I ftuar në emisionin tashmë të njohur RREFIM në Tv Scan, intelektuali dhe ndërtuesi i njohur, Hajredin Fratari, pasardhës dhe pinjoll i një prej familjeve më patriotike dhe intelektuale të Shqipërisë, (ku babai dhe gjyshërit e tij nga nëna dhe babai ishin të diplomuar në kolegje dhe universitete të huaja si Greqi, Turqi, Itali etj), ka rrëfyer për herë të parë dhe shumë ngjarje dhe detaje nga jeta e tij.
Duke filluar që nga fëmijria e tij, ku ai dhe e motra u rritën vetëm me nënën dhe pa baba, për shkak se i jati, Rauf Fratari një ish-ushtarak madhor i Monarkisë i diplomuar në Modena, dhe më pas pjesmarërs në Konferencën e Pezës dhe në Mukje, u deturua që të arratisej nga Shqipëria dhe të vendosej fillimisht në kampet e Italisë, (bashkë me Mithat Frashërin, Abaz Kupin etj) e më pas në SHBA, ku në vitin 1973 u ekzekutua nga njerëz të futur nga Sigurimi i Shtetit.
Më pas në rrëfimin e tij Hajredin Fratari u ndal te arrestimi dhe dënimi i tij në vitin 1979, duke treguar dhe torturat që i bëheshin si në hetuesi që ai të pranonte akuzat e sajuara nga Sigurimi i Shtetit dhe më pas në Revoltën e Qafë Barit, ku ai u torturua përsëri, pasi bashkë me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, Dalip Zhabollin, u akuzuan se kishin nxitur revoltën. Në fund të emisionin z. Fratari bëri publike dhe disa foto të rralla, ku ai me disa nga miqtë, shokët dhe bashkëvuajtësit e tij, si: Avokat Spartak Ngjela, Avdulla Sallaku, (përkthyes e gazetar), Padër Zef Pllumi, (At françeskan, shkrimtar e publicist), Mark Shkreli (inxhinier kimist), Gëzim Peshkëpia (arsimtar dhe publicist), të cilët janë cilësuar dhe realisht kanë qenë elita intelektuale e burgjeve komuniste për kohën që ata kanë vuajtur. Këto foto që Memorie.al po i sjell dhe i publikon për lexuesit e saj, janë bërë në gërmadhat e kampit-burg të Ballshit, ku ata kaluan vite të tëra.
“Dekanati” i burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të cilët për shumë vite kishin qenë dhe në burgun e tmershëm të Burrelit, janë mbledhur dhe bërë bashkë duke pozuar aty, diku në vitin 2002 pas një ftesë nga Dine Fratari, me rastin e një ceremonie dekorimi në qytetin e Fierit që iu bë gjyshit të tij (Hajredin Fratari), nga Presidenti i Republikës, me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë ku ai ishte një nga firmëtarët. /Memorie.al