Aktualitet

FOTO E DITËS/ Deputetë socialistë dhe demokratë para Kuvendit... në pritje të “Revolucionit”

Shkruar nga Liberale

Mundet që në Kuvend, ashtu siç ka ndodhur historikisht, situata të ketë qenë e ashpër këto ditë. Sidomos mes deputetëve socialistë dhe pjesës së Rithemelimit në PD.

Por nuk duket edhe aq e tensionuar situata para dhe pas daljes nga Kuvendi të deputetëve të cilët “përleshen” brenda sallës së parlamentit.

Përkundrazi, pamjet e siguruara në hyrje të Kuvendit nga tre deputetë, njëri socialist dhe dy demokratë, në ditët “e nxehta të Revolucionit” që ka paralajmëruar një pjesë e pozitës, tregojnë të kundërtën e asaj që pretendohet.

Teksa brenda sallës deputetët përplasen me akuza të forta dhe deklarata të rënda për njëri-tjetrin, aq sa ndërhyn garda dhe “shmang” ndonjëherë përplasjet fizike, çka duket për shumë komentues në rrjetet sociale sikur ata përpiqen thjesht të konkurrojnë me “Big-Brother” për të fituar audiencë, sepse, jashtë jo më larg se dera e parlamentit, "rolet" ndryshojnë.

Fotografi i Panorama Plus, Erdi Mara ka kapur momentin kur deputeti socialist Arben Pëllumbi ka qenë tek dera e Parlamentit, teksa ka pritur mjaft ngrohtë dhe ka shoqëruar brenda sallës dy kolegët nga Partia Demokratike, përkatësisht, Tritan Shehu dhe Luan Baçi.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH