Aktualitet

Furnizimet e reja të bulmetit, çmime deri në 37% më të larta! Reagon Autoriteti i Konkurrencës: Jemi në terren, po monitorojmë

Shkruar nga Liberale
Furnizimet e reja të bulmetit, çmime deri në 37% më

Furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta. Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, thotë se grupet e punës nga institucioni që ai drejton kanë zbritur në terren dhe ka nisur kontrollet nëse kemi të bëjmë me abuzim.

Megjithëse në tregun e lirë, pra aty ku supozojmë se operon prodhuesi dhe në rastin konkret blegtori, është tregu ai që përcakton çmimin. Abuzimi me cilësinë dhe marrëveshjet mes kompanive grumbulluese që kontrollojnë tregun, për të ngritur artificialisht çmimin, janë ato që duhet të kontrollohen dhe parandalohen nga autoritetet ligjzbatuese.

Njoftim i Autoritetet të Konkurrencës

“Për monitorimin e tregut të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të qumështit”.

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga  data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.

Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.

Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH