Letërsi

“Formula e Presidentit: K---BE+NATO+SHBA”

Shkruar nga Liberale
“Formula e Presidentit: K---BE+NATO+SHBA”

Libër i publicistit QEMAL SAKAJEVA, një trajektore e Kosovës  në 42 vjet: 1977-2019

20 vjet pas çlirimit të Kosovës, publicisti Qemal Sakajeva sjell për lexuesit librin e tij më të fundit, “Formula e Presidentit: K--- BE+NATO+SHBA”, një trajektore në 42 vjet: 1977-2019  -  Që nga koha para luftës deri tek projekti i ‘Minishengenit’, një vijë e gjatë dhe e pandarë e historisë dhe politikës së Kosovës.

Libri në dy vëllime, me titull “Formula e Presidentit: K---BE+NATO+SHBA”, i publicistit Qemal Sakajeva, botim i Shtëpisë Botuese “55”, gjendet tashmë  në libraritë kryesore të kryeqytetit. Përmbajtja e tij është e konceptuar në katër pjesë. Pjesa e parë: Koha e klithmës; Pjesa e dytë: Koha e bombardimit; Pjesa e tretë: Koha e lirisë; Pjesa e katërt: Koha e pavarësisë.

Qysh nga shpërbërja e Jugosllavisë, zhvillimet në Kosovë rrodhën në një vijë me thënien e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, e përsëritur aq shumë herë nëpër vite, përcaktim politik që mori trajtën e një formule fizike apo kimike: ”Kosovë e pavarur, e anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në NATO, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Nëse shtjellimi i parë i përket  muajit qershor të vitit 1977, për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës  nga Selaniku i Greqisë (atëherë nuk u lejua botimi i tij), ato më të fundit gjatë vitit 2019, përfshijnë pikëpamje mbi komplotin për ndarjen e Kosovës nëpërmjet të ashtuquajturit “korrigjim i kufirit” apo “përkufizim ndërmjet  serbëve dhe shqiptarëve”, dhe deri te  “Minishengen i Ballkanit”, që ende vazhdon të vërdalliset nëpër zyrat e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë.

“Formula e Presidentit” vjen nga përjetimi, informimi, leximi dhe analiza e përdishme, e përjavëshme, e përmuajshme dhe e përvitshme, në një trajektore të pandërprerë kohore prej 42 vjetësh (1977-2019). Përmbajtja nuk është historia e Kosovës, por janë shtjellime për shumëçka të rëndësishme përgjatë 42 vjetëve të fundit të historisë së Kosovës. Çfarë shkruhet nuk është ditar, por janë analiza nga përditshmëria kronologjike e  dramatikes dhe tragjikes 42-vjeçare të Kosovës. Derisa, dhe më në fund, Kosova u bë një problem botëror, aq sa për Kosovën dhe me Kosovën janë marë e merren shtetet më të rëndësishme të globit, dhe nga “çështje e Kosovës” është kthyer në një “çështje gjeostrategjike”.

Në qendër të librit është populli, territori, personalitetet dhe politika e Kosovës, e vështruar “si element me shumë valenca”: në raport me vetveten, me Serbinë, me Shqipërinë, me shtete të Ballkanit, me Bashkimin Europian, me SHBA, me Rusinë si dhe me tri organizma me fuqi ndikuese botërore -OKB, NATO dhe Tribunali i Hagës.

Në faqet e librit ndeshen rreth 350 emra, të cituar apo përmendur, personalitete të mëdha të lirisë dhe deri te individë kriminelë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH