Fati i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj mbetet mister. Është eliminuar nga kundërshtarët, apo është fshehur duke inskenuar gjithçka? Pikërisht me këtë temë është rikthyer këtë të enjte emisioni Opinion në ekranin e Tv Klan. Pjesë e panelit të gazetarëve ishte edhe gazetarja Klodiana Lala, e cila tha se të dyja opsionet janë të mundura. Ajo shpjegoi edhe arsyet përse.
“Do të them pse unë jam 50 me 50. Jam 50 me 50 duke njohur kapacitetin e Ervis Martinajt. Një djalë i shkolluar në Itali, baba i 4 fëmijëve, njeri i cili ruhej në mënyrë… kur unë e kam kontaktuar herën e fundit, në prani të një ish-deputeti të njohur dhe i kam kërkuar intervistë për të kuptuar balancat…”, tha gazetarja.
Moderatori i emisionit, Blendi Fevziu e pyeti se ç’donte ish-deputeti me të?
“Tani le ta sqarojë ish-deputeti, unë nuk do ia bëj kurrë publik emrin. S’kam për ta bërë se është sekret profesional dhe këtu mbaron”, tha Lala.
“E thashë këtë detaj për të thënë që ai është dëshmitari në bisedën që ne kemi bërë. I kam kërkuar intervistë, nuk ka pranuar. Nuk kam interes tha të ekspozohem në media, kam punët e mia, nuk jam përfshirë në histori të tilla, e të tjera me radhë… Duke njohur atë çfarë përbëhej si person. Një njeri që erdhi nga lojërat e fatit, një njeri që erdhi me mbështetje të forta në politikë, një njeri që erdhi me mbështetje të forta edhe nga bota e krimit dhe nga policia e shtetit, pra kishte lidhje shumë të forta, do të thotë që ai ka mundësinë dhe potencialin për të inskenuar ngjarjen. Nga ana tjetër është ajo që thotë kolegu Hoxha, duke parë numrin e madh të kundërshtarëve të cilët nuk janë dosido, por realisht janë bosët e krimit në këtë vend, sigurisht që ky është 50 përqindëshi tjetër që po patjetër njerëz që janë në arrati potencialisht mund të rrëmbehen dhe të vriten”, u shpreh gazetarja.