Krye

Ftesa për dialog e Adrian Civicit

               Publikuar në : 09:39 - 23/05/19 E Liberale

Profesori i njohur i ekonomisë promovoi dje librin “Udhëtim në tri kohë – Dialog me Alda Bardhylin”, një libër i ngjizur në Universitetin Europian të Tiranës.

Sa i kanë elaboruar elitat tona etapat kryesore me të cilat është përballur historia e Shqipërisë së një shekulli? A kemi ne një mendim të shkencës dhe studimeve shqiptare mbi atë çfarë komunizmi, tranzicioni apo kapitalizmi kanë sjellë në mendimin dhe zhvillimin tonë? Profesor Adrian Civici, një personazh i njohur në mendimin ekonomik shqiptar, i ftuar në një dialog nga Alda Bardhyli, bën një udhëtim në këto tri kohë thelbësore të historisë së Shqipërisë së 70 viteve të fundit, duke treguar se tashmë mendimi shqip mund të sjellë konkluzione dhe reflektime. “Udhëtim në tri kohë” quhet libri, i cili dje pati promovimin në një aktivitet, ku u bënë bashkë personazhe të njohura të kulturës, ekonomisë dhe medias. Libri i ngjizur si ide në Universitetin Europian të Tiranës, duket si një ftesë jo vetëm për refleksion, por dhe për një debat publik tepër të nevojshëm për këto tri kohë. Preç Zogaj, president i Institutit Europian “Pashko”, e vlerësoi rëndësinë e dialogëve të tillë për kohën, por dhe kontributin e profesor Civicit në mendimin bashkëkohor shqiptar. Ndërsa diplomati Agim Nesho shprehet: “Duke lexuar librin pa u ndalur, ndjeva se po përjetoja jetën time në regjimin e shkuar nga talenti i një mendimtari të kohës sonë që di të sintetizojë mendimin ekonomik të një sistemi të dështuar, raportet ekonomike-sociale, represionin e regjimit, formimin e ‘njeriut të ri socialist’ deri te dëshpërimi dhe humbja e shpresës për të ardhmen. Civici shkëlqen në shpjegimin akademik të sistemit socialist, të aspiratave për një rend komunist, të ecurisë së mendimit filozofik nga Marksi, Engelsi deri tek udhëheqësit totalitarë si Lenini, Stalini e zbatuesit e tyre në Europën Lindore dhe Shqipëri, që përshtatën teorinë e tyre. Autori në libër ndërthur anën teorike të sistemit politik, të devijimeve nga doktrina e socializmit shkencor, të moseficiensës së ekonomisë së centralizuar, ku shpjegimet e tij janë të thella dhe të qarta si në leximin e një libri bazë për një sistem politik, ku shpjegimi i ngjarjeve që ilustrojnë provojnë vërtetësinë e thënieve të tij”. Sipas tij, në pjesën e trazicionit është bërë një shpjegim perfekt se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Në këtë periudhë autori e njeh mirë procesin dhe ka marrë pjesë në diskutimet akademike dhe institucionet ekzekutive të vendit. Pavarësisht se Shqipëria nuk kishte asnjë eksperiencë me kapitalizmin dhe ekonominë e tregut, ajo adoptoi “filozofinë e konsensusit të Uashingtonit”, bazuar në trinitetin e shenjtë stabilizim-liberalizim-privatizim, praktikë që u sugjerua nga FMN-ja për të gjitha vendet ish-socialiste. Në këtë pjesë autori diskuton për raportin midis demokracisë dhe ekonomisë së tregut, duke shpjeguar që njerëzit të ndiheshin më komfort me ekonominë e tregut dhe cilat ishin shkaqet dhe pengesat për një demokraci funksionale. “Në pjesën e fundit, kapitalizmi, autori shpjegon financimin e sistemit kapitalist, ekonominë e tregut, ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, rrymat kryesore liberale dhe neoliberale duke u ndalur te theçerizmi dhe reganizmi, krizat ekonomike dhe impakti i tyre”, u shpreh Nesho, duke vazhduar se “autori ia ka arritur qëllimit duke na shpjeguar thelbin e sistemit, kontradiktat dhe zhvillimin e tij”. Pjesë interesante e këtij dialog është shpjegimi i Civicit për njerëzit që kanë influencuar në botëkuptimin e tij, si Becker dhe Buchanan, ku mund të hiqen paralele për qëndrimin e autorit për zhvillimet në kohët e sotme.

“Qëllimi i këtij dialogu, i cili nisi në vitin 2018, është të bëjë një udhëtim në honet e errëta të së shkuarës. Biseda jonë nis me socializmin, për të vijuar më pas me kapitalizmin dhe tranzicionin, për të kuptuar Shqipërinë e gati një shekulli, nën lupën e kujtesës së një intelektuali që i përfaqëson më së miri të tria këto kohë. Vetë formimi ekonomik i profesor Civicit na ndihmon të shohim më qartë dhe një aspekt tjetër të hulumtimit të këtyre tri kohëve, përmes proceseve ekonomike. Asnjë histori nuk mund të kuptohet deri në fund, pa kuptuar rolin e rëndësishëm të lëvizjeve ekonomike”, u shpreh Alda Bardhyli.

Përtej përvojës jetësore, ky botim është një dhe ftesë për të kuptuar rëndësinë e dialogut në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, e cila ka një boshllëk në dialogët me të shkuarën. “Ky libër është një arritje e dallueshme në literaturën politiko-ekonomike të kombit tonë. Mendimi i qartë, shkrimi i rrjedhshëm, sinteza e thellë, si dhe informacioni dhe njohja e gjerë mbi filozofët dhe teoritë e tyre, e bëjnë këtë libër një nevojë intelektuale për të kuptuar periudhat historike që kemi kaluar dhe po jetojmë. Ky libër është një manual për politikanët, diplomatët, intelektualët, studentët dhe të gjithë qytetarët që kërkojnë të njohin dhe sintetizojnë mendimin për periudhat e evoluimit të shtetit shqiptar 70 vitet e fundit”, u shpreh Nesho.

Adrian Civici është profesor i njohur i ekonomisë, një personazh me kontribute në Universitetin Europian të Tiranës. Autor i disa librave mbi ekonominë, ai shpesh është bërë protagonist duke iniciuar debate publike me në fokus ekonominë, duke kontribuuar në shkrimin ndryshe të librave mbi ekonominë. Sipas tij, ky dialog i brendshëm është një ftesë për të kuptuar proceset historike dhe identitare të shoqërisë sonë./ Gazeta Liberale

(Visited 9 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *