdhenj dhe lidhnin marrëdhënie të ngushta miqësore me ta, duke krijuar besim për mosnxjerrje sekreti. Sa herë që biznesmenët ankoheshin për konkurrentët e tyre, Mëhillajt i këshillonin që të ekzekutonin kundërshtarët.

Nga ana tjetër, ata i siguronin se kishin në varësi një person që e kryen vrasjen me saktësi të madhe, pa lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Për të përforcuar idenë, i flisnin edhe për karrierën e pasur kriminale të Julian Sinanajt. Kur biznesmenit i mbushej mendja, se e vetmja rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga rivali ishte vrasja, atëherë ai bënte marrëveshje me kushërinjtë Mëhillaj. Mes palëve nisnin bisedimet për pazaret, të cilat ishin të ndryshme, në varësi të personit që do të vritej. Pas kësaj, Erjon (Andon) dhe Genis Mëhillaj, kontaktonin direkt me Julian Sinanajn.

Ata bisedonin për objektivin e radhës, shumën e parave që jepte porositësi për “kokën” e viktimës dhe një fotografi, të shoqëruar me të dhëna personale rreth këtij të fundit. Pasi binin në dakordësi, 31-vjeçari niste procedurat, për të përfunduar me sukses porosinë e radhës, prej së cilës do të merrte një shumë të konsiderueshme parash. Mësohet se Mëhillajt ishin ura lidhëse mes Julian Sinanajt dhe porositësve. Këta të fundit, në të shumtën e rasteve, nuk kishin kontakte me njëri-tjetrin.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back