Editorial

Garancia e nesërme për një qeverisje demokratike

Shkruar nga Liberale
Garancia e nesërme për një qeverisje demokratike

Aleksandër Biberaj

Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq jo të vogël, pasi e ndodhur ndërmjet të ardhmes së panjohur dhe të shkuarës së një tranzicioni të tmerrshëm 30-vjeçar, po bëhet gati për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, fiks 30 vite pas zgjedhjeve të para pluralistë të 31 Marsit 1991.

Nëse e kemi sot një situatë të tillë shumë problematike me demokracinë, me shtetin e së drejtës si dhe me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, apo me ekonominë e tregut, e kemi për arsye të situatës në të cilën ndodhen partitë tona, të cilat fatkeqësisht gjatë këtyre 30 viteve kanë pësuar jo vetëm transformim dhe progres, por në shumë raste edhe regres. Shembulli më tipik është transformimi, degradimi dhe degjenerimi i plotë i Partisë Socialiste, që nga viti 2005, kur drejtimin e saj e mori Edi Rama.

Që nga ajo kohë kryetari i PS-së, i shndërruar tashmë në padrino, ka eliminuar zgjedhjet në parti duke mos pasur asnjë lloj votimi, gare, konkurrence apo rrotacion elitash ndërkohë që mandatin e tij e ka bërë të përjetshëm. Në parti nuk ka më asnjë lloj fryme debati, analize, llogaridhënie apo kritike (ndonëse PS ndodhet në pushtet prej 8 vitesh), janë shkrirë të gjitha forumet, dhe vetë partia është pastruar nga socialistët, pasi edhe emri i është ndërruar de facto nga PS në rilindje, edhe logo dhe ngjyra nga e kuqe në mavi. Sot po përmende PS apo  rilindje automatikisht nënkuptohet vetëm Edi Ramën, dhe po the Edi Rama nënkupton PS-në apo rilindjen, tamam siç thoshte Majakovski përpara një shekulli se “kur themi partia nënkuptojmë Lenini, dhe kur themi Lenini nënkuptojmë partia”.

I gjithë mundi, djersa, kontributi dhe puna e socialistëve të vërtetë për ta transformuar dhe reformuar PS-në nga viti 1991 deri në vitin 2005 u shumëzua me zero nga Edi Rama, dhe më e keqja nuk ndalon as mbaron këtu, pasi gjithçka që ndodhi me PS-në e Edi Ramës, u pasqyruar fatkeqësisht në qeverisjen e vendit. Atë që bëri Edi në parti si kryetar i saj në opozitë 2005-2013, dhe vazhdon ta bëjë edhe sot, atë ka 8 vite që bën si kryeministër.

Ashtu sic ishte në parti i pakontrollueshëm dhe pa asnjë lloj llogari-dhënie, ashtu u bë edhe si kryeministër në qeveri, duke i sjell vendit një kosto dhe një dëm të pallogaritshëm, me efekte shkatërruese afat-gjata. Rezultati sot, nuk ka më PS por një sekt kriminal që quhet rilindje, dhe sot në Shqipëri nuk ka asgjëkund gjurmë të shtetit të së drejtës, por vetëm hije të një shteti tribal, të pa-aftë, të korruptuar dhe të inkriminuar kokë e këmbë, që punon natë e ditë kundër interesave të popullit dhe kombit të vet, pasi punon vetëm për një grusht mafiozësh që kanë marrë të gjitha pasuritë kombëtare dhe ato publike nën kontroll, si dhe buxhetin e shtetit dhe financat publike. Sot shteti i Edi Ramës është inekzistent, i falimentuar dhe i gjunjëzuar përpara krimit.

Fatmirësisht e kundërta ka ndodhur me Partinë Demokratike, e cila ndonëse pësoi një humbje dërmuese në zgjedhjet e vitit 2103 dhe ndryshoi komplet lidershipin, arriti që gradualisht të maturohej, të mësohej me statusin e të qenurit në opozitë, si dhe të akomodohej me lidershipin dhe ekipin e ri drejtues. Në PD ka një frymë demokratike, ka seriozitet, nuk ka kult individi por frymë grupi. Ka votime në parti, ka garë, ka konkurrencë dhe respektohen forumet. Puna në PD po mbështetet në eksperiencat më të mira të CDU-së gjermane, Konservatorëve Britanikë si dhe Institutit Republikan Amerikan (Partia Republikane). Ka një frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimi me çdo faktor opozitar, parti, shoqatë, grup interesi apo individ.

Ka debate, analiza dhe kritika. Të gjitha këto janë premisa për një model komplet tjetër qeverisës. Edhe vetë faza e përzgjedhjes së kandidatëv për deputet është tregues i respektimit të vullnetit të anëtarësisë dhe i pjesëmarrjes së tyre në demokracinë direkte në PD, por edhe i respektimit të vlerave, personalitetit, dinjitetit, kontributit të gjithsecilit. Po krijohet një baze të dhënash hierarkike, që ka shumë rëndësi për qeverisjen e nesërme, për t’u bazuar në zgjedhje të konsoliduara, profesioniste dhe të studiuara dhe jo në zgjedhje të rastit apo klientelist të burimeve njerëzore. Po punohet për të pasur një program realist elektoral, që vënë theksin tek plaga më e madhe që kemi ne sot si shoqëri, gjendja ekonomike.

Pra situata e sotme në PD dhe kjo PD japin shpresë dhe besim, se nesër në qeverisje, PD do të reflektojë pozitivitet, seriozitet, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, duke sjellë një model komplet të kundërt me modelin aktual të Edi Ramës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH