Aktualitet

Forumi në UET: Kufiri detar, fundi apo fillimi i një konflikti

Shkruar nga Liberale

Çështja e “detit” solli në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës një forum me diskutim gati shterues, i organizuar nga Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku të pranishëm ishin jo vetëm pedagogë, por studiues dhe studentë të cilët dhanë fakte, analiza, por edhe mendime rreth saj.

Negociatat për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë janë një pikë e nxehtë e diskutimeve në 10 vitet e fundit, që janë kthyer sërish në qendër të vëmendjes akoma më tepër pas një deklarate të kryeministri grek, Kyrakos Mitsotakis në Parlament, ku tha se shteti i tij do të vijojë shtrirjen deri në 12 milje edhe në detin Jon.

E më pas u pasuan nga disa deklarata të mediave greke, të cilat shkruanin se në vitin 2018 ndërhyrja e presidentit turk, Erdogan anuloi vizitën e ish-kryeministrit Cipras në Shqipëri ku do finalizohej marrëveshja e re e detit.

Por kryeministri Rama e mohohi menjëherë ndërhyrjen turke, një shtet që në fakt ka shprehur hapur mbështetjen ndaj Shqipërisë në rast të ndonjë agresioni nga fqinji ynë jugor.

E pikërisht këto deklarata e zhvillime u bënë edhe çështje e diskutimit në UET.

Prof. Dr. Arjan Starova u tregua kritik, por edhe i shqetësuar ndaj një deklarate të kreut të qeverisë shqiptare.

“Më ka bërë përshtypje diçka. Si ka mundësi që kryeministri i vendit tim të thotë që: "është e drejtë e Greqisë që të shtyjë kufirin e zonës detare". E bën çështjen si të mirëfilltë dhe mendon se ai ka të drejtë dhe ne nuk do të bëjmë diskutim, por do bëjmë dhe me të drejtë”, tha profesor Starova, ndërsa i mëshoi fort faktit që sa i përket negoicatave duhet një palë e tretë.

"Të ketë një palë të tretë, të jetë dikush, një institucion ndihmues ose ndërmjetësues që të mundësojë ndërmjetësimm mes Greqisë dhe Shqipërisë që të arrihet më e mira dhe të ketë marrëveshje", u shpreh Arjan Starova.

Ndërsa nga ana tjetër kapiteni, Artur Meçollari tregoi edhe sfidat me të cilat mund të përballesh dhe strategjitë që duhet të ndjekësh si pjesë e një grupi negociator.

“Kur bëhen negociata është një luftë e vërtetë në konceptin e sfidave. Duhet t'i kundërvihesh strategjisë së kundërshtarit, dhe nëse ai të njeh strategjinë fiton edhe "luftën". Thelbi është kush janë pikat më të forta të kundërshtarit dhe grupi negociator duhet të mos dështojë në këtë pikë. Faktorët që ndikojnë në grupin negociator nuk janë vetëm ministri i Jashtëm apo kryeministri. Negociatat ngelen në mes nëse të gjithë nuk i mbështesin ato”, u shpreh Meçollari.

Mirëpo Prof. Dr. Fatos Tarifa u shpreh i mendimit se marrëveshja e detit duhet të shtyhet sa më larg për të kapërcyer vështirësitë e diplomacisë sonë.

“Përsa i përket marrëveshjes së detit duhet ta shtyjmë atë sa më larg. E vetmja diplomaci e mirë që ne duhet të ndjekim në marrëdhëniet me Greqinë për çështjen e detit duhet ta shtyjmë ate sa më larg në mënyrë që të kapërcejmë çdo vështirësi që diplomacia jonë ka në kohën e sotme”, tha profesor Tarifa.

Ndërsa Meçollari theksoi se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të mbështetur një marrëveshje detare.

“Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të mbështetur një marrëveshje detare si nga pikëpamja këshillimore dhe nga pikëpamja e gjeometrisë. Por gjithashtu ka edhe studime hidrografike dhe hardografike, kapacitete nga pikëpamja e mekanizmave. Sot ka studime të plota dhe harta, që nuk është vetëm hardcopy, por edhe elektronike dhe shitet ndërkombëtarisht. Kemi kapacitete teorike dhe praktike të delitimimit që është një teori shumë e vështirë. Nga pikëpamja e mbështetjes teknike dhe forcave detare i kemi këto kapacitete”, vijoi ai.

Diskutimi mori një tjetër ngjyrë kur Prof. Dr. Kristaq Xharo u shpreh se ne si shtet na mungon strategjia kombëtare.

“Meqë kemi strategji sigurie dhe mbrojtje na duket sikur kemi dhe një kombëtare. Bëhet fjalë për një strategji madhore që nuk e kemi, por sigurisht që duhet”, tha Xharo.

Ndërsa ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Prof. Dr. Xhezair Zaganjori e vuri theksin tek defektet e marrëveshjes së vitit 2009. Sipas tij problemet që konstatohen në vitin 2009 janë në 3 linja kryesore. E para në objekt, e dyta në metodologji dhe e treta që ka të bëjë me ishujt.

Po ashtu ai përmendi edhe parimin e Ekitesë, ku çdo element që ka të bëjë me ndarjen e hapësirave detare duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë, aq më tepër kur bëhet fjalë për ishujt të cilëve mund t’i jepet efekt i plotë.

“Duhet të ulesh në bisedime si palë e barabartë dhe duhet të marrësh parasysh efektet e ishujve në ndarjen e hapësirave detare”, u shpreh Zaganjori.

Ndërsa Prof. Asoc. Dr. Ervis Iljazaj solli një qasje shumë interesante të asaj që ka ndodhur në Shqipërinë postkomuniste.

Sipas profesor Iljazajt problemi nuk qëndron tek politika e jashtme, por tek ajo e brendshme.

“Tradhëtar dhe patriot” , ishin dy fjalë që e shqetësonin profesor Iljazajn, por edhe e bënë me interesant diskutimin. Sipas tij përdorimi i kësaj retorike e dobëson Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve.

“Krijohet një frakturë shoqërore, një ndarjë shoqërore. Klasa politike si në Shqipëri si në Kosovë është e ndarë dhe kjo i dëmton shumë në favor me fqinjët”, u shpreh ai.

Profesor Tarifa e vuri gjithashtu theksin tek marrëdhëniet, Shqipëri-Greqi-Turqi duke e parë më gjerë çështjen e detit.

“Diplomacia shqiptare duhet të tregohet e vëmendshme pasi si Greqia dhe Shqipëria konsiderohen zyrtarisht partnerë strategjikë.

Greqia mund të jetë një partner strategjik për ne, po ashtu edhe Turqia. Por të dyja vendet janë në konflikt dhe qëndrimi ynë duhet të jetë shumë i matur, aq më tepër që dhe në vetë jemi në konflikt me Greqinë, përsa i përket marrëveshjes së detit”, tha ai.

Ndërsa Prof. Asoc. Dr. Enri Hide u shpreh se si Greqia ashtu edhe Turqia nuk janë përgatitur për luftë, por për të shkaktuar kosto të pabërballueshme nga pikpamja ushtarake, ekonomike etj. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH