Aktualitet

Programi i PD-së për Tiranën/ Gentian Muça: Do të jem zëri i sportistëve në bashki, pse zgjodha të jem krah Bejkos

Shkruar nga Liberale

Kandidati demokrat për Tiranën, Roland Bejko, në një takim me ekspertë të shëndetit dhe të sportit tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të ndotura në Europë dhe për këtë arsye kërkon ndërhyrje emergjente, ndërsa prezantoi edhe pikat konkrete të programit të tij për Tiranën.

“5 komplekse të reja sportive për të rinjtë, jo pallate! Sport card, ose karta e sportit për të rinjtë që nuk kanë mundësi ekonomike.

Ne kemi program konkret, jo premtime të parealizueshme” , theksoi Bejko në një shënim në Facebook pas takimit. Gjatë prezantimit të programit, krah tij qëndronte kapiteni i Tiranës, Gentian Muça të cilit Bejko i ka besuar një vend të rëndësishëm në listë për këshillin bashkiak të Tiranës, me qëllim që sporti të ketë zërin që meriton nën drejtimin e tij.

“Sigurisht e kam ndjekur me vëmendje programin e zotit Bejko përsa i përket asaj që ai do ti afrojë Tiranës me ardhjen e tij në krye të saj. Do ta nisja fjalën time me atë që kam thënë në vitin 2021, kur isha kandidat për deputet dhe ku roli i sportistit fatkeqësisht është përdorur më keq se ai i militantit, është përdorur për fushata elektorale dhe më pas gjithçka është harruar dhe sigurisht kjo është në dëm të sportistit” tha Gentian Muça.

“Dikush mund të thotë se të njëjtën gjë po bën edhe Partia Demoktatike. Përkundrazi PD ka vendosur që unë të jem zëri i saj në këshillin e ri bashkiak të Tiranës dhe të përcjell të gjitha problemet dhe shqetësimet që kanë të bëjnë me sportin në përgjithësi, dhe me futbollin në veçanti”.

“Unë identifikohem me ngjyrat bardheblu dhe identifikohen pjesë e këtij qyteti, që në lindjen time me të cilat jam rritur dhe kam kultivuar në karakterin tim. “Thembra e Akilit” do ta quaja unë, dhe ajo që kam vuajtur gjatë gjithë jetës sime janë terrenet sportive. Kur nisa futbollin ka pasur më shumë se 10 fusha sportive në Tiranë. Djemtë e ri sot mendojnë se atje te pallati i pionerëve ka pasur gjithmonë lokale. Por aty ka pasur fusha sportive që janë zëvendësuar me pallate”, theksoi Muça.

Kapiteni i Tiranës denoncoi zhdukjen e fushave dhe anekseve sportive edhe në zemër të Tiranës si te “Selman Stërmasi”, stadiumi kombëtar dhe fushat e Qytetit Studenti të cilat, tha se, nëse nuk janë kthyer në ndërtime, janë shndërruar në kullota për bagëti për shkak të mungesës së vizionit, interesave personalë apo talljes me sportin.

“Në një fushë futbolli stërviten rreth 300 deri në 350 fëmijë në ditë. Këto fëmijë duan minimumi 50 trajnerë. Edhe priindërit që do t’i shoqërojnë, pra futbolli imagjinoni se çfarë të mirash i sjell qytetit duke qenë se të rinjtë janë të prirur sot më tepër nga teknologjia dhe dembelizmi.”

“Nuk mjafton asnjë fushë, as 10 nuk mjaftojnë por mua më pëlqen slogani që ka zgjedhur zoti Bejko që këto 10 fusha dhe komplekse sportive do ti japin frymëmarrje qytetit tonë. Do të ishte një nisje e mirë edhe përsa i përket përmirësimit të shëndetit publik” tha Muça duke shtuar se obeziteti është një problem gjithnjë e më shumë që po prek të rinjtë për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe aktiviteteve sportive.

Kapiteni i Tiranës vuri në dukje gjithashtu rëndësinë që ka privatizimi i klubeve si rruga e duhur për zhvillimin e sportit dhe futbollit. Është e vetmja rrugë, tha ai për zbulimin dhe promovimin e talentit.

“Një fëmijë paguan 100 euro në muaj. Mua më duken pak por për familjet shqiptare është luks sepse i bie mesatarisht 1/4 ose 1/5 e të ardhurave të tyre.”

Gentian Muça tha se klubet e futbollit në Shqipëri duhet të kthehen sipas modelit europian dhe për këtë garantoi sportistët dhe votuesit se Roland Bejko ka vizionin e duhur për zhvillim.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH