Aktualitet

Gati 8 milionë hektarë janë shndërruar në hi nga zjarret në Kanada, SHBA 'mbytet' nga tymi

Shkruar nga Liberale
Gati 8 milionë hektarë janë shndërruar në hi nga
Zjarret në Kanada vazhdojnë të dërgojnë tym në verilindje të SHBA-së, një episod i paprecedentë i ndotjes së ajrit që prek më shumë se 100 milionë amerikanë dhe një "kujtesë brutale e efekteve të ndryshimeve klimatike", sipas presidentit amerikan Joe Biden. Vonesat e fluturimeve për shkak të shikueshmërisë së dobët, anulimit të ngjarjeve në natyrë, mësimit në distancë: ndotja e ajrit ka një ndikim të prekshëm në jetën e amerikanëve. Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), më shumë se 111 milionë njerëz jetojnë në zonat ku janë lëshuar paralajmërime për cilësinë e ajrit, kryesisht në verilindje të SHBA. Ky rajon nuk është mësuar me këtë lloj ndotje, ndryshe nga shtetet perëndimore. Këtë vit, zjarre të mëdha shpërthyen në Quebec shumë më herët se zakonisht, dhe tymi prej tyre u dërgua në jug për shkak të kushteve të motit. Në kryeqytetin amerikan, Uashington, situata dje ishte më e keqe se të mërkurën, ku paralajmërimi për ndotjen e ajrit arriti në ngjyrë vjollce, përpara se të zbriste në të kuqe në orët e vona të pasdites. "Ngjarje shqetësuese" Shqetësimi ekziston kryesisht për shëndetin e personave më vulnerabël, siç janë të moshuarit, apo ata që vuajnë nga probleme të zemrës apo të frymëmarrjes. Në Nju Jork, ka pasur një rritje të pacientëve me sulme astme që kanë shkuar në dhomat e urgjencës së spitalit, tha një zëdhënës i shërbimeve shëndetësore të qytetit. Imazhet dramatike të Nju Jorkut në një re portokalli u publikuan dje, megjithëse qielli sot është më i pastër. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”, tha 65-vjeçarja Linda Giuliano, duke marrë një nga maskat e shpërndara për banorët e metropolit amerikan. “Më kujton 11 shtatorin kur shoh qiellin plot tym”, shtoi ajo, duke e cilësuar situatën alarmante. Kopshtet zoologjike në Uashington, Bronx dhe Central Park u mbyllën dhe nxënësit e shkollave publike të qytetit të Nju Jorkut do të qëndrojnë në shtëpi sot dhe do të marrin mësime në internet. Aeroportet në Nju Jork dhe Filadelfia po përjetojnë vonesa të fluturimeve për shkak të dukshmërisë së ulët, tha FAA. "Teoritë e konspiracionit" Ngrohja globale rrit shanset e zjarreve dhe intensitetin e tyre. Rritja e temperaturave, rritja e valëve të të nxehtit dhe reduktimi i reshjeve, janë kombinimi perfekt për shpërthimin e zjarreve. Megjithëse asnjë hulumtim nuk i ka lidhur zjarret që shpërthejnë në Quebec me ndryshimet klimatike, "kushtet që po shohim në Kanada janë në përputhje me paralajmërimet e ekspertëve," tha të enjten Stéphane Dizarique, një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Duke iu referuar tymit nga zjarret dhe përmbytjet e përsëritura në SHBA, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, kritikoi republikanët të cilët, sipas tij, "përqafojnë teori konspirative të kundërshtuara që mohojnë ekzistencën dhe natyrën e ndryshimeve klimatike". Zjarret "ekstreme". Me gati 8,000,000 hektarë të kthyer në hi nga zjarret, sipas autoriteteve kanadeze, Quebec po përballet me një ngjarje të paprecedentë. Që nga janari ka pasur dy herë më shumë zjarre sesa mesatarja për të njëjtën periudhë në dhjetë vitet e mëparshme. Mbi 150 zjarre ishin aktive në provincë dje, nga të cilat 90 ishin jashtë kontrollit. Në orët dhe ditët në vijim priten përforcime të reja nga SHBA, Franca, Portugalia. Situata mbetet alarmante në shumë zona, sipas Stephan Caron nga Shërbimi i Zjarrfikësve Pyjor: “Jemi vetëm në fillim të sezonit të zjarreve”. Në të njëjtën kohë, rreziku i shpërthimit të zjarreve të reja mbetet i lartë, vlerësojnë autoritetet kanadeze./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH