Krye

Giddens në 2013 në UET parashikonte pasojat e modernitetit njerëzor

               Publikuar në : 22:16 - 17/03/20 liberale

Gjithmonë trajektoren e rrugëtimit të njeriut e kanë shpjeguar mendjet e rëndësishme, të cilat gjithherë kanë treguar edhe pikat ku ajo rrezikon të kthehet pas, të bëjë përthyerje të forta apo nisë të gëlltisë veten duke zhdukur edhe gjurmët e ekzistencës së vet.

Epoka e tashme, ndoshta nga më dinamiket në histori, shihet nga shumë studiues si një kapërcyell dhe nga shumë të tjerë, si në fundin e saj.
Antony Giddens, një nga sociologët më me ndikim sot në botë, thotë se moderniteti është në fund. Për të, njeriu është në një moment shumë të veçantë: me të ecën paralelisht edhe mundësia e apokalipsit, por edhe mundësia e pavdekësisë. E ardhmja për të përfshin shumë të panjohura, ajo nuk mund të kontrollohet. Njeriu ka për detyrë të thyejë kundërshtitë mes optimizmit dhe pesimizmit.

Ai erdhi në Tiranë në vitin 2013 mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës Sociologu i famshëm, depërtuesi brilant në shpirtin e kohës, vëzhguesi i hollë i pulsimeve të shoqërisë së sotme, Antony Giddens ishte në Shqipëri me ftesë të UET prillin e 2013-s.

Universiteti Europian i Tiranës botoi librin e tij madhështor “Pasojat e Modernitetit”, i cili u promovua pas dhënies së titullit “Honoris Causa”.  Giddens e përdor të gjithë spektrin e teorisë sociale klasike dhe bashkëkohore si bazë në përpjekjen e tij madhore për rikonstruktimin e një teorie sociologjike.

Në veprën e tij “Pasojat e modernitetit”, Anthony Giddens jep një këndvështrim tejet tërheqës e të ri rreth natyrës së modernitetit, si dhe të marrëdhënieve të veçanta që ai arrin të krijojë me format shoqërore tradicionale. Pikëpamjet që shtjellon Giddens në këtë vepër mund të formulohen në këto pyetje dhe në përgjigjet e tyre respektive: Cila është origjina e modernitetit? Cila është natyra e modernitetit? Cilat janë pasojat e modernitetit? A është tejkaluar shoqëria moderne dhe a është zëvendësuar ajo nga një shoqëri postmoderne? Për të zhvilluar një përshkrim sa më të qenësishëm të natyrës së modernitetit, autori përqendrohet në temat e sigurisë versus rrezikut dhe të besimit versus riskut.

Për të, zhvillimi i institucioneve shoqërore moderne ka krijuar mundësi shumë më të mëdha tek qeniet njerëzore për të gëzuar një ekzistencë më të sigurt dhe jetesë më të vlerësueshme se në çdo lloj tjetër sistemi para-modern. Por moderniteti mbart, gjithashtu, edhe një anë të errët, e cila zë një vend të rëndësishëm në shekullin e tanishëm dhe që lidhet me natyrën periodike degraduese të veprave moderne industriale, me rritjen e totalitarizmit, kërcënimin për shkatërrimin e mjedisit dhe zhvillimet shqetësuese të fuqive ushtarake dhe armatimeve.

Sot, Giddens konsiderohet si një figurë e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe është shndërruar në një ikonë për shumë sociologë në mbarë botën; ndjekësit e mendimit të tij e konsiderojnë gjerësisht si një klasik të ri. Vlerësohet shumë për kritikën ndaj pozitivizmit në shkencat sociale dhe ndaj postmodernizmit, për rëndësinë që i kushton agjencisë sociale dhe për besimin në të ardhmen./Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back