Kryesore

Fushatë e përgjakur 

               Publikuar në : 10:18 - 22/04/21 liberale

Një muaj pas përplasjes gjatë Ditës së Verës, Elbasani bëhet sërish epiqendra e tensionit të fushatës elektorale. Një njeri mbeti i vrarë nga një përleshje me armë zjarri ditën e djeshme ndërsa katër të tjerë u plagosën. Si viktima, ashtu edhe autori kishin lidhje me partitë politike. Palët kanë akuzuar njëra- tjetrën, ndërsa ambasadat e huaja u bënë thirrje Metës, Ramës dhe Bashës për vetëpërmbajtje

Përplasja gjatë Ditës së Verës mes simpatizantëve partiakë në Elbasan, paralajmëroi se fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit nuk do të ishte e qetë. Policia shoqëroi disa prej personave që u përfshinë në incident, ndërsa ngjarja do t’ua linte vendin të tjerave.

Po në qarkun e Elbasanit, një kandidat për deputet i PD-së do të konfrontohej fizikisht me një biznesmen në zone. Pak ditë më parë një tjetër ngjarje do ta trondiste fushatën në Kavajë, ku mbeti i plagosur sekretari i degës së PD-së në qytet. Por ajo që do ta përgjakte fushatën vetëm pak ditë para së dielës së votimeve ishte vrasja në Elbasan e Pjerin Xhuvanit, i përfshirë në politikë deri më 2015-n në radhët e LSI-së dhe plagosja e katër të tjerëve, ndër ta edhe një efektive policie.

Autori i ngjarjes, një ish-efektiv i RENEA-s u dorëzua tek forcat e rendit, duke e pranuar krimin por duke rrëfyer se kishte ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Autori, Arbër Paplekaj pretendohet të ketë qenë pjesë e shtabit elektoral të kandidatit demokrat në qark, Gazment Bardhi. Ky i fundit, i cili ndodhej aty për një takim elektoral, denoncoi pak minuta më pas para mediave dhe policisë që ndodhej në vendngjarje mbi një automjet të mbushur me para dhe karta identiteti.

Vetë autori ka pranuar se ndodheshin në vendngjarje për të ndaluar automjetin që shpërndante para, ndonëse ai nuk ishte aktualisht pjesë e forcave të policisë.

Pak më herët se të ndodhte ngjarja, PD kishte ngritur dyshime mbi një automjet pa targa që jepte para në këmbim të votës. Bardhi denoncoi se kjo ndodhte nga shtabi elektoral i Taulant Ballës, edhe ai kandidat për deputeti i PS-së në qarkun e Elbasanit.

Policia gjendej në terren pasi ishte sinjalizuar për një konflikt, megjithatë nuk ka mundur dot ta shmangë fatalitetin që përfundoi në vrasjen e Xhuvanit, me profesion mjek psikiatër dhe katër personave të tjerë.

Edhe deputeti socialist, Taulant Balla do të reagonte pas ngjarjes, duke bërë direkt fajtor për të  PD-në dhe presidentin Meta “…që nga dita e verës dhe për të ardhur deri këtu ku ka humbur jetën një qytetar i Elbasanit dhe është plagosur një punonjëse e policisë”, është shprehur Balla duke ftuar autoritetet të hetojnë dhe të çojnë para drejtësisë autorin, por edhe porositësit.

Nga fotot të cilat qarkulluan në media nga ngjarja e 14 marsit në Elbasan, Pjerin Xhuvani kishte qenë i përfshirë në përplasjen mes simpatizantëve të PS dhe PD, ndërsa dy liderët kishin planifikuar vizitën në të njëjtën orë.

Ngjarja jehoi menjëherë, ndërsa reagimet pasuan me presidentin Meta, kryeministrin, kreun e PD-së dhe diplomatët e huaj.

Edhe Meta akuzoi Taulant Ballën, ndërsa tha se policia në Elbasan bëhet palë mes grupimeve rivale.

“Ftoj organet ligjzbatuese të shkëpusin çdo kontakt apo preferencë partiake. Do mbajnë përgjegjësi. Vendi mbi të gjitha nuk ka nevojë për asnjë lloj cenimi të standardeve zgjedhore”, do të deklaronte presidenti, i cili pak më vonë do të thoshte se ishte përpjekje për të frikësuar qytetarët.

“Dihet që Elbasani ka qenë dhe mbetet së bashku me Durrësin dy nga qarqet më problematike. Kandidatë të dosjes së Shijakut dhe të Dibrës janë përsëri kandidatë. Ajo që është shqetësuese në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore që janë denoncuar i takojnë këtij qarku”, deklaroi kreu i shtetit nga Fieri, ndërsa e quajti  prokurorinë si të njëanshme.

Presidenti akuzoi maxhorancën se kishte shkelur marrëveshjen e 5 qershorit, ku Këshilli Politik ra dakord mbi Reformën Zgjedhore, vitin e kaluar.

Meta, i cili gjithashtu reagoi për ngjarjen e Kavajës ku mbeti i plagosur sekretari i PD-së dhe madje shkoi në vendngjarje duke hedhur akuza se ishte bërë nga shtabi elektoral i PS-së, ndërsa ftoi policinë dhe SPAK të hetonin për ngjarjen. “Të jetë gjaku i fundit për zgjedhjet”, deklaroi Meta pak ditë më parë nga Kavaja.

Nga Durrësi, kreu i PD-së do të shprehej se PD e refuzon dhunën, por “ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim”.

Mbi ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin pak ditë para zgjedhjeve reagoi edhe kryeministri Rama. “Dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!”, shkruante  kreu i qeverisë në rrjetet sociale.

Për ngjarjen kanë reaguar  edhe diplomatët e huaj në vendin tonë. Vetëm tre ditë më parë, ambasadori i BE-së , i Gjermanisë dhe ambasadorja  e  Francës. Vizita kishte qëllim adresimin e shqetësimeve mbi shitblerjen e votës dhe intimidimin e qytetarëve, ku Soreca theksoi se ishin vepra penale.

Dje, Përfaqësia e BE-së në Tiranë bëri thirrje për hetim të shpejtë të ngjarjes nga autoritetet. “…dhe duhet të bëhet qartësi në lidhje me përgjegjësitë dhe të ndiqet në tërësi. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës inflamatore dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”, deklaroi ambasada e BE.

Ambasada e ShBA-së ndërkohë u bëri thirrje presidentit, kryeministrit dhe kreut të PD-së për vetëpërmbajtje. “Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën”, thuhej në njoftim, ndërsa bëhej e ditur se  Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër.

Kandidati socialist, Taulant Balla i cili renditet i teti në listë për qarkun e Elbasanit do të deklaronte dje- duke akuzuar opozitën dhe presidentin – se në çdo cep të Shqipërisë kanë zbarkuar grupe paramilitare. Nga ana tjetër, PD denoncon orvatjet e socialistëve për shitblerje të votës, ndërsa sipas tyre një automjet në qytet ishte i mbushur me para dhe karta identiteti. Qyteti do të kthehej edhe njëherë në arenë përleshjeje.  Por kësaj here jo me zënka mes militantësh partiakë gjatë një feste zyrtare, por me pasoja tragjike në humbje jete dhe plagosjen e disa të tjerëve në mes të ditës, në një nga qytetet e rëndësishme të vendit e po aq edhe qark i rëndësishëm politikisht. I ngjashëm me duelet në Perëndimin e Egër, ku sipas dëshmisë së vetë autorit ka pasur të shtëna edhe nga pala tjetër, nga Klement Xhaferi, i shpallur në kërkim. Duket se edhe politika ka vendosur t’i zgjidhë çështjet me vetëgjyqësi në këto ditë tensioni para zgjedhjeve, pa pritur organet ligjzbatuese.

Ambasada Amerikane thirrje Metës, Ramës e Bashës për vetëpërmbajtje

Ambasada Amerikane ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku u qëllua për vdekje Pjerin Xhuvani.

Ambasada bën thirrje që incidenti të hetohet sa më shpejt. Po ashtu, ambasada i bën thirrje presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha për vetëpërmbajtje.

Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit.

Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen. Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër.

Pjerin Xhuvani: Postet dënimi, kalimi nga PDK-ja, LSI, PDIU dhe në fund PS

Emri i Pjerin Xhuvanit, i cili u ekzekutua sot në Elbasan, u lakua në publik për herë të parë në qershor të 2015, pasi u ndalua i dyshuar si pjesë e një skeme të mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve, gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, me vlerë rreth 500 mijë euro. Xhuvani mbante postin e drejtorit në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, i propozuar nga LSI-ja. Në atë kohë, Xhuvani ishte kryetar i LSI-së në Elbasan. Para pozicionit si drejtori i Fondit, Xhuvani kishe qenë Drejtor i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, gjithashtu si përfaqësues i LSI-së. Para pozicioneve drejtuese, Xhuvani ka ushtruar profesionin e mjekut psikiatër.

Fillimisht, Pjerin Xhuvani ka qenë pjesë e Partisë Demokristiane të Nard Ndokës. Ai kaloi nga PDK-ja tek LSI-ja në vitin 2009, madje ishte edhe kandidat për deputet i LSI-së, në Elbasan, në zgjedhjet e 2009, i renditur i dyti në listë. Disa ditë pas ndalimit në qershor të 2015, LSI-ja, përmes një konference për shtyp, njoftoi shkarkimin e Xhuvanit si kryetar i degës në Elbasan dhe komandimin në vend të tij të Edmond Haxhinastos. Dy javë më pas, Gjykata e Apelit në Tiranë e liroi Xhuvanin nga qelia, duke vazhduar procesin në arrest shtëpie. Në korrik të vitit 2016, gjykata e  dënoi Xhuvanin me 3 vjet burg për “shpërdorim të detyrës. Atij iu hoq e drejta për ushtrim të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.

Nga vera e vitit 2015, Xhuvani nisi të largohej nga LSI-ja. Në vitin 2017, Xhuvani ishte pjesë e PDIU-së Elbasan. Muajt  e fundit, Xhuvani nisi të afrohej me Partinë Socialiste, ku për shkak të peshës së tij elektorale, krijoi shqetësim tek PD dhe LSI. Ditën e Verës, në 14 mars 2021, 56-vjeçari Pjerin Xhuvani, ishte një nga personat e akuzuar nga Partia Demokratike për përplasjen që ndodhi në këtë qytet, mes militantëve të të dy kampeve. Gazment Bardhi e akuzoi si një ndër organizatorët e përplasjeve, por mësohet se Xhuvani është futur në turmë pasi aty ishte edhe dhëndri i tij./Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back