Editorial

Frika nga Kina vë në ujdi Biden-in me Evropën

Shkruar nga Liberale
Frika nga Kina vë në ujdi Biden-in me Evropën

Federico Fubini 

Në pak muaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po vihen në ujdi mbi pothuajse gjithçka në një mënyrë që dukej e pamendueshme një vit më parë. Thjesht, njëra mbas tjetrës, hallkat e marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet dy blloqeve po kthehen në vend. Në mars Washingtoni e Brukseli kanë pezulluar taksat e vendosura në vitet e shkuara nga të dy anët për debatin në lidhje me Airbus e Boeing. Në prill Joe Biden, i pari president amerikan që ka guxuar një gjë të tillë, ka propozuar një taksim të drejtë të të gjitha shumëkombësheve Big Tech që sot i fshehin fitimet – edhe qeverive evropiane – në parajsat fiskale.

Dje Janet Yellen, sekretarja e Thesarit e Biden-it ka vënë drushtën në 15 %. Është një shenjë që po bisedohet për t’arritur në një marrëveshje në korrik, në një takim të nivelit të lartë në Venetik ndërmjet njëzet ekonomive të para të planetit. Jo rastësisht kolegët evropianë të Yellen-it – Daniele Franco për Italinë, Bruno Le Maire për Francën, Olaf Scholz për Gjermaninë – kanë pritur shpejt me dobi lëvizjen e Shteteve të Bashkuara.

Mbas katër viteve të tmerrshme të Donald Trump-it, të tjera shenja vërtetojnë se marrëdhëniet euro – amerikane po kthehen të shtruara. Të hënën Brukseli ka bërë të ditur se do të tërheqë taksat e vendosura për shpagim të atyre që ish tycoon-i kishte imponuar kundër çelikut dhe aluminit evropian. Të martën administrate Biden ka hequr sanksionet synuese kundër gjermanit Matthias Warnig, një ish agjent i Stasit, prej dhjetëvjeçarësh afër Vladimir Putin-it, që drejton ndërmarrjen e gazsjellësit Nord Stream 2 ndërmjet Rusisë e Gjermanisë. Të enjten europarlamenti ka varrosur traktatin e investimeve ndërmjet Kinës dhe Bashkimit evropian, që Angela Merkel e kishte dëshiruar fuqishëm e për të cilin Biden-i – para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë – ishte zëmëruar fort. E tani eurodeputetët afër kançelares kanë votuar të gjithë kundër marrëveshjes me Pekinin.

Në thelb evropianë dhe amerikanë po bëjnë lëshime të pafundme për njëri tjetrin për të gjetur një klimë besimi të ndërsjelltë. E është gjithmonë pak miope të mendohet se gjithshka i detyrohet një njeriu të vetëm, veçanërisht nëse ka një fytyrë e një emër të njohur. Por mbërritja e Mario Draghi-t në Pallatin Chigi e ka lehtësuar këtë shkrirje. Kryeministri italian flet shpesh me Yellen, me Biden dhe të dërguarin e SHBA për klimën John Kerry. Ka studjuar në një universitet të zgjedhurish të Bostonit, ka punuar në një bankë amerikane dhe është i besuar në Shtetet e Baashkuara kur siguron se do t’a mbajë Italinë – dhe Evropën për sa të mundet – në binarët atllantikë. Në shkëmbim Biden-i dëshëron mbi të gjitha një front të përbashkët në shemërinë e SHBA me Kinën: jo shumë më tepër. Edhe për këtë nuk është e thënë që kthjellimi i tanishëm të jetë normaliteti i ri, i qëndrueshëm. Por tashti dielli këtheu të shkëlqejë mbi Atllantikun e Veriut.

“Corriere della Sera”, 25 maj 2021/ E përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH