Kryesore

Gabimi tematik i Fevziut, ose sa ujë mban pilafi?

               Publikuar në : 11:10 - 11/05/19 E Liberale

Klementin Mile

Ku gabon Blendi Fevziu, ndërsa për të disatën javë rresht, i fokuson të enjtet e debatit politik të emisionit “Opinion” në tema të kronikës së zezë si “grabitja e Rinasit” (dy herë rresht), tema historiko-nostalgjike si “Enver Hoxha” dhe tema rajonalo-ekzotike si “Hashim Thaçi”?

Tema si ato të mësipërmet, sigurisht, kanë rëndësinë e tyre. Dhe me siguri në publikun shqiptar mund të gjesh njerëz të interesuar edhe për kronikën, edhe për historinë, edhe për rajonin. Por, nga ana tjetër, këto tema ose nuk janë urgjente për t’i trajtuar tani, siç është rasti me temën për “Enverin”, ose nuk ka nevojë të trajtohen me kaq shumë hollësi, si në rastin e temës së trajtuar dy herë për “Rinasin”, ose nuk shkojnë në thelbin e çështjes, si në rastin e temës për “Hashimin”.

Fevziu, si gazetar i vjetër, i sprovuar dhe shumë i njohur, me siguri i kupton këto gjëra. Por edhe po të mos kishte sy për t’i parë, ai me siguri do të arrinte ta dallonte emigrimin e përkohshëm të disa analistëve të përhershëm të emisionit të tij, në emisione politike të tjera të së enjtes mbrëma. Emisioni “Opinion”, pa dyshim, është më prestigjiozi ndër to; andaj emigrimi i analistëve prej tij duhet të ketë pasur arsye të forta.

Analistët e emigruar prej “Opinionit”, në fakt, kanë ikur prej “Hashimit” te “protesta e opozitës”, prej “Enverit” te “zgjidhja e krizës politike”, prej “Rinasit” te “qëndrimi i mazhorancës”. Ata kanë ikur për shkak të temës dhe, me siguri, do të rikthehen në “Opinion” kur aty të rikthehen temat politike me rëndësi parësore.

Me gjithë respektin për kontributin e “Rinasit” (dy herë), “Enverit” dhe “Hashimit” në debatin politik të vendit, këto tema i kalojnë tangjent thelbit të situatës politike të vendit. Ato janë të diskutueshme politikisht si çështje rendi, çështje drejtësie historike dhe çështje të politikës së jashtme; por thelbi i situatës politike të vendit nuk është te politikat e qeverisë dhe as te kritikat e opozitës ndaj tyre.

Sot, qeveria dhe opozita nuk janë thjesht në dy anët e ndryshme të një polemike normale për qeverisjen, por njëra (qeveria) është brenda institucioneve themelore të shtetit dhe tjetra (opozita) ka dalë në rrugë dhe i është bashkuar popullit. Me largimin e opozitës nga parlamenti, praktikisht, sistemi demokratik që karakterizohet në thelbin e tij nga qeveria dhe opozita, ka marrë fund. Tashmë ekziston vetëm qeveria dhe populli.

Kjo është një krizë e jashtëzakonshme për sistemin, çka është e pamundur të mos e kuptojë një gazetar i vjetër, i sprovuar dhe shumë i njohur si Fevziu. Përpos të qenët gazetar, ai është edhe publicist i njohur, pra ka lexuar dhe vazhdon të lexojë literaturë teorike, e kjo na e heq çdo dyshim se ai mund të jetë duke mos e kuptuar thelbin e situatës politike të vendit.

Po atëherë, si ta shpjegojmë mungesën e temave politike që kapin thelbin e situatës në emisionin e Fevziut? A mos është çështje shikueshmërie? Flitet që Fevziu ka një lloj matësi të audiencës dhe rri me të në dorë gjatë gjithë kohës që zgjat emisioni. Por edhe nëse pranojmë ethet e Fevziut për sa më shumë audiencë, a ka gjasa që kjo të vijë prej “Rinasit” (dy herë), “Enverit” dhe “Hashimit”?!

Fevziu është gazetar i vjetër, i sprovuar dhe shumë i njohur për të pasur iluzione të tilla. Ai e di që njerëzit, për hir të prestigjit të emisionit të tij, shohin njëherë çfarë po trajton aty, por pastaj, të çuditur nga tema, ose ndryshojnë kanal ose e lënë aty, por pa e dëgjuar me vëmendje. Ai e di që në këtë mënyrë emisioni “Opinion” humbet audiencë, humbet pikërisht atë pjesë të publikut që është e interesuar për pozicionimet e palëve në krizën politike dhe për mënyrën e zgjidhjes së saj.

Fevziu, në fakt, është duke bërë një shërbim të madh. Por jo interesit publik. As medias ku punon. As medias në përgjithësi. Ai është duke i shërbyer qeverisë që të mos flitet për krizën politike në platformën televizive më të ndjekur nga shqiptarët. Në emisionin “Opinion” këto kohë mund të flitet për “Rinasin”, “Enverin”, “Hashimin”, “fallin” dhe “ushqimin”, por kurrsesi për “qeverinë tranzitore”, “opozitën e re”, “protestat” dhe “zgjedhjet”.

Pas daljes nga parlamenti të opozitës, mazhoranca mori vendimin për të mos nxjerrë në debatet televizive përfaqësues të saj kundër atyre të opozitës. Në të njëjtën kohë, Fevziu filloi t’i zëvendësojë temat politike thelbësore të “Opinionit” me tema ekzotike, historike dhe rajonale. Të ketë qenë vallë koincidencë?

Fevziu nuk duhet nënvlerësuar asnjëherë dhe nga askush. Ai është gazetar i vjetër, i sprovuar dhe shumë i njohur. Vështirë të gjesh koincidenca në punën e tij./ Gazeta Liberale

(Visited 4 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *