Dossier

Gjeçovi dhe kontributi i tij në Kurbin

               Publikuar në : 10:18 - 06/08/19 LP

Prof. dr. David Luka

Në përkujtim të 90-vjetorit të vrasjes (nga shovinistët serbë)

Sipas shkrimeve të vetë Gjeçovit (mbajtur në fletoren e tij të shënimeve, që gjendet në Muzeun e Shkodrës, nr. 2130), ai ka shërbyer si famullitar në Laç të Kurbinit nga mesi i vitit 1899 deri në vitin 1905.

Jetonte e punonte në kishën e vogël të Laçit, që ndodhej në majë të kodrës. Aty ai kishte edhe “studion” e tij të punës. Këtu nis veprimtarinë e mirëfilltë shkencore duke u marrë njëherësh me disa fusha kërkimesh (folklor, etnografi, arkeologji, histori, letërsi, gjuhë etj.). Pikërisht në këtë kohë nisin përpjekjet e para për ta bërë të njohur krahinën dhe, në frymën e rilindësve, fillon të punojë për t’i bërë të ditur botës se ekzistonte një vend me emrin Shqipëri, që meritonte një fat më të mirë sesa pushtimi turk.

Gjatë viteve 1900, 1901, 1902 boton në revistën “Albania”, që dilte në atë kohë në Bruksel, 11 poezi të hartuara më parë, së bashku me ata që kishte shkruar në Laç të Kurbinit; gjithashtu edhe fjalë të rralla të gjuhës shqipe, gojëdhëna mbi Skënderbeun etj., të mbledhura në zonën e Kurbinit. Më 14 dhjetor 1900 i dërgon një notë proteste konsullatës austro-hungareze me qendër në Durrës, qëllimi i së cilës ishte demaskimi i pushtimit turk, që në këtë krahinë tregohej mjaft i egër.

Në vazhdën e mësimeve të Rilindjes Kombëtare, Gjeçovi, në vitin 1901, rihap shkollën shqipe të Laçit, që ishte mbyllur prej disa vitesh dhe vazhdon t’u japë fëmijëve mësime në gjuhën shqipe. Ai punon intensivisht për ta pajisë këtë shkollë me libra dhe mjete të tjera mësimore. Nëpërmjet konsullatës austro-hungareze në Durrës, ai arriti në gusht të vitit 1901 të siguronte disa abetare të Brukselit, të cilat kishin edhe përkthimin në turqisht dhe lehtësonin mësimin e shkronjave latine.

Në këtë kohë nis punën e tij patriotike për mbledhjen e visarit popullor (tradita, gojëdhëna, përralla etj.), të cilat do ta nxisin për veprat e mëvonshme e veçanërisht për kryeveprën e vet, Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili do të vlerësohet si kryevepër e terrenit shqiptar dhe arritje kulmore e përkushtimit të regjistruesit”. Megjithëse Kanuni nisi të mblidhej prej Gjeçovit rreth viteve 1900, aty përdoret metoda shkencore më e përparuar e kohës, ajo krahasimtare, me kode të kohës indoeuropiane, punë që deri më sot nuk e ka bërë asnjë prej etnografëve tanë.

Përzgjedhja dhe kodifikimi i asaj mase amorfe, që Gjeçovi ka mbledhur për vite të tëra nga pleq analfabetë, por gjithsesi të dalluar për dhënie mendimesh me interes të madh për studiuesin, janë një tregues i qartë se autori i Kanunit ka qenë jurist, madje i dalluar. Aq më tepër kur ky vetë ka bërë punë pionieri pa pasur përpara ndonjë gjedhe (përkat. model) ku të mbështetej. Kanuni nisi të botohej pjesë-pjesë në revistën “Hylli i dritës”, që në vitin 1913. U botua si vepër e plotë post mortem më 1933 me një parathënie të atë Gjergj Fishtës, me një biografi të atë Pashko Bardhit dhe me “Ca kujtime mbi atë Gjeçovin” të Faik Konicës.

Në shënimet që ka lënë e që ruhen në Arkivin e Shtetit, ai në vitin 1900 shkruan në ballë të njërës prej këtyre fletoreve: “Laç – Sebaste – Kurbin. Fjalë, shprehje popullore, krijime fjalësh të reja”. (Khs. këtu fjalë të rralla si: kerlesh, bershê, fjoll, gazhel, katralesh, katrosh, laresk, katrasyll, rrmang etj.) Në këto fletore ai ka lënë edhe një numër të madh shënimesh për emra njerëzish, emra botanikë, emra orësh e zanash (të mbledhura në krahinën e Kurbinit), një pjesë prej të cilave edhe i botoi në revistën “Albania”.

Mendohet se Gjeçovi ishte gjithnjë në kontakt me patriotë të Kurbinit, të cilët në vitet e mëvonshme (1905 – 1907) do të drejtonin kryengritjen e famshme të Kurbinit (të udhëhequr nga dom Nikoll Kaçorri). Mbase me këtë veprimtari patriotike kanë lidhje edhe vizitat e udhëtimet e tij në malin e Tomorit, ku shkroi edhe disa poezi, të cilat i botoi në numrin 9 të vitit 1902 të revistës “Albania”. Njëra prej tyre, që titullohet “Beja e shqiptarit” e që mban pseudonimin e Gjeçovit “Lkêni i Hasit”, ka në fund të saj shënimin “Në majë të malit të Tomorit, më 20 mars 1902”,

Në këtë periudhë 6-vjeçare të qëndrimit në Laç të Kurbinit ngjan që Gjeçovi të ketë punuar shumë e me intensitet të plotë. Këtë e tregojnë jo vetëm shënimet e mbajtura në fletoret e tij të shumta, po edhe veprimtaria e mëvonshme, qoftë patriotike, qoftë letrare a shkencore, sepse ajo në shumicën e rasteve zë fill në këtë periudhë. Gjeçovi do t’i ruajë gjithnjë lidhjet e tij me Laçin e Kurbinit, jo vetëm nëpërmjet letërkëmbimit, por në radhë të parë edhe me vizitat e tij të shumta e të herëpashershme në këtë krahinë, ku ai kishte miq e dashamirë të shumtë.

Në shënimet e lëna për Gjeçovin nga kryeipeshkvi i Durrësit (e që ruhen në Arkivin e Shtetit), thuhet shprehimisht: “… Gjeçovin populli e donte, e nderonte dhe kishte besim tek ai. Në Laç Gjeçovi ka shërbyer plot pesë vite dhe njihte mirë jo vetëm famullinë e vet, por gjithë Kurbinin”.

Në një artikull, të shkruar me rastin e kremtimit të 25-vjetorit të meshtarisë nga atë Pashko Bardhi, një ndër miqtë e tij të ngushtë, me të cilin kishte kaluar fëmijërinë po edhe së bashku kishin nisur rrugën e meshtarisë e së bashku qenë shuguruar meshtarë, na jepet ky portret i Gjeçovit:

“Në Laç të Kurbinit i ra me hjekë keq prej qeverijet anadollake, e cila dojte me shkelë keqas rajen e shkretë. Por në tjetrën anë i ra me u përpjekë me burra të ndershëm të Kurbinit e të Kthellës, ndër zemra të cillëve u mundue me e ndezë flakën e dashnisë së Atdheut, e këta ma vonë kjenë prisat e komitës shqyptare kundra Xhymjetit. Si famullitar i Laçit, prej kryeipeshkvit të Durrësit kje çue prore në Durrës, ku i ra rasa me u përpjekë me atdhetarë të Tosknisë, me të cillët mujti me shndërrue e me zhdrivillue mendimet e veta kombëtare për një Shqypni të përbashkët e të pamvarshme.”

Po në këtë shkrim të patër Pashkos mësojmë edhe datën e saktë të lindjes, si edhe emrat e prindërve të Gjeçovit, për të cilët është diskutuar mjaft. Aty thuhet shprehimisht: “A. Shtjefni u lé në Janjevë të Kosovës me 12 të korrikut 1874. Prindtë e tij kjenë Mateu Gjeçov e Ana prej Pezrendit”.

Gjatë vitit të fundit të qëndrimit në Laç të Kurbinit (1906) botoi në revistën “Albania” këto shkrime, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me historinë e krahinës: Gojëdhana për Skanderbeun (Gojëdhanat e popullit të Kurbinit e të Krues); Mullini Fall në Hurdhazë; Mali “Skanderbeg” në katund të Vinjallit në Kurbi (përmbi Shkretë); Kroj “Skanderbeg” në Grykë të Altarit të katundit të Milotit në Kurbi etj.

Gjeçovi u mor edhe me kërkime arkeologjike. Ai qe njohës i hollë i objekteve të vjetra dhe këtë punë e kryente me pasion të veçantë. Tregojnë se në vitin 1905 arkeologu gjerman dr. Pal Traeger vizitoi Gjeçovin në Laç të Kurbinit. Në vendin e quajtur “Kodër Bogzë” atë Shtjefni kishte zbuluar një varr të lashtë e aty, ndërmjet objekteve të tjera, kishte gjetur edhe një unazë të vjetër me një mbishkrim. Gjeçovi deshi të merrte shpjegime nga arkeologu gjerman. Arkeologu i huaj nuk dha hollësi për unazën, por e çmoi atë 7 napolona flori. Thonë se Gjeçovi iu përgjigj me njëfarë përbuzjeje: “Unë desha me dijtë kohën e vjetërsisë, or zotni, po nuk e shes me më dhanë edhe 70 napolona”.

Një ndër punimet e tija shkencore, që tregon dijet e thella të këtij autori në lëmin e historisë e që ka lidhje drejtpërdrejt me krahinën e Kurbinit e në mënyrë të veçantë me Laçin, është artikulli me titull “Sebaste n’Armeni apo n’Arbëni?”, botuar në disa numra të revistës “Zani i Shna Ndout”.

Në punimin “Sebaste n’Armeni a po n’Arbëni”, Gjeçovi bën një përpjekje të guximshme për të lidhur një tregim të Biblës me legjendën, që qarkullonte në kohë të tij për Shën Vlashin. Në Bibël thuhet:

Ushtarët e Agrikolaut, tuj gjuejtë, e gjetne Shën Vlashin në shpellë të malit Argej, e xuene edhe e çuen para Agrikolaut, i cilli dha urdhën që ta pengojshin ndër hekura. Me 10 të marcit, ne Breviar tonë lexojmë lutjen e së kremtes së 40 Dëshmorëve, për të cillët – thotë Breviari – se i kanë mundue në Sebaste të Armenisë“.

Ngjarjet e Biblës, pra, zhvillohen gjatë përndjekjeve të krishterëve (nga romakët), në kohën e Agrikolaut. Gjeçovi, duke ndjekur gojëdhënat e duke bërë përqasjen dhe identifikimin e toponimeve të Biblës me to, arrin në disa përfundime tepër interesante.

Gojëdhëna thotë kështu: “I ndjekun Shën Vlashi prej salvuesve të krishtenimit, iku e u mshef në një shpellë për me pshtue prej mënisë së tyne”. Gjeçovi tani shpjegon se “Nja 20-30 hapa larg Kishet e për nën të, në ball të një shkrepi të gjallë, gjendet një shpellë e quejtun ‘Shpella e Shna Vlashit’. Aty deri vonë ka qenë varri i shenjtit me mbishkrimin: “Hic jacet corpus S. Blasii Episcopi et Martyris”.

Për ngjarjen e dytë, shkruan: “Në Zhejë të poshtër, pra, a si e thërrasin sot Ndërmollëza, kena kapelë (kishëz) të 40 Shejtenve Dëshmorë, ku, si vjeta-vjetë, mblidhet popull i madh, prej gjithkahnash, për me lutë ditën e këtyne shejtenve”.

Gjeçovi tani mundohet të lidhë historinë e martirizimit të Shën Vlashit të Armenisë me Shna Vlashin e Laçit, ku gjendet edhe shpella ku banonte shenjti, për t’u shpëtuar përndjekjeve e salvimeve të kohës në të cilën jetoi. Duke ndjekur zhvillimet e historisë së këtij shenjti vendës e duke identifikuar toponimet e historisë së vjetër, ai arrin në përfundimin se:

“Kah krahi verjak i Sebastes së Laçit kena katundin e Delbnishtit. Mbi këtë katund menjiherë fillon mali, që i thonë ‘Mali i Bardhë’… Vargu i ‘Malit të Bardhë’ asht i lidhun me malin e Djerrit të Selitës së Vogël, varg me mal të Prodanit e me malet e Zhejës. Vetë ‘Mali i Bardhë’ s’asht ma se një orë larg Shpellet të Sebastes. Në kohë të sundimit rroman kanë mujtë me ia njitun emnin ‘Arge’ i bardhë i ndriçëm, këtij vargu të maleve, sa mos me përdorë fjalën tonë barbare (?), a prej se u pengote gojën shqyptimi”.

Tani, në qoftë se Gjeçovi ka të drejtë, kurbinasit kanë tagër të krenohen jo vetëm sepse janë autoktonë në viset e tyre e pasardhës të ilirëve, por edhe pse janë themeli i krishterimit në Shqipëri.

Vrasjen barbare të Gjeçovit prej shovinistëve serbë, e përshkruan saktësisht atë Pashko Bardhi, bashkëvëllau, miku dhe shokut i tij ndër vite.

Mbasi patën kalue Drinin, tuj kalue nji prozhem, kje gjuejt me pushkë, e nji plum i rá në krye afër sŷnit të djathët. Atà dy vetë të pa armë, që ishin me A. Shtjefnin, ikën e, mbasì ky kje rrëxue per tokë, dy gjaksit duelen mballafaqe. Ishin dy vetë veshun si ushtarë, mbas gjase, shi njatà qi i kishin çue lajmin se e thirrte prefekti. Këta, mbasi e shanë A. Gjeçov me fjalë të poshtra, qitën edhè gjashtë herë në tè e e lanë dekun. Këjo punë ndolli me 14 Tetuer 1929 n’orën 3 mbas mjesditet. Ndonësè në rrethe të Prizrenit e të Gjakovës e dijn të gjith se kush janë gjaksit e A. Shtjefnit, me gjith këta na vjen keq, pse nuk rezulton qi atyne u ka hî ferrë në kâmbë për kët punë. Lajmi i vrasës s’ A. Shtjefnit theku zemrat e gjith Shqyptarvet, pse të gjith e patën dashtë e çmue si letrar të vjefshëm e atdhetár të flakët.”

Gjeçovi ngjason me rrapet e mëdhenj, që rriten ngadalë, jetojnë gjatë dhe nuk plaken shpejt. Sot këto lloj rrapesh i gjen vetëm ndër varreza, sepse vetëm atje kanë hapësirë të bollshme. Në zona të tjera janë zëvendësuar me “palma”!

Shkodër, më 22 korrik 2019

Gazeta Liberale

 

 

(Visited 39 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *