Për të tretën ditë radhazi vazhdojnë protestat në Veri të Kosovës, të cilat shpesh herë kanë kaluar edhe në përplasje me policinë dhe forcat e KFOR-it.
Përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, përkatësisht të tërhiqen edhe kryetarët shqiptarë të komunave, edhe njësitspeciale të Policisë së Kosovës nga Veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe.
Mbledhja e protestuesve ka filluar që në orët e para të mëngjesit. Sipas REL, në Zubin Potok protestuesit serbë kanë nisur të mblidhen para ndërtesës së komunës që nga ora 7 e mëngjesit. Të pranishëm kanë qenë gjithashtu edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Dhjetëra protestues janë mbledhur edhe në Zveçan para objektit komunal, ku paqeruajtësit e KFOR-it kanë ngritur tela gjemborë.