Economicus

Fuqia prapavepruese e ligjit penal

Shkruar nga Liberale
Fuqia prapavepruese e ligjit penal

Ama Kraja

Kur flasim për fuqinë prapavepruese të ligjit nuk flasim vetëm për ndalimin e saj. Krahas ndalimit qëndron edhe një parim po kaq thelbësor – ai i fuqisë prapavepruese favorizuese të ligjit që në literaturën juridike e gjejmë me terma të ndryshme të latinishtes si p.sh., “lex retro agit in mitius” apo parimi “in mitius”, “lex mitior” apo prapaveprimi i ligjit penal “in bonam partem”. Me të kuptojmë se fuqia prapavepruese e ligjit do të pranohet atëherë kur ligji i ri është më i favorshëm për autorin e veprës, sesa ligji që ishte në fuqi në kohën kur vepra është kryer, qoftë kjo sepse sanksioni është më i lehtë, apo qoftë sepse figura penale nuk ndalohet më nga ligji i ri. Siç shihet, ai përbën një përjashtim nga urdhërimi i moszbatimit të fuqisë prapavepruese. Megjithatë, ai pranohet si një parim me peshë të veçantë në fushën e drejtësisë dhe të humanizmit. Pikërisht për këtë nocion do të flitet në këtë punim. Së pari, do të përmendet vendi që zë ky parim në aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Së dyti, do të diskutohet mbi praktikën e gjykatave shqiptare në këtë drejtim (në veçanti mbi Vendimin Unifikues nr. 4, datë 27.03.2003 të Gjykatës së Lartë) duke e parë atë në lidhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane si dhe duke bërë një vështrim krahasues me dispozitat penale të vendeve të tjera në këtë drejtim. Zhvillim Ashtu si urdhërimi i ndalimit të fuqisë prapavepruese, edhe parimi i zbatimit të ligjit penal favorizues gjen vend në aktet dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ai sanksionohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut (neni 11), në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (neni 15), në Deklaratën Amerikane të të Drejtave dhe Detyrimeve të Njeriut (neni 25) si dhe në Kartën Afrikane mbi të Drejtat e Njeriut dhe Popujve(neni 2). Si një nga rregullat bazë të parimit të sigurisë juridike dhe përpjesëtueshmërisë së veprave dhe dënimeve penale, që prej vitit 2000 ai është pjesë edhe e Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (neni 49). Ndryshe nga aktet e mësipërme, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut parashikon ndalimin e fuqisë prapavepruese në nenin 7 të saj, por ajo nuk e përmend në asnjë moment parimin e ligjit favorizues. Duhet thënë se që në vendimet e saj të para në lidhje me nenin 7, Gjykata Evropiane ka mbajtur një qëndrim konstant dhe tradicional për prapaveprimin e ligjit favorizues. Kështu, ajo është shprehur në mënyrë të përsëritur se parimi “in mitius” nuk sanksionohet nga neni 7 i Konventës. Ky arsyetim del mjaft qartë edhe në çështjen X. kundër Gjermanisë, ku ankimi i kërkuesit u rrëzua me argumentin se përmbajtja e nenit 7 nuk e përfshinte parimin “in mitius”. Por, gjithçka ndryshoi në shtator të vitit 2009, me vendimin e Dhomës së Madhe, për çështjen Scoppola kundër Italisë (no.2). Gjykata bën një kthesë të madhe në qëndrimin e saj. Ajo pranon se, nën ndikimin e frymës së akteve të tjera ndërkombëtare dhe legjislacioneve të brendshme të shumë shteteve, të cilat e parashikojnë parimin e ligjit favorizues, neni 7 i Konventës e garanton atë krahas urdhërimit të ndalimit të fuqisë prapavepruese të ligjit. Sipas Gjykatës, është thelbësore që Konventa të interpretohet dhe të zbatohet në një mënyrë që i bën të drejtat e saj praktike dhe efektive, dhe jo teorike dhe iluzive. Duke pasur parasysh këtë pohim, ajo arrin në përfundimet e mëposhtme: “Gjykata vlerëson se që nga koha kur Komisioni ka dhënë vendimin X kundër Gjermanisë ka kaluar një kohë e gjatë dhe gjatë kësaj kohe kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Në mënyrë të veçantë, përveç hyrjes në fuqi të Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut, neni 9 i të cilës garanton fuqinë prapavepruese të ligjit duke parashikuar një ndëshkim më të lehtë, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi pas kryerjes së veprës së caktuar (…), duhet të përmendet edhe shpallja e Kartës së Bashkimit Evropian mbi të Drejtat Themelore…Së fundmi, zbatimit i ligjit penal favorizues u rregullua dhe në Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale si dhe u konfirmua nga jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të ish- Jugosllavisë. Gjykata vlerëson se që nga koha kur Komisioni ka dhënë vendimin X kundër Gjermanisë, dalëngadalë në Evropë dhe në nivel ndërkombëtar, ka filluar të mbizotërojë një frymë mirëkuptimi që zbatimi i ligjit penal më të favorshëm, kur ky ka hyrë në fuqi pas kryerjes së veprës, është bërë një parim themelor i të drejtës penale. Në kuadër të vlerësimeve të mësipërme, gjykata mendon se është e nevojshme që të distancohemi nga jurisprudenca e Komisionit në çështjen X kundër Gjermanisë dhe të pohojmë se neni 7, paragrafi 1 i Konventës garanton jo vetëm parimin e moszbatimit të fuqisë prapavepruese të ligjeve penale të rrepta, por edhe pa dyshim parimin e fuqisë prapavepruese të ligjit penal favorizues.” Ky qëndrim i Gjykatës Evropiane shkon në unison, ndërmjet të tjerash, edhe me nenin 15, paragrafi 1 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, të ratifikuar edhe nga Shqipëria, i cili thotë: “Neni 15.1.

...Në qoftë se më vonë, pas kryerjes së veprës, ligji parashikon një dënim më të lehtë, keqbërësi duhet të përfitojë nga kjo.” Si fuqia prapavepruese ndaluese, ashtu edhe ajo lejuese reflektohen edhe në legjislacionin shqiptar. Ato gjenden së pari në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe së dyti në ato të Kodit Penal.

Në veçanti, fuqia e ligjit penal favorizues parashikohet nga paragrafi 3 i nenit 29 të Kushtetutës i cili thotë se “Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese”. Më tej, ky rregull specifikohet nga paragrafi 2 dhe 3 i po këtij neni, në Kodin Penal. “Neni 3 – Veprimi në kohë i ligjit penal ... 2. Ligji i ri që nuk dënon veprën penale ka fuqi prapavepruese. Në rast se personi është dënuar, ekzekutimi i dënimit nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, pushon. 3. Kur ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj, dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale.” Kështu, paragrafi 2 parashikon një rast specifik kur ligji i ri nuk e dënon veprën penale për të cilën personi është akuzuar apo dënuar përpara hyrjes në fuqi të tij. Në këtë rast, nëse ndaj personit ka filluar një procedim penal, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, procedimi do të pushojë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me fazën e ekzekutimit të vendimit. Neni shprehet qartë dhe përcakton se nëse personi është dënuar ekzekutimi nuk fillon, ndërkohë që nëse tashmë ai ka nisur zbatimin e tij, do të pushojë. Ndërkohë që përmbajtja e paragrafit 2 të nenit 3, është relativisht e qartë për ta vënë atë në zbatim, ndryshe qëndron çështja me tekstin e paragrafit 3.

Për të zbërthyer kuptimin e paragrafit 3 të nenit 3 të Kodit Penal, Gjykata i është referuar frymës së nenit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe nenit 29/3 të Kushtetutës së Republikës. Interpretimi që i bën Gjykata e Lartë paragrafit 3 të nenit 3, është se “në rastet kur ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, është më i disfavorshëm se ligji që është në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes penale në ngarkim të personit që e ka kryer atë, gjykatat detyrohen të zbatojnë këtë të dytin d.m.th. ligjin e mëvonshëm, i cili është në fuqi në kohën e gjykimit të çështjes.” Duke marrë një shembull praktik këtë pohim mund ta zbërthejmë si më poshtë: Nëse një person në dhjetor të vitit 2000 gjykohej për vjedhje me pasojë vdekjen, sipas cilësimit të bërë në bazë të dispozitës së nenit 141 të Kodit të asaj kohe, ai pritej të dënohej me sanksionin maksimal të parashikuar, pra, me dënimin kapital me vdekje. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të Kodit Penal (Ligji 8733, datë 24.1.2001) sanksioni maksimal që kërkohej për këtë vepër nuk ishte më dënimi me vdekje, por burgim i përjetshëm. Kështu, gjykata nuk mund të vazhdojë gjykimin me të njëjtën masë dënimi. Për dënimin e personit do të veprojë fuqia prapavepruese favorizuese e ligjit penal, dhe do të zbatohet masa e re e dënimit. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH