Art - Kulture

Frederik Rreshpja, qëndisia e fjalëve

               Publikuar në : 10:23 - 01/02/20 Vladimir Myrtezai

Kështu gjithmonë ardhja jote është tërë ikje

dhe unë ndiej mbi gjoks sikur më kalon një tren….

Vladimir Myrtezai

Një shkrimtar i lan këmbët një idhulli të tij në agoninë që i ka trokitur drejt lamtumirës së fundit të tij.

Sa akademi, forume, regjistra testues dhe matës, komisione, gradime, e me radhë do humbnin kuptimin nga një gjest i tillë.

Kjo është një arsye e mjaftë për të kuptuar takimin e thellë të një ëndrre që ende e besoj me sy  hapur….qasur si akt i pakushtëzuar i mendjes njerëzore.

Ç’më shtyn të shkruaj duke prishur herazi modelin  për famën shpesh të merituar në shumë herë! Një takim tokazi  në një gjest të rrallë takuar në frymë e ç ‘vendosur si marramendje njerëzore! Akt katarsisi për tu ritakuar me gjëra gati të harruara  nga shtëpia e shpirtit.

………………………………………………..

Dilema të cilës i ngjitemi shumë si zgjidhje në veshjen dhe përcaktimin e menjëhershëm të një personazhi që kemi zgjedhur për ta vëzhguar, për ta vendosur në një skedë kujtese apo si vlerësim i shtuar, nuk na hyn në punë për t’iu qasur si ndërgjegje në lëvizje, si zhvendosje nga çfarë “dihet” për të.

Në fakt, në një arsyetim të parë, Frederik Rreshpja të vjen i mirë përcaktuar si poet, dhe kjo për shkak të veprës që la pas, por edhe për një lloj trysnie të shtuar dhe një opinioni ithtarësh që e hedhin në publik si varkë shpëtimi apo si një zgjedhje e ndryshuar në poezinë shqipe. Nuk janë të pakët ata që e mbështesin.

Por, si për çdo gjë të zmadhuar apo në të drejtën për qenë në qendër, optika e vëzhgimit na bën të hedhim një tjetër dritë mbi një personazh që rri si mëdyshas, që tenton të jetë një zë i ndjeshëm dhe i lakmueshëm në opinionin e gjerë për fjalën e lartësuar e gati të puthitur të të qenit një Mesi i poezisë.

Është një privilegj që duhet t’i rezistojë të gjitha përthyerjeve të asaj armate opinionbërëse që i ngre monumentin një fjale kaq të rrallë që duhet merituar e provuar si brerore në kohë.

Por, duke qenë edhe poet në përthyerjen e një përjetimi të jetuar disa herë, që nuk është shumë mundimi për të mbështjellë a ambalazhuar një gjë që nuk mbështillet dot, pikërisht për sa u shpreha më lart mora guximin me një ndjenjë krejt të veçantë që të sjell një dritëhije të mbetur brenda meje në gjëra të jetuara me këtë personazh sa të zakonshëm e po aq të krisur në gjenialitetin e tij, gjë që më vë në dyshim nëse do të t’ia dal mbanë profilit të tij në këta rreshta.

Që kur marrim përsipër ta shquajmë një personazh, qoftë dhe poet, mendoj se është një pikëpamje e pa përkufizuar, që nuk dihet se nga rrjedh e paravjen nga ndjeshmëritë, idilet, muzikaliteti, pozicioni i paangazhuar apo nga ligjësi që të lëshojnë lirë e pakontroll në ndërgjegje. Nuk është për t’u analizuar dhe aq fakti se te secili nga ne është mbjellë projeksioni i të zgjedhurit, i shijes, vetë identifikimit i tonalitetit apo arketipit të rrallë mbresëlënës të fjalës. Pikërisht për këtë, kur përcaktojmë një ndjesi që ka lidhje me këtë, jemi përkufizuar nga një qëndrim që të lejon pikërisht ky lloj projeksioni, kështu që fusha është e hapur dhe jemi të lirë të zgjedhim e të gjykojmë sipas kornizës kimisë e shijes të mirë zgjedhur tashmë.

E bëra gjithë këtë parantezë për t’u ndjerë i lirë dhe pa komplekse për një gjë që është sa delikate e po aq e vështirë për t’u qasur si dije a ambalazhim shërbyes. Duke mbajtur këtë qëndrim, më lejohet që një poeti të madh t’i qasem lirshëm e pa siklete, duke e paraqitur ashtu si përthyhet, sipas një përjetimi të jashtëzakonshëm që më ka ndodhur në tre udhëtime, si tri pika të ndryshme pamjeje.

Gjithnjë në një profil të stampuar në ndërgjegjen time, që disa pikëpyetje apo limite njohëse nuk se e përfshijnë, që ta rrokin si subjekt të “përdorur” lehtë.

Ka kohë që më rri në kokë si personazh, dhe sa më shumë tentoj ta nis, aq më shumë më largohet. Ndaj dhe pata ndjesinë sikur po e devijoja këtë akt sublimimi drejt një arsyetimi, me frikën se ndoshta nuk duhet gjykuar ndonjëherë në rilevime të drejtpërdrejta, por në një ndërvarje më të zgjeruar studimi mbi të. Por, sërish më shformohej në kokë, pasi thellë në ndërgjegjen time ishte ndërtuar si një përjashtim, jo si një personazh që hyn nëpër labirinte analitikë.

Takimi i parë me Rreshpen ka qenë diku në fillim të nëntëdhjetës, në një kafene pranë Restorant Arbëria, aty ku sot ndodhet Ministria e Drejtësisë. Qe një takim që nisi me prezantimin e Rudolf Markut. Diku më tej mbaj mend Petro Markon me të bijën. Më tej akoma dukej-zhdukej në një lëvizje të ethshme Preç Zogaj, që u shkëput shpejt, sepse çdo gjë ndihej në lëvizje dhe nuk kishin qëndrueshmëri as takimet që kryheshin, për shkak të një kohe në vrull, me paralajmërime përmbysjesh si orë historike. Gjithandej ndihej një tension në ajër, ulje e zbritje, një trokëllimë entuziazmi në parashikimet e së nesërmes. Madje më kujtohet që të gjithë dukeshin në transit e të shkëmbyer në një lëvizje pa destinacion. Ishte një kohë ethesh, me shumë të liruar nga burgu: njerëz të letrave dhe emra të njohur që i ishin kundërvënë sistemit, gjë që i rrethonte si aureolë. Ne më të rinjtë ndiheshim disi inferiorë e me histori të munguar në opinionin e lëvizshëm shqiptar. Figurat e stampuara e të glorifikuara nga e kaluara ishin zbehur disi. Tashmë në pjacë ia kishin behur të vuajturit e ndërgjegjes. Dukeshin tërheqës, me mjegullimin e njeriut që vinte nga përtej, nga një jetë ende e padeshifrueshme, ende e pashfaqur, rrethuar me mister. Maks Velo, Ali Oseku, piktori i shumëpërfolur mbi legjendën e një profili tejet kubist në pikturë me “Epikën e yjeve të mëngjesit”, Edison Gjergo. Diku më zunë sytë Jamarbër Markon, poet i zhytur në një mjekër të zezë sterrë e sy në mavi dhe më tej dallova një kurveleshas që kisha dëgjuar histori të çuditshme, Daut Gumenin dhe disa fytyra të tjera që më pas u bënë të identifikueshëm me lëvizje e propozime në mjedisin e mëvonshëm politik. Nuk e di se si për një moment grupi u shformua dhe mbeta vetëm me Rreshpen.

– Për ku? – më tha me një ton shumë njerëzor e të afërt. – Për Shkodër. Po shkoj te nana, për t’u rikthyer më pas të hanën. – Shumë mirë, – më tha – e kapim trenin bashkë.

Qe një udhëtim i gjatë. Treni ishte i tejmbushur. Kundërmonte një erë trupash njerëzorë; një kaos i llojit të vet e shoqëroi të gjithë udhëtimin tonë. Di që fola shumë pak dhe, për shkak të kërshërisë sime e naivitetit të hapur, Reshpja më derdhi një histori të gjatë të jetës së tij në një rrëfim të shtruar e të kadifenjtë, ku vetëm dy sy të zinj e të lëngshëm tregonin vuajtjet në një gjuhë të butë.

Dukej më shumë i lumtur sesa i trishtë, si një kristal i bardhë në një terr pa emër. Kishte shumë ndjesi te vogla dhe të mëdha, por i përthyente në rrëfim, ku dukeshin qartë qëndrimet e tij të buta, por të pathyeshme si koncepte nga ku varej. Më tregonte se si në zgjatjen e dënimit qëndiste mbi pëlhurë gjergjef zogj e lule! Një fakt i rrallë e i pashpjegueshëm, por për mua ishte vetëterapi e shëndetit mendor. Pata një sugjestion të natyrshëm e prekës për shkak të njohurive që kishte në raporte historike të zmadhuara. Nuk kishte urrejtje të mbledhur. Ishte si një dritë mbi atë tërësi jete që ishte plot tragjizma e ngjarje nga më të ndryshmet që kishin të bënin me burgun që kishte kryer. Në një moment m’u duk si guru, nga ata njerëz të sofistikuar që gjenin dritë në çdo errësirë; nga ata që e falnin armikun, ngaqë asgjë nuk i lidhte me forcën apo me dhunën.

I pa sugjestionuar, i qartë, i përtejmë e me një gjuhë të padëgjuar. Qe një udhëtim roman, me një hero jo fort të dukshëm, që në fund të udhëtimit të detyronte t’i thoshe se unë jam një nga ushtarët e t’u i rekrutuar nëse të duhem. Një shije e jashtëzakonshme nga një njeri që m’u duk si një qëndistar i ngadaltë e intim i një jete të ëmbël e tragjike njëkohësisht.

Koka si e mënjanuar e bustit të tij ndihej si e ngulur në një trung vuajtjesh, nga ku shfrynte një lloj butësie, sikur të merrte nën mbrojtje, duke ulur tonalitetet e rrëfimit për të të mbajtur ëmbël nën vëmendje. Ishte një udhëtim dehës, si një film i gjatë, prej të cilit dilje si i dorëzuar.

Treni nuk kish të mbaruar. Stacionet shkëmbeheshin në heshtje si në një kortezh që mbante një hall anonim. Dritat e zverdheme dhe tonalitetet monokromë i jepnin asaj nate  me hënë të plotë një magji stepash.

S’më kujtohet fundi i udhëtimit, por natyrisht që nuk kishte rëndësi, ngaqë isha magjepsur nga zbulimi i një rrëfyesi unik.

U humbëm për disa kohë dhe në realitetin shqiptar ndodhën shumë gjëra që i ngjanin një përmbysjeje të madhe, dhe si në çdo përmbysje, në rrokopujë e sipër nxirrja kokën për të marrë frymë e për të kërkuar miqtë e kuriozitetit të lartë, se çfarë bëhej me ta. Isha i marrosur të dija se si do iu vente filli i jetës në ato kohë të paqëndrueshme plot brenga.

Shumë vite më vonë, gjatë një dekade shkëputje, pyeta për Frederik Rreshpen dhe më thanë se po menaxhonte një shtëpi botuese, ku ndër të tjerë botonte tituj nga Lindja e Largët, me autorë jo fort të stampuar për lexuesin. Por, për çudi, më thanë se ishte strukturuar dhe lëvizte me shofer personal e me një truprojë, gjë që ma trandi pak imazhin pothuaj mitik që kisha për të nga ai udhëtim me tren.

Te Rreshpja më përzihej shpesh njëfarë dyshimi, se koha e ktheu si akt mbijetese, një shartim kompleks që kërkon forcë ta përballosh pa u  zhyer lagur.

E kam takuar edhe një herë diku në Shkodër, ku e gjeta gati në një gjendje paranoje: disi i ç’fazuar ndihej i kërcënuar nga disa gjëra që m’u dukën shumë abstrakte, ndaj dhe i përktheva si tension nga një jetë me trazira, gjë që mund t’i ndodhë gjithkujt.

Fliste nga pozicioni i një njeriu të sulmuar, dhe më thoshte në mënyrë të përsëritur se kishte me vete një thikë a kamë, kështu që askush nuk mund ta kërcënonte. Nuk e deshifrova mirë, por ndihej si një pezulli ndërvarjesh në një bisedë të pazgjidhur me armiqtë e tij imagjinarë. Kishte një lloj rebelimi foshnjarak, shoqëruar me ato ndezullitë që të bëjnë më të dobët dhe më fluturues në mënyrën se si e përfytyron rrezikun.

Përjetimi i tretë me Rreshpen është fundi i tij i trishtë, një fund të cilin e përjetova përmes një njeriu të jashtëzakonshëm në sojin e letrarëve: Shpëtim Kelmendin, që ma risolli Rreshpen përmes tregimeve të befta, krejt të pakontrolluara, në një tjetër dimension.

Në humor e sipër ai tregonte dhe unë ndihesha i lumtur që në këtë botë ka ende humanë, pasi për një moment, në një psikozë të lartë, flitej veç për pasuri, prona, dritare të zhvendosura, kopshtije, rikthime pronash e gjithçka, që veç me shpirtin e ndjenjat nuk kishin të bënin, natyrisht as me gjestet e harruara kalorësiake, as me përfytyrimet e mia fëminore me princër shpëtimtarë.

Ja që në një botë të trazuar kishte ende shpirtra të zhveshur nga materia e të prirë për të qenë në gjallje të gjërave thellësisht njerëzore. Shpëtim Kelmendi është një tjetër personazh i rrallë që jeton e ushqehet vetëm me letërsi. Një burrë masiv që ndien si një zog i brishtë. E gjithë qenia e tij ishte e përkufizuar  nga letërsia e mirë zgjedhur. Një human i çuditshëm që të bënte me turp për vëmendjen jetike që i kushtonte letërsisë. Një energjie që të mbante lart, në humor, por edhe në një brerje ndërgjegjeje, sepse aty për aty të bënte të besoje se oksigjeni ishte vetëm të shkruarit. Rrallë kam hasur një tip të tillë fluturues, që ta bënte botën të motorizuar e të krahasueshme me gjërat që ai pozonte pa pra në një provokim të lartë e të derdhur përmes një humori ngazëllues.

Frederik Rreshpja ishte një idhull për të, ose një shkak i jashtëzakonshëm letrar, një gjeni i muzikalitetit dhe i thjeshtësisë së fjalës; një lloj altari ku ai përkulej thellë dhe hidhte gjithë trazirën e besimit dhe paqartësitë.

Por, akoma më bindëse ishte se si ky djalosh i ri, me një familje në numër të shtuar dhe jo aq i pasur në syrin tim, pranoi në barkun e familjes poetin në prag, poetin në gjendjen e lamtumirës. Nuk ishte thjesht një fluturim, por një përkujdesje e përunjur, ku një dashnor i letrave përcjell drejt kufirit një tjetër bashkëvuajtës.

Një shembull i tillë njerëzor të lë pa mend, pasi për nga përkushtimi, shumë ëndërrimtarë të tillë shkaktohen nga fantazitë, jo nga ndërmarrje konkrete dhe investime me një barrë harxh e përgjegjësi. Një akt fisnik e përjashta realitetit. Në këto rrethana figura e Rreshpes bëhet edhe me e epërme. Thjeshtësitë e befasishme të një fjale endur pa efekte, por mjaft të ndjera, më janë dukur shpesh si akuarele mbi mëndafsh, nën një hollësi delikate që i ngjan  qëndisjes. Një lirik i grunjtë, që duket se ormis mirë edhe thërrimet e fundit në tryezën e fjalës, me një kursim të përkorë bërë me rozë e okër të artë.

Është nga ta të pakët personazhe që e shoh si film, jo të shkruar, sepse, për çudi, ka efekte dhe simptoma jetësore të mjafta për të ndërtuar një sagë të gjatë në një përthyerje të rrallë e dinamike, për shkak të fatit në rrethana, ndjeshmërisë së lartë, mungesës së profilit mitik në publik e shumë shkaqe ndjellëse që vizualizohen në kësi gjendjesh.

Gjithsesi, Rreshpja është zhyer në një hijedritë njerëzore me drama të shumta, të pashprehura e të superuara nga akte kalorësiake të faljes, si një katolik i mençur, por edhe me një përvojë të vyer për të ndarë mirë dobësitë njerëzore nga mashtabet e një profili të kryer, si një udhëtar i talentit lindur dhe inteligjencës. Më është dukur si i mbijetuar i vetvetes, në të gjitha nuancat e kuptuara e të nënkuptuara të vetes që pret mrekullinë. Një lloj stofi që në tak të parë të çorienton në zë e nën zë, e më pas nën një trajektore ndjesish që e zvogëlon këtë luhatje, për të mbetur diku si një vragë agravurë e fortë poeti.

Një poet i gjymtuar bukur për një sy që do të donte ta ndillte si krahasim me të ngjashëm. Më shumë më vjen si strukturë e viteve tridhjetë, disi jashtë mode, me atë rininë e vet misterioze që nuk e kapi kurrë dukjen e ndikuar si e  ashtuquajtur trend i kohës. Një shkak i hyjshëm për të qenë veç, duke lënë vetëm fjalën e shkruar si komunikim, si ftesë dhe udhëtim  i trandur butësisht e dhimbshëm me tjetrin.

Poezia e Rreshpes është  një  kalesë  e venduar e zërit të  brendshëm që  të  rrëmben me elegancën dhe butësinë  me cytjen e një  hiri dramatik që  vjen si ekstrakt  një  jete si përjasht kohe për nga kalkulimet natyrale tejet poetike e të  derdhura në  një  hidhërim e gëzim ngasës. Gjithsesi nuk jepet ku nuk lejon që  halli i tij të  jetë  i të  tjerëve pasi ai më  shumë  se kushdo është  një  shartesë  e mrekullueshme e emulsioneve ku jeta merret si një  shpërbërje a pretekst të  shkruari. Këtë  e vërteton dhe e gjithë  harkorja e jetë shkruar e tij përmes poezisë  si gjëja më  ngushëlluese e me vlerë  në  kulmin e tij fizik e shpirtëror.

Me padyshim Frederik Rreshpja udhëton përmes shijes së fjalës dhe kuptimit të kundër thyer të një udhëtari të dijes dhe eksploratorit të ndiesive tejet të eksperimentuara njerëzore.

Prelud

O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes

përsëri!

 Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det

Për varkat e lotëve.

 Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura.

Por unë do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.

Unë kam qenë trishtimi i botës.

O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes

përsëri!/Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back