Aktualitet

Fugim

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Hajat Meqemeja u shtriq në dhomën e tij të errët krejt i palumtur, teksa dëgjonte se edhe pak çaste e ndanin nga një lajm i madh për bashkombasit e tij, që  merrnin një status të ashtuquajtur vend kandidat për në BE.

– Çfarë lajmi idiot! – tha me vete, dhe u kthye vrik nga tavolina e shkrimit: vuri duart në trup dhe kuptoi që ishte po ai, i patjetërsuar, dhe, për rihyrjen në kohën reale falënderoi Zotin me pak zë. Kishte kohë që jetonte paralel, në kllapinë mes realitetit dhe jetës së tij të zgjedhur, krijimtarisë. Njerëzit i dukeshin si njësi a forma të parafabrikuara.

– Si atëherë kur mbruhej njeriu i ri!

Ndjeu një dashuri të pazakontë për veten dhe u mallëngjye: faktin e thjeshtë që modelin e dijes dhe lirisë e kish blerë me një çmim të lartë; që kur Zoti e la mbi dhè, e bëri udhë mbi tokë. Jeta e tij ishte një sfidë e hapur, si diçka pa forma ndërmjetëse; diçka e lindur si dhuratë. Nuk ishte në sfidë me mbijetesën. Ky term iu duk i pakrahasueshëm, korruptues bile; e kishte hedhur në koshin e plehrave.

Prapë në të njëjtin stil mendoi me vete. Të gjithë të rreshtuar nga ideja e palosjes në rresht të ideve komunitare kush e di se për çfarë arsyesh nga ato që mbilleshin lart në kokat e mbrujtjes të këtyre skalioneve që sundonin shumicat. I erdh neveri se si turmat ishin kaq pa tru e kohë pa kohë kërkonin në njëfarë mënyre të robëroheshin nga të tilla kopsitje që psoniste politika e hapjes me demek. Ishte bërë një skeptik i pandreqshëm si shtysë e ngurrtë e pushtetit të sapokaluar në vendin e tij. Nuk besonte më në forma dhe grupime besonte te gjenia e Qenies si një dritë që do orientonte libidon e tij dhe të qenit i pavarur nga askush tashmë veç se gjërave të vërteta që besonte thellësisht.

Hajat Meqemeja jetonte me veten, si një realitet i mbivendosur me kohën reale, ose si i vetëprojektuar në një mikrobotë fantastike; një hapësirë ku nuk hahet, nuk flihet dhe nuk ndodhin përsëritje zdërhallëse të përditshmërisë. Me gjasë, kur nuk urinohet e nuk jashtëqitet, veçse dallohet në kohë të shquar gjenialiteti të mbarsur në lavdi të padukshme. E vetmja shtëpi e  banuar hapur për të është përjetimi si formë e lartë, ku ai gjen vetërealizimin. Një pengesë vertikale e vetëdijes, e ngjashme me strukturat nëpër teoritë e metafizikës.

E gjithë atmosfera e xhamtë gjarpëron në pjacën e qytetit të skajit verior, ku turmat e përsëritura kryenin xhiron e mbrëmjes, ngjashëm me një arkitekturë të rëndë, që ndryshonte si një formë e ngadaltë në strukturën e saj. Lindjet dhe vdekjet bënin të mundur pakësimin e saj, dhe në të kundërt shumimin e papritur me njerëz të rinj, që hynin në rreshtin e xhiros së darkës pa u ndjerë, duke ruajtur ngeshëm njëtrajtshmërinë e ngadaltë. Një ritual i ngeshëm dhe i vetëmjaftuar  në pandryshueshmërinë e saj morboze.

Turma, struktura dominuese e shëmbëllimit të shtuar, që nuk reshte kurrë duke lypur pambarimshëm shtjellën e saj në çdo ditë të lume, me një solidaritet të pashkruar kund dhe me një ngadalësi të avashtë si prej një bote të përtejme.

Turma e xhiros së darkës qe një nga lumturitë e trashëguara mes njerëzve, si një rit i strukturuar në trajtë muri njerëzor; një shinë e heshtur e parakalimit të njerëzisë, e trashëguar, që ruante afërsisht peshën e pandryshueshme në strukturë dhe tone të unifikuara; e vetme, e anashvendosur dhe e përjetshme në mbaresat e kujtesës kolektive. Një shkëmbim  vrojtimesh si në një paradë pa zë të autokontrollit të heshtur. Zgjim me shumë enigma të trashëguara dhe me një kuriozitet të përhershëm, në ngulm dhe njëtrajtësi. Lëvizjet e individëve në formë shtëllunge homogjene ruanin qetësinë e shtrirë të një force të padukshme, por të rënë në ujdi. E pamundur të tronditej kollaj nga cilado arsye e pjesshme; ose e një niveli disi përjashtë po ta përfytyrojmë si një ngjarje të madhe, si dhe forma të tjera të prishjes së rregullit në masë.

Për çudinë e tij, gjithnjë i është dukur se për shkak të këtij solidariteti të grumbulluar, të heshtur në krye, ndante një vijë horizonti pa fillim e pa fund, si një fjongo mbyllëse që e krijonte vetë turma, ose fillimi i fundit në krye të një ëndërrimi kolektiv,krejt abstrakt.

Kish parë e shijuar në rrethana të ndryshme, se si grupime njerëzish në mungesë lirie, të kufizuar, grupe që ndillnin solidaritet në një marrëveshje në ndarjen e hapësirave të ngushta, që krijonin suaza tipike, të ankoruara te limani i rregullit të imponuar, shpërfaqeshin ritmikisht edhe grupime të tjera në emër të lirisë, në buzëbrigje apo në një rreshtim mbrojtës, me një përfytyrim të shtuar në formë malli për publiken/të përbashkëtën. Por, mesa duket, hapësira konvencion e dëshirave njerëzore afronte të tilla formatime të heshtura rregulli, të përpikta, që tanimë i takonin një zakoni apo një vetëkushtëzimi ngjitës e sugjestionues që ankoronte jeta në provincë.

Xhiroja, ky trup i detyrueshëm kurioziteti dhe afshi njerëzor, në njëfarë mënyre qe edhe arratia e ëmbël në një burgim të përkohshëm të njerëzve pa kushte. Qe trupëzim në shumë pjesë i një mentaliteti njerëzish që luanin bixhoz me forcën dhe dëshirën, si mundësi për të zbutur peshën e sistemit. Në kah të gjarpërimit të tij, herë-herë kundër këtij rregulli krejt të panatyrshëm e krejt kundër, fekste e fluturonte lumtur ndonjë qenie humane si përjashtim. Prania e kësaj qenieje (apo e disa syresh) qe e përnatshme, në një itenerar të dukshëm e të përcaktuar, si një simbiozë e kundërt e turmës, por e lidhur pazgjidhshmërisht me të. Ky fluturim jepte shenja të mjaftueshme lirie të përveçme, servirur si lajthitje emocionesh të rreshtuara gabim me këtë masë amorfe e solidare; fluturim që ndjell gjithaq një larushi shenjash flirti në raport me të, për nga ngathtësia dhe lëvizja e valëzuar – një mur në të kundërt (ose disa të shkëputura në kohë), dukej i lehtë e flladitës, si një gabim në kohë.

Nëse do kishim një tablo të ngurtësuar shenjash e materieje ngjyrore, fluturimi  kundër rrymës, bash në gji të turmës së përnatshme, i ngjante një gabimi fëminor, krejtësisht i lexueshëm, naiv dhe me një ndriçim të mjaftë me ngjyrat e një perëndimi  të shuar romantik, shkaktuar në vijën ndarëse të horizontit. Pa dyshim që ishte gjallja e një poeti. Dhe si i tillë, gëzonte të gjitha shkaqet për të qenë një kontradiktë e hapur e asaj që shohim dhe asaj që ëndërrojmë. Një kontradiktë në përfytyrim, që përmbys të gjitha parashikimet në figurën e krijesës. Si një shkak krejt jashtë përfytyrimit, tamam atëherë kur do të ankorosh në mendje tharmin e një poeti si një gjë e brishtë e fluturake që shkaktohet prej ndjeshmërisë.

Pamja nëpërmjet përfytyrimit, për xhestin e poetit përplasej fatalisht, si një keqkuptim i ëndërrimit mbi figurën e tij. Çdo gjë shfaqet në formë konkrete, dhe është shumë e përputhur me të zakonshmen zhgënjimtare.

Hajat Meqemeja gëzonte një trup masiv e rrondokop, dhe kishte një shikim të ngrirë e të nëndheshëm, saqë as ndër libra nuk hasej. Ngjante me një aktor shumë të njohur të kinematografisë, me qafë të shkurtër e me forma të rënda plot epsh ngërthyes. Një natyrë e nëndheshme dhe kontrapedal, që rëndom fantazonte se kishte të drejtën ta zgjidhte vetë. Një natyrë përjashtuese, që nuk e përfillte objektiven si një gjasë të përditshme, dhe i peshuar krahasimisht me mundësinë e fluturimit të kohës.

Parë nga afër ngjante me formën e një ngjarjeje, e jo të një materieje që ka të bëjë me portretin e një njeriu të zakontë. Si një skenografi dramatike, që nuk lejon as re, as qiell e as garnitura hapësirash të buta; vetëm një masiv mishtor akomunikues, me përjashtime të prera pa kthim e qasje, pa kompromis, i mjaftë për të qenë veç kundër dhe i vetëkënaqur e në ajër. E vetmja gjë që e tradhtonte në këtë formim  kontrovers ishin lëvizjet e tij si tradhti të brendshme, ndjenja që i dilnin jashtë kontrollit hera-herës. Lëvizjet e tij në kundërrymë do na lejojnë të zbulojmë krejt tjetër gjë, të kundërtën e asaj që mund të merrnim mbrapsht dalë nga përshtypja e parë.

Hajat Meqemeja ishte një personazh që i takon fantastikes. Universi letrar rrallë do mund të gjente mospërputhje të gjeniales mes realitetit e përditshmërisë, kaq dukshëm e kaq rrëshqitazi. Edhe natyra rrallë do mund të takonte një disproporcion të brendshëm mes një realiteti të zgjuar ndjeshmërie të lartë dhe një realiteti psikofizik të traumatizuar. Mundësi apo mbyllje hermetike e asaj që tingëllon si fiksion për shpresën njerëzore, kjo vështirë të ndahet me thikë. Vijë ndarëse, e purpurt, që mbyllte ngjarje qytetase. Por, natyra njerëzore prodhon përjashtime pafund, të kornizuara me absurd e kontradikta nga më të pazakontat.

Hajat Meqemeja vinte si vullnet natyror nga një familje e trandur nga rregulli biologjik, që u përkthye si një pamundësi si me kast, në formë gjeniu , që në shpërfillje të hapur mendonte se ekzistonte veçse me artin e tij. Dhe jo vetëm me atë çfarë shkruante e artikulonte, por edhe me një formë përjashtuese në emër të një zone të heshtur, që e shkëpuste atë nga rrjedha e provokuese e masës. Si aftësia e vetëngarkuar për të parë aty ku të tjerët nuk e kishin të mundur. Magjia e fjalës që e zhvendoste  syresh, ishte vetësiguria që nuk e lejonte të ndihej mesatar, i varfër apo pa katandi. Vetëmjaftueshëm, shkëputej në lartësi të paprekura nga të tjerët, dhe lundronte symbyllur në hartat e mendjes, pa kufij dhe konvencione dijesh të përsëritura.

Për të shkrimtari ende nuk kish lindur, dhe të gjithë pararendësit e tij qenë veçse pretekste zhvillimore të një realiteti objektiv, që për të nuk ekzistonte. Dhe ishte i bindur për këtë.

Realiteti objektivja ishte territori i mediokërve, sahanlëpirësve dhe i servilëve të çdo soji, që i përkthente si masë e vdekur e amorfe, e jo si shkaqe të qenësishme.

Hajat Meqemeja ishte rreth të tridhjetave, i martuar dhe me katër fëmije. Gjithherë mendonte që Zoti i kish konservuar mjedisin për të qenë ngrohtë dhe i rrethuar me dashuri njerëzore. Por, për sojin e tij dhe për arsyen se pse qe i ardhur mes njerëzve, ishte i bindur se gardhet e zakonit njerëzor nuk do ishin pengesa serioze për përmasën e tij jashtë tyre, dhe gjërave që kishin ardhë mes njerëzve si provë e pafuqisë së tyre për të qenë vetëm. I gjithë ky truall njerëzor, i pushtuar nga kompromiset, nuk se ishte gjë tjetër veçse realizimi i tyre si pretekst i natyrës për të mbushur botën si mizanskenë e shembuj të dukjes, që shfaqen ndër ne mbi tokë, për të mbushur mendjen e gjalluesve përmes preteksteve përsëritës.

Hajat Meqemeja kishte forcën e mendjes dhe gjeninë për të provuar të kundërtën, se jo çdo gjë materiale përveç dëshirës për të jetuar do mund të sfidonte shkulmin e tij krijues, dhe për këtë raport kishte një pozicion të qartë me veten.

Të gjitha këto qëndrime i ekspozonte në ambientet ku rrinte, dhe i deklamonte si postulate të hyjnisë, talenti ose gjendja që na ka në dorë ne (jo e kundërta), i lindur paracaktueshëm. Ai ndihej si një dhuratë për njerëzimin, ose si një profet që Zoti e kishte hedhur ndër ta si parabolë të pakapshme për mungesë merite nga ana e atyre me të cilët kishte të bënte. Nuk ruante as edhe një shenjë dalluese, as në veshje, as në fizik. Ishte një, si të gjithë ata që shkelnin në qytet, si përditë, në mënyrën më të përsëritur e në një patinë njerëzore mëse të zakonshme.

Çasti kur shkruante qe shumë i veçantë: për shkak të ngushticës në ambientin ku jetonte ai përshtatej kudo, fillimisht në banjë, kapërthyer ritualesh përditëse me jashtëqitje, më pas në qoshe kafenesh, në errësirë, e shpesh në dyshek, ku pesë vetë në dhomë trupëzonin hapësirën, dhe ai si guru kur të gjithë i dorëzoheshin gjumit – rrinte mbi ta e shkruante në një qetësi dihatjesh e pramjesh që sjell nata. Ndonjëherë dëgjonte pak muzikë, më shumë për ngjashmëritë e abstragimeve të tij, dhe herazi sinjale funebre që nuk e kuptonte se si i rrinin mirë formave që ai sillte në mendje. Pjesa tjetër qe qesharake, se si e përdorte kohën në situatë të mbarsur nga ngasje të pakontrolluara e krejt instinktive.

Xhiroja e darkës qe një tjetër impenjim, se si shkaktohej në raport me turmën, në një zonë ku gjuante format e tij të ndezuara të epshit dhe dëshirave të pakontrolluara. Fshihej në turmën e maskuar dhe, i mbrojtur prej saj, nga një shoqërim ankorues me ndonjë shok të rastësishëm në krah.

Kishte taktikat e tij për ta zhvendosur vëmendjen e presë së zgjedhur në turmë. Ishte çasti ku ai dilte nga guacka e zakontë e tij, si një ndalesë a shfaqje e pakuptueshme, dhe shndërrohej në zog, në flutur, dhe herazi në një maratonomak, ose në një çiklist të mirë.

E parashikonte mirë kohën dhe e sfidonte atë që të bënte të mundur shkaktesën që ndodh mes gjuetarit dhe presë, me një ndryshim: nuk e vriste, por e lante me shikime të zjarrta dhe plot ndjellje. Por, që të shkurtonte distancën e kësaj përsëritjeje ritual, i duhej të ndryshonte ritmin në lidhje me kohën e takimit, për t’i dalë në ballë gjësë, sa më shpesh, me sa më shumë zjarr. Vraponte krah turmës për të hyrë paralel me femrën që ndodhej në ritual, dhe sapo e pikaste, ndalonte në vend dhe mahnitej nga rrjedhjet e brendshme që i përcillte. Dhe kështu, në një përsëritje pa cak, derisa bëhej qullë në djersë, dhe pa e kuptuar ndihej i rraskapitur e i dorëzuar me gjithsej.

Hajat Meqemeja, zogu fluturues, ndiqte ndjesitë e tij si një shkak real jete, me një energji të panatyrshme në përkundër të gjithëve në atë masë njerëzish mbrëmjesorë, që e kishin marrë shtruar nën një marsh të ngadaltë e të palëkundur. Ishte i vetmi moment ku denatyrohej dhe ndihej i çiltër, dhe në mundësi të shfaqur hapur ndjenjash e rrahjesh të forta zemre. Në të gjitha momentet e tjera ndjehej i refuzuar nga njerëzit e ndaj turmës.

Në mejtimet e tij të shpeshta, në të gjitha fitoret dhe disfatat që ndjente, kishte një përqëndrim në shikime të largëta në vijën e horizontit, aty ku këputej masivi i reales me pjesën tjetër të padukshme, që fshihej matanë saj. Bluante në mendje se si do qe bota pa këtë vijë të pakuptimtë ndarëse, dhe se ku mund ta përqendronte njeriu vëmendjen pa një vijë ndarëse, aty ku krijohen kufij tërheqës/thithës të pafuqisë drejt njohjes.

Sadoqë i bredhur ndër shkatërrime kufijsh, nga ata të njohurat, vija e horizontit ishte një kufi i nevojshëm për artistin, pasi terri qe i bollshëm e absolut, por pa asnjë të dhënë për t’u ankoruar e marrë në kujtesë. Prandaj, mejtoi se horizonti që na jep ligjin e perspektivës qe i nevojshëm, qoftë edhe si një pretekst për të ngritur një argument kundër. Ja, për shembull, turma e darkës shfrynte shkapetjen e saj me vijën e horizontit, pa një shkak bindës.

Edhe liritë e vogla nga brenda turmës, si përjashtime të saj, kishin të njëjtën pikëpjekje në forma që ia behin si nyje. Pastaj vetë relievet ku bashkëjetonin njerëz me hallet e tyre të mospërputhjes në një pikë të horizontit. Por, gjithaq dhe të tjerë të verbër në turmë kishin lumturitë e vogla, si perspektivë e mendjes dhe e shpirtit, të nanuritura e nepsqare. Të gjithë në një hall me ndonjë përjashtim, si shpirt i lirë që ndërkallte lirinë në gjak, dhe jo në një perspektivë fizike, apo në aleanca anësore si paterica jete.

Kështu mejtohej Hajat Meqemeja, kur në turmë dalloi një muzikat të shkurtër e të kërpitur shik, që me kokën kah horizonti belbëzonte një këngë që këndohej si tej tij, larg për nga perëndimi. Dalloi përlotjen e tij të kudogjendur, si refleks nga disku i hënës në horizont. U shkund dhe e kërkoi në turmë me një përshëndetje me dorë... Zot! – tha – sa i dobët është, dhe aty për aty harroi që ishte qullë në djersë për të njëjtin motiv që kishte të bënte me horizontin si vijë ndarëse, si kërshëri a pikëllim njerëzor. Aktet e vrapit kundër rrymës herë i kryente me biçikletë, herë duke fuguar.

Tejkaluar në kohë, Hajat Meqemeja nuk jeton më në të njëjtin qytet. Kohët kanë ndryshuar dhe nuk e di se çfarë bëhet më me të. Rastësisht shihet në rrugë, në qytetin më të madh, ku tanimë i ngjitet zhurmnajës plot ngjyra. Për çudi, sa herë shihet në të njëjtin orar mëngjeseve, në krah të kundërt të lumit të makinave, që rend me një biçikletë të vjetër përgjatë bulevardit, si dikur, me të njëjtin fluturim kundër rrjedhës, me një ndriçim të padepërtueshëm në sy e me ngulm si asokohe në bulevardin e provincës, në të njëjtën formë e me të njëjtin ritëm, natyrisht përanash të tjerëve.

Hermetik e i dylltë në fytyrë, i pandryshuar, sfidues; tipikisht një poet pa kohë, paralel një liriku të zhvendosur në trajtë muzikanti, gjithnjë i përlotur nga frymëmarrja e kohës si keqkuptim.

Që të dy ndarë nga vija në perëndim e horizontit, ngrirë si kufi i pakapshëm i gjërave që jetuam një herë e një kohë.

Ja pse realitete të shkëputura gjallimit do mund t’i ngjanin transcendentes në një zhvendosje mot a mot të saj në çfarëdo trajte shprehjeje që do vendosja si ndalesë përballë.

Do hynim në një zonë të sigurt fugash në ajër, po si energji metafizike që e çon ngjarjen në perëndimin e kahershëm në kufi me vijën e horizontit. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH