Aktualitet

Foto dramatike/ Vrasësi i ish-kryeministrit qëndron disa hapa pas tij, në pritje të momentit për ta qëlluar

Shkruar nga Liberale

Është shfaqur imazhi i parë rrëqethës i vrasësit të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, i cili qëndronte disa metra pas tij, pak çaste para se të godiste.

Në foto ai duket i butë dhe modest, me veshje të gjelbra dhe një maskë që fsheh fytyrën e tij me syze ndërsa të tjerët duartrokasin ardhjen e njeriut që ishte një ish-lider botëror.

I armatosuri Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, sulmoi Abe, 67 vjeç rreth orës 11:30 të mëngjesit në qytetin e Nara, ndërsa kryeministri më jetëgjatë i Japonisë mbajti një fjalim në fushatën elektorale përpara zgjedhjeve të dielën.  Ai u dërgua me urgjencë në spital me plagë në zemër dhe qafë dhe vdiq nga gjakëderdhja.

Yamagami e qëlloi Abe dy herë me një armë gjahu të bërë në mënyrë artizanale nga dy copa tubi të ngjitura në një dërrasë druri, me një mekanizëm shkrepjeje elektronike të vendosur poshtë. Nuk është e qartë se çfarë lloj municioni apo baruti ka përdorur.

Detektivët që bastisën shtëpinë e tij zbuluan një arsenal pistoletash të prodhuara në shtëpi dhe 'eksplozivë të mundshëm', të cilat u morën për t'u asgjësuar. Yamagami gjithashtu i ka thënë policisë se ai prodhonte pistoleta të shumta, të cilat janë të paligjshme për t'u mbajtur në Japoni.

Nuk dihet saktësisht se si Yamagami mësoi të bënte armë ose eksplozivë, por ai është një veteran i forcave të mbrojtjes së vendit, pasi ka shërbyer në marinë midis viteve 2002 dhe 2005.

Ai e ka pranuar se qëlloi, duke i thënë policisë se donte të vriste Abe sepse ishte 'i frustruar' me ish-udhëheqësin, megjithëse këmbëngul se inati nuk kishte lidhje me politikën e tij.

Abe ishte një figurë madhështore në politikën japoneze: Ai shërbeu dy mandate nga viti 2006 në 2007, dhe më pas përsëri nga viti 2012 derisa shëndeti i dobët e detyruan të jepte dorëheqjen në vitin 2020. Ai pati ndikim të madh brenda Partisë Liberal Demokratike edhe pas largimit nga detyra, dhe ishte në Nara për të mbështetur kandidatin vendor përpara votimit të së dielës.

Kryeministri aktual Fumio Kishida e quajti të shtënat një sulm mbi "themelin e demokracisë", duke e përshkruar atë autorin si "të urryer", "barbar dhe keqdashës" dhe "absolutisht të pafalshëm". “Do të doja të përdorja fjalët më ekstreme në dispozicion për të dënuar këtë akt”, shtoi ai.

Videoja e marrë pak para të shtënave tregon Abe duke mbërritur në vendngjarje dhe duke përshëndetur njerëzit përpara se Yamagami të dalë nga pas një banderole.

Ai ecën pas politikanit dhe kur ai fillon të flasë, nxjerr armën nga çanta dhe qëllon për herë të parë. Kur Abe kthehet, autori qëllon për herë të dytë.

Trashëgimia e Abe do të jetë ndoshta më e rëndësishmja nga liderët japonezë të pasluftës, një konservator dhe reformator ekonomik, që e bëri vendin një lojtar të fuqishëm në skenën botërore.

I lindur në një dinasti politike, gjyshi dhe daja i madh i Abe-s kishin shërbyer si kryeministra para tij dhe ai ishte i përgatitur për pushtet që në fillim.

Ai u bë kreyministër për herë të parë në vitin 2006 në moshën 52-vjeçare, më i riu që ka mbajtur ndonjëherë këtë detyrë, por u zhyt në skandal dhe u tërhoq befas pas vetëm një viti, ndërsa vuante nga koliti ulceroz i zorrëve.

Ai rifitoi postin e kryeministrit në vitin 2012 dhe mbajti këtë detyrë për tetë vitet e ardhshme, duke e bërë atë kryeministrin më jetëgjatë të Japonisë, përpara se të detyrohej të jepte sërish dorëheqjen në vitin 2020 kur gjendja e zorrëve u rishfaq./Përshtati Liberale.al

[gallery columns="1" size="full" jnewsslider="true" ids="1254641,1254643,1254642,1254640,1254639"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH