Kryesore

Moikom Zeqo një ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave

               Publikuar në : 10:56 - 22/06/20 liberale

Liriku i madh i letrave shqipe, Frederik Rreshja, ka lënë këtë analizë të thelluar mbi veprën shumëplanëshe të Moikom Zeqos, duke mbetur sfidues akoma edhe sot, me këtë model të spikatur të shkrimit kritik, i cili buron nga dija e thellë, mprehtësia e gjykimit, etika e lartë dhe kontributi për emancipim të mjedisit intelektual shqiptar.

Frederik Rreshpja

Të gjithë artikujt që janë shkruar për Moikom Zeqon, i cilësojnë librat e tij si shumë të çuditshëm dhe disa herë të pakuptueshëm.

Në fakt, këtu nuk ka asgjë të pakuptueshme e as të çuditshme po të kujtohemi që librat e Zeqos janë traktate, një gjini kjo, e kohëve klasike e moderne, që është e trajtuar edhe nga Lukiani edhe nga Erazmi i Roterdamit, edhe nga Blez Paskali, Dekarti, Ajnshtajni edhe nga Hajdenbergu. Sidomos iluministët francezë si Didëro, Volter, Monteskje, Furje, Simoni etj., kanë shkruar traktate me një rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën mbarëbotërore.

Vetë Zeqo nuk thotë asgjë për këtë. Ai nuk i emëron librat me asnjë gjini dhe asnjëherë. Vepra e Zeqos, një ndër më prodhimtarët e habitshëm të letërsisë shqipe a ndofta më i veçanti, është shumë e gjerë. Do të përmend disa libra kryesorë si “Meduza”, “Tempulli i hënës”, Purgatori Shqiptar”, “Onufri”, “Meduza e dashuruar mban syze dielli”, “Mes Laokontit dhe Krishtit, Onufri II”, “Kështu foli Mona Liza”, “Syzet e thyera të Meduzës”, “Syri i tretë – Naim Frashëri dhe bektashizmi”, “Princërit e mistikës”, “Nostrodami në 3 qershor”, “Tercinat e pasvdekjes së Dantes japonez”, “Zodiak”, “Jashtëtokësorët e Shqipërisë”, janë disa nga këto libra në hartimin e të cilëve, Zeqo ka përdorur një ndërthurje të shkathët me elementë të narracionit, monografisë, poezisë, historisë, filozofisë, teologjisë, arkeologjisë etj., etj.

Ai e bën këtë hartimësi mendoj unë, për ta shteruar krejt temën, prandaj këtu kemi një autor, poet, historian, estet, arkeolog etj., etj.

Në një shkrim të tij, Alfred Uçi, thotë që ne jemi mësuar të lexojmë libra të një gjinie të saktë, të përcaktuara nga rregulla strikte si zhanër më vete p.sh. roman, poezi, monografi, studim etj., etj. Sigurisht ky ka qenë një mendim i shpejtuar i z. Uçi, si një ndër njerëzit e zotë të letrave shqipe, sepse ai patjetër që ka lexuar Lukianin, Zhan Pol Sartrin, D’Anuncio, Markezin, Borgesin, Karpentierin, Skorcën, Alenden, Montenjin, Eliotin etj.

Ka diçka të jashtëzakonshme dhe vërtetë të çuditshme te Moikom Zeqo. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me problemet teknike, me përkufizimet stilistikore etj., por me kulturën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme, me talentin e madh dhe aftësinë vërtetë befasuese për të punuar pa u lodhur. Kjo po. Këtu kemi vërtet një çudi.

Sepse nuk kemi përse habitemi me format moderne e postmoderne, që zgjedh një autor i njohur në kulturën shqiptare. Rregullave që përcaktojnë gjinitë letrare, Zeqo nuk u jep fort rëndësi, përderisa pikërisht atje ai ç’vendos edhe kohërat, duke vënë p.sh. Narcizin përpara Adamit:

“Në botën me peizazhe llahtarisht të ndryshëm, me po aq qenie të pangjashme dhe hollësira të kundërta e kahe përjashtuese në këtë pështjellim kaosor, të paqëndrueshëm dhe vulgar, kur akoma nuk ishin krijuar hyjnitë prej Hiçit të Madh, ishte një njeri, që s’dihet, pse e quajtën (prej kujt?) Narciz. Mijëvjeçarë më pas do të krijohej një tjetër pasqyrim i rremë, ashtu kot dhe mjerueshëm nga balta (paraskulptura), Adami”.

Raste të tilla ka shumë, në këtë rast po shqyrtojmë faktin që Zeqo duket se i bën kohërat rrëmujë, vetëm për një trill poetik a filozofik. Por mua më duket se nuk është ashtu, thjesht për faktin se ai e njeh më së miri historinë dhe kjo gjë dihet, pasi është një ndër historianët tanë më të shquar. Të tërë e dimë faktin, që ka vjersha prozaike e ka prozë poetike. Atëherë, mos vallë Zeqo i kthehet prozës, kur lodhej si poet? Jo! Apo mos vallë për një trill poetik i ikën prozës? Jo! Në fakt ai lufton me shumë armë për ta marrë kështjellën që kërkon. Ai përdor gjithçka: vizaton më flamastër e me vaj, shkruan tercina dhe haiku, ode, esse, dialog, tregim; polemizon, filozofon, hulumton etj., etj.

Moikom Zeqo njihet si poet, prozator, gazetar, arkeolog, historian, politikan etj. Në letërsinë e sotme postmoderniste kjo është diçka e zakontë, por kërkon një personalitet të madh.

Kjo është diçka moderne, por si shumëçka në këtë botë, e ka zanafillën në lashtësi. SI rregull vepra të tilla janë quajtur traktate, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se për Moikom Zeqon kjo është pak ta thuash, sepse në të vërtetë me njohjen që unë kam në mbarë letrat e botës, nuk e gjen një guxim kaq të gjerë dhe të suksesshëm.

Vërtet që Lomonosovi shkruante vjersha në marxhinenë e artikujve shkencorë, por nuk i botonte bashkë. Bonaparti hartonte ligje mbi hartat ushtarake, madje Balzaku i shkruante edhe borxhet nëpër kapitujt e romaneve, Da Vinçi skiconte helikopterë mbi gruntin e telajove.

Migjeni i madh te “Vargjet e lira” ka botuar së bashku poezi dhe tregime. Hemingueji bën ndryshe: mbledh dy tregime dhe i quan roman. Lukiani shkruan për shkencat e natyrës në vargje. Gogoli shkruan romanin “Shpirtrat e vdekura” dhe e quan poemë, kurse Pushkini bën poemën “Eugen Onjegin” dhe e quan roman. Piktorët japonezë i shkruajnë poezitë e tyre mbi akuarele e të tërë këta kanë bërë kryevepra.

Pra veprat e Zeqos janë sa letrare aq edhe shkencore e brenda këtij përcaktimi gjithsesi me prioritet edhe mund të quhen thjesht vepra arti, pasi vërehet lehtë dhe qartë se si artisti Zeqo me veprat e veta është më i dukshëm. Është një artist-shkencëtar dhe ne të tillë nuk kemi patur, veç ndoshta Naim Frashërin deri diku. Vepra e Zeqos nuk mund të ngatërrohet me veprën e Akimovit, Hajerdallit, Prustit, Sartrin, sepse kompozimi i veprave të tij të kujton emulsionin në kimi. Me perceptim, aty dallojmë qartë shtresat poetike, teologjike, historike etj..

Të paraqitesh kështu në shumë plane, si të thuash i veshur edhe në vjeshtë edhe në pranverë, bile në shumë stinë, duhet të pranojmë që është një mrekulli.

Le të flasim për poezinë e Moikom Zeqos.

Që në vitet 70 ai fillon e shkruan ndryshe. Kjo gjë ka kaluar pa u kuptuar mirë, pa zhurmë, e megjithatë Moikom Zeqo është vlerësuar nga kritika dhe lexuesi si një ndër më të mirët poetë shqiptarë.

Karakteristika e parë e tij është ajo, që Zeqo ka një fantazi të çmendur dhe kjo fantazi e çmendur, e pasur dhe e pashembullt veç ndoshta ndonjë Ginsberg apo Janis Ricos, nganjëherë kthehet në karusel dhe kësisoj lexuesit të pamësuar me përshpejtësi marramendëse poetike i vjen lodhja. Dhe ja përse: në vrap e sipër Zeqo të ngjan me një skulptor, që bën punën e 100 skulptorëve duke vrapuar nga njëri tors në tjetrin, duke hedhur një spatul argjil aty-këtu, duke daltuar diçka, duke bërë rrëmujë dhe duke lënë patjetër diçka përgjysmë në këtë atelie të çuditshme. Kësisoj shumë përfytyrime, figura, ide dhe imazhe mbeten përgjysmë.

Që në librin “Qyteti Feniks” në vitet 70, Zeqo del me një poezi të re, ku dukshëm ka kapërcime para të cilave Pindari duket një fluturues i thjeshtë. Bie në sy një kuptim metafizik i gjithësisë, që të kujton disa Rembo.

Ka përmasa kozmike në hapësirë dhe në kohë dhe përfytyrime të paperceptuara deri aso kohe në letërsinë shqipe, por që bota i ka njohur te Remboja, Blejku, Valeria, Ginsbergu e pse jo që më përpara te Konfuci dhe te Du Fu.

Një kapërcim i nivelit poetik që në vitet 70 i Zeqos drejt emancipimit të metaforave dhe të shtjellimit tematik e çoi edhe te një kapërcim i veçantë i prozës në vitet 90. Kështu, poezia dhe proza e Zeqos janë e njëjta gjë. Ne na mahnit uniteti i tyre dhe biem në mendime për gjërat e veçanta apo për motivet me një ambiguitet të shumëfishtë.

Në poezinë e tij do të ndeshemi me qytetërime, ide, përkufizime, kapërcime, hapësirë, kohë, fantazi e pafund, një vrap i lodhshëm nga një tablo në tjetrën nga një ide te tjetra, nga një cep i kozmosit te tjetri. Në një vend Moikomi mrekullohet para fjalëve të Homerit: “Anije të shpejta si mendimi”. Kjo ka bërë që të thuhet se është shumë vështirë të shkruash për Zeqon. Po s’do mend për këtë duhet kulturë, pasi Zeqo njihet si ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjithë kohërave.

Në një shkrim për Kadarenë, kam thënë që të hysh dhe të kuptosh diçka nga Luvri duhet kulturë. Gjë për t’u çuditur, siç thuhet në prozën popullore dhe që nuk është kapur nga asnjeri, është fakti që Moikom Zeqo në tërë veprimtarinë e tij është i pari teolog shqiptar që nga Bogdani e këtej, por një teolog i llojit të vet, disi volterian; dhe e them këtë sepse në tërë veprat e tij me gjithë dashurinë për mitet e Lindjes etj., del ideja socialiste që kjo botë me tërë këto dhimbje, padrejtësi shoqërore dhe vuajtje nuk ka sesi të jetë vepër e një hyjnie mëshirëmadhe e mëshirbërëse.

Këtë Zeqo e jep më së miri pa blasfemuar, pa fyer kërkënd, sepse ai është i dashuruar pas mitologjisë kristiane dhe asaj mistike, por më tepër si estet, pasi lehtë kuptohet se Zeqo është një ateist modern i mësuar me konceptin e Zotit si “qenie supreme” (Hegel), si “intelekt i përsosur” (Ajnshtajn). Është e para herë që në Shqipëri shkruhet për një demiurg mbi kategoritë filozofike, larg konceptit patriarkal të miteve të Lindjes.

Në botë ekzistojnë qindra fe dhe hyjnitë e tyre janë krijuar mbi bazën e kulturave përkatëse, prandaj këto hyjni tingëllojnë disi të vonuara dhe nuk mund të përqasen me kulturën e sotme teknike, Zeqo i dashuron ato më tepër si estet dhe poet, duke i vlerësuar fetë si kulturë, përfshi edhe fetë e vdekura të grekëve e asketëve etj..

Në besimin e tij, Zeqo është më tepër poet dhe hulumtues. Ka disa tregime jashtëzakonisht të bukura nga bota e fesë, por që nuk mund t’u thuash tregime fetare.

Filozofia moderne nuk e pranon konceptin e Zotit, siç e japin fe të ndryshme dhe u ka bërë kritikë tërë miteve mbi hyjnitë. Por nga ana tjetër, ajo nuk rresht së kërkuari një koncept të ri të “supermitetit” (Hajdeger), ç’ka siç duket është e parakohshme ose ndoshta fare e pamundur për arsyen njerëzore. Megjithatë, thotë me të drejtë Zeqo, fetë kanë bukurinë e tyre, moralin e tyre ndaj duhen dashur e respektuar. Si teolog Zeqo më pëlqen aq sa Thomas Akuini dhe mistikët e Persisë. Sidomos është interesant fakti që Zeqo bën krijim duke paraqitur idetë moderne mbi eternitetin, kohën, hapësirën, Big Bengun, demiurgun; dhe këto të tëra janë paraqitur në poezi në një stil tepër modern e të shkëlqyer.

Sigurisht nuk mund të rri pa thënë diçka rreth arkeologjisë, pikturës, ashtu siç i koncepton së  bashku Zeqo. Një ndër kulmet e krijimtarisë së tij është studimi serioz mbi Onufrin, një piktor i jashtëzakonshëm, që ka bërë epokë jo vetëm në pikturën shqiptare, por në mbarë atë bizantine. Me një gjuhë të një stili të përveçëm ai bën një analizë shkencore të veprimtarisë së Onufrit, por si lexues, ndoshta më tepër mua më bën përshtypje figura e këtij prelati të ngjyrave që e pasuron më shumë kulturën tonë. Ai bën një analizë të shumanshme dhe ka në dispozicion një dokumentacion të habitshëm historik dhe etnik dhe mbi këtë bazë është zbërthyer fryma e krishterë e kësaj pikture, që është një klithëm që jehon dhe do të jehojë gjatë nëpër shekuj, mënyra e konceptimit të botës nga ana e Onufrit, për të parën herë thuhet këtu, se del nga tradita e ngurtë e pikturës dhe e ikonografisë bizantine.

Po kështu, me interes janë dhe elementët shqiptarë në pikturën e Onufrit, ngjyra e tij, e kuqja e famshme, bota e brendshme që del me dridhjet e vogla të penelit, luhatjet mes teologjisë së ngurtë dhe një farë bektashizmi, pasi në pikturën e Onufrit, pas një analize të hollësishme dalin mjaft elementë thjesht laikë.

I parë në këtë prizëm ashtu si Borgesi, Zeqo lidh epokat duke fshehur perin. E pra fare mirë konstatohet lidhja mes Onufrit dhe bektashianëve. Duket diçka e çuditshme sesi Onufri është i pari bektashian. Por Zeqo është marrë me gjëra të çuditshme!

Jam dakord plotësisht me shkrimet ku thuhet që librat e Zeqos kanë një autonomi të brendshme dhe madje ata mund të lexohen duke hapur çdo faqe, tamam si Bibla.

Por kjo është një Bibël e Re, moderne dhe e besueshme.
Ashtu si dhe Kadareja i madh, Moikom Zeqo përbën një fenomen në letrat shqipe dhe jo më kot, po i përqas këto dy figura madhore dhe autoritare.

Fenomeni Moikom Zeqo është koncentrimi i një intelektualiteti të lartë, etapë e re e letërsisë dhe e kulturës shqipe. Nuk është e vështirë ta dimensionosh, më saktë dimensionimi hierarkik i librave të Zeqos është një çështje kohe dhe të kuptuari.

Është elegante dhe magjike që të thuash, se çdo shkrimtar i vërtetë shkruan vetëm një libër gjatë gjithë jetës. Ky libër mund të ketë disa faqe paradoksesh gjeniale dhe metaforash tekanjoze si te Rembo apo Uitmani.

Të mos harrojmë dhe skicat e jashtëzakonshme me përtëritje fuqish me një emancipim të përhershëm të Migjenit. Kush tha se Homeri ka shkruar librat e trashë? Epose të mëdhenj, karakterizohen jo nga fletët e shumta të shkruara. Te Zeqo mund të ishte hapja e një epoke të re. Të shkruarit tradicional nuk do të thotë që nuk ka modernitet. Moderniteti është më tepër një esencë e konceptimit dhe e formës. Por në epokën postmoderniste Zeqo me një të menduar të ri krijon një gjuhë të re. Të habit, por edhe të krijon shpesh vështirësi pafundësia e paradokseve. Cdo paradoks është fillesa e filozofisë. Këtë e dinte Herakliti i thinjur, me sa duket Borgesi e përcolli letërsinë e paradokseve si korridat spanjolle, ku toreadorët ndeshen me demat. Edhe Zeqo parapëlqen spektaklin e ideve, por preferon disa përplasje më të fshehta. Ndaj i pëlqen mistika e bektashianëve si një formë e re e zarathustrizmit.

Si mik i vjetër i Moikom Zeqos e kam ndjekur krijimtarinë e tij. Nuk është vetëm kultura që krijon simfonizmin letrar Moikomian. Një lëvizje nebuloze, që ka të bëjë me gjenezën e tij është kudo e pranishme në librat e tij, ashtu siç është vetë jeta. Autori gati ironizon formulat absolute, por relativizmin moral e shikon me shpoti, nuk ka droje edhe ta satirizojë. Të habit lirika e brendshme e fjalës, ndonëse shkujdesja poetike flet më tepër për një thyerje të qëllimshme të rregullave, gjë që vjen nga përvoja e gjatë. Dendësia e ideve është kaq e madhe në një fletë libri, sa të tjerë shkrimtarë me të njëjtën lëndë mund të shkruanin dhjetëra faqe.

Kjo dashuri intelektuale për sintezën është e rrallë dhe deri diku mund të them që ky shkrimtar është i vetmuar. E pra kështu në këtë mënyrë, ai kërkon të na ç’mitizojë vetminë e tij dhe të botës.

Ky njeri dhe krijues nuk është kuptuar siç duhet. A nuk ndodh kështu edhe me poetin e mrekullueshëm Ndre Mjeda? Si dreqin në të gjitha kohërat, Mjeda qenka “i panjohur”, “i pakuptueshëm”? Ky shkrim është padyshim një ftesë diskutimi. Kështu duhet të kuptohet. Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, tendosje dhe padyshim shumë dashuri.  Sepse ai e meriton këtë dashuri. Ai vetë ka dhënë shumë dashuri.

(Botuar fillimisht në gazetën “Albania”, 9 gusht 2001). /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back