Aktualitet

Forumet UET/ Rëndësia e Censit 2023 sfidat dhe arritjet

Shkruar nga Liberale

Cikli i përjavshëm i forumeve në Universitetin Europian të Tiranës nisi të premten me temën aktuale të censit të popullsisë në Shqipëri ku e ftuar për të folur rreth arritjeve dhe sfidave ishte Drejtuesja e Përgjithshme e Institutit të Statistikave, Znj. Elsa Dhuli.

Nën moderimin e Dekanes së Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës në UET, Prof.Asoc.Dr. Teuta Xhindi, Znj. Elsa Dhuli dha një tablo tejet të detajuar të punës voluminoze që përfshin censi i popullsisë dhe po kështu u ndal në problematikat e përgjithshme me të cilat janë ndeshur censet e shkuara të zhvilluara në Shqipëri.

Fillimisht Znj. Dhuli shpjegoi qartë se përse termi më korrekt që duhet përdorur është “cens” jo “census” dhe as “numërim, apo regjistrim i popullsisë”. Ajo sqaroi se “cens” është shqip dhe sikurse e thekson dhe fjalori i gjuhës shqipe ai parashikon “numërimin dhe regjistrimin periodik” të popullsisë rezidente për 12 muaj në Shqipëri, por që shoqërohet me metodologji më komplekse se sa thjesht shqyrtimi i të dhënave bazë apo regjistrave të ndryshëm administrativë.

“Ky i këtij viti është censi i dymbëdhjetë në historinë e shtetit shqiptar, sigurisht i pari ka qenë ai i vitit 1913 por duke qenë se ishte një cens i pjesshëm, historia njeh zyrtarisht censin e vitit 1923 si zanafillën e këtij procesi në Shqipëri. Për dallime nga regjistrimi apo numërimi i zakonshëm, duhet theksuar se censi që ne aplikojmë nuk bazohet vetëm te verifikimi i regjistrave të gjendjes civile, por edhe te vajtja derë-më-derë dhe shoqërohet me një grup pyetësorësh që mban të dhëna edhe për banesat dhe cilësime të tjera të detajuara që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës,” – u shpreh Drejtuesja e INSTAT.

Znj. Dhuli theksoi se censet kanë periodicitet kryesisht çdo 10 vite, por duke qenë se gjatë vitit 2021, periudha kur duhej të ishte zhvilluar censi i radhës, ishte nën pandeminë e COVID-19, Shqipëria u përfshi në vendet që sipas direktivave të BE-së, u vendos ta zhvillonin në një moment të dytë censin.

Censi ka rëndësi pasi jo vetëm jep një pasqyrë më të qartë të popullsisë, por e shtresëzon atë me të dhëna empirike të vlefshme për politika të caktuara të zhvillimit qoftë ekonomik po ashtu edhe social. Znj. Dhuli ishte e qartë në këtë pikë teksa dha shembuj konkret se në çfarë mënyre mund të ndihmojë censi mirëqeverisjen. Ajo theksoi se në çështje si emigrimi, niveli i edukimit, jetesës, apo cilësia e ndërtimeve censi mund të japë të dhëna të vlefshme për të diktuar më pas politikat e duhura afatgjata.

“Kujtojmë se pas tërmetit të vitit 2019 kishte shumë pak të dhëna të përgjithshme për numrin e ndërtesave të vjetra dhe shtrirjen e tyre në gjithë vendin, kjo kishte shumë rëndësi për atë periudhë dhe u pa se ishte e dhënë me shumë vlera për rrafshin afatgjatë duke qenë se vendi mbetet me aktivitet sizmik të lartë. Vetëm duke pasur një të dhënë konkrete për tipologjinë e banesave dhe ndërtesave mundet që të adresohet më mirë një politikë kombëtare për sa i përket ndërtimit dhe ruajtjes përballë situatave emergjente,” – shpjegoi Znj. Dhuli arsyen se përse këtë vit në Censin 2023 janë përfshirë pyetësorë sa i përket banesave.

Gjatë shpjegimit të saj Znj. Dhuli u ndal te mënyra e përzgjedhjes së pyetësorëve. Ajo theksoi se është bashkërenduar me një grup ekspertësh ndërkombëtar dhe pas disa workshop-e të përbashkëta me grupet e punës. Gjithashtu ajo sqaroi se për sa i përket pyetjeve që lidhen me përkatësinë fetare, ndryshe nga viti 2011, janë konsultuar të gjitha komunitetet fetare dhe pyetjet rreth fesë janë caktuar në bashkërendim të plotë edhe të udhëzimeve ndërkombëtare.

Objektivi për INSTAT është që të dhënat e para të Censit 2023 të analizohen në qershor 2024 dhe më pas të gjitha të dhënat e plota të jenë të mundshme për t’u qasur në dhjetor 2024 sikurse është vendosur nga BE për t’u transmetuar në databazën evropiane njësoj për të gjitha vendet e unionit.

Për zhvillimin e një censi nevojitet një strategji e qartë, që parashikon jo vetëm objektivat, por dhe kostot e nevojshme për të dhënë një hartografi të qartë për zonat e të gjithë territorit të Shqipërisë.

Znj. Dhuli u shpreh optimiste se Censi 2023 do të jetë me rezultate të kënaqshme duke pasur parasysh se ndryshe nga viti 2011 tanimë aplikohet edhe një teknologji më e avancuar, e cila tashmë i jep numëruesve në terren më shumë komoditet dhe shpejtësi në mbledhjen e të dhënave.

Në këtë pikë ajo tha se e ardhmja e censeve është me një teknologji më mbështetëse, e cila mundet të ruajë të dhënat dhe qytetarët përballë informacioneve që japin dhe po kështu të reduktojë edhe afatet apo periudhat duke shkuar drejt censeve që mund të kryhen edhe çdo vit.

E pyetur nga Dekania Prof.Asoc.Dr. Teuta Xhindi se si e sheh ajo raportin mes INSTAT dhe botës akademike, Znj. Dhuli tha se ky raport ka nevojë për bashkëpunim të thellë duke qenë se është pikërisht bota akademike ajo që mundet të zhvillojë metodologji të reja sa i përket kampionimeve dhe analizimit të të dhënave.

“Në censin aktual kemi pasur bashkëpunime me botën akademike. Ka pasur takime me të gjitha universitetet në vend, kemi shqytuar dhe bashkërenduar informacione të detajuara sa i përket pyetësorëve dhe metodologjive, por duhet ta theksoj se botën akademike duhet ta kemi të pranishme në tryezë. Metodologjitë e reja vijnë nga bota akademike dhe ne duhet të jemi në të njëjtin hap me ta, që jo vetëm punonjësit tanë t’i përvetësojnë këto metoda, por edhe të jemi me hapin e kohës,” – u shpreh Drejtuesja e INSTAT.

Pjesë e diskutimeve u bënë edhe studentë dhe stafi pedagogjik i UET që ishte i pranishëm, ndërsa Drejtuesja e INSTAT theksoi mundësinë e praktikave në institucionin që ajo drejton dhe zgjerimin e mëtejshëm të mundësisë së bashkëpunimeve për t’u mundësuar, pse jo, studentëve një karrierë të ardhshme në INSTAT.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH