
Agjencia e lajmeve gjermane “DPA” shkruan se kancelarja gjermane Angela Merkel do të përpiqet të bindë Presidentin e Francës Macron që të heqë dorë nga vetoja e tij për Maqedoninë dhe Shqipërinë në lidhje me procesin e tyre të anëtarësimit në BE.
Media gjermane shkruan më tej se kjo mund të jetë një çështje diskutimi gjatë takimit që do të zhvillohet të dielën, përpara mbledhjes së Këshillit Evropian javën e ardhshme.
“Gjermania miratoi hapjen e bisedimeve të pranimit me të dy vendet në tetor, ndërsa Holanda dhe Danimarka janë dakord vetëm për Maqedoninë që të fillojë bisedimet.
Vendet e tjera shihen si kryesisht pozitive për Maqedoninë dhe Shqipërinë, me një vërejtje që Greqia dhe Bullgaria nuk duan të shohin që të dy shtetet të ndahen në këtë proces”, shkruan me tej DPA.
Në një shkrim të botuar nga Reutres të shtunën e kaluar shkruhej se “nëse ministrat e BE nuk arrijnë të bien dakord përsëri, çështja mund të diskutohet në samitin e liderëve kombëtar me 17-18 Tetor në Bruksel”, ndërsa më tej citohej një diplomat i lartë i cili deklaronte se: “Atëherë do të ishte në dorën e Merkel të bindte Macron-in, nëse është e mundur”.