Medium Personazhe

Ford: Asnjë çmim Oscar, jam njeri i lirë falë personazheve të mia

               Publikuar në : 22:37 - 05/05/20 liberale

Pesë vjet më parë, Harrison Ford u përshi në një aksident ajror. Piloti i apasionuar, po drejtonte një avion të vjetër të Luftës së Dytë Botërore, kur motori i tij befas u fik, dhe aktori u rrëzua bashkë me të në një fushë golfi. Ia hodhi paq me vetëm disa gërvishtje.

Një vit më herët, në sheshxhirimin e filmit “Star Wars”, theu njërën nga këmbët në 2 vende, gjatë një aksidenti në anijen hapësinore “Millenium Falcon”. Një herë tjetër, me avionin e tij shpëtoi 2 ekskursioniste. Megjithatë, ai nuk e pranon se është një hero apo njeri kurajoz:

”Dokrra, nuk jam një njeri i guximshëm. Nuk jam përballur kurrë me situate, ku të më duhej të shfaqja aftësi të veçanta apo heroike, si ato që njerëzit shohin nëpër filma. Për shembull, nuk kam shpëtuar një grua nga një zjarr, duke vënë në rrezik jetën time”.

Fjalët e tij bien ndesh me idenë që ka krijuar publiku për të, në gjysmë shekulli karriere kinematografike. Sot 77-vjeçar, me një jetë të jetuar përmes një lloj hiri hyjnor, aktori duket se ka vërtet kurajon që bashkon personazhet e tij më të famshme Indiana Jones, Han Solo, Rick Deckard në “Blade Runner”, Dr.Kimble tek i “Arratisuri” etj.

Edhe John Thornton, roli i tij më të fundit, një përshtatje e romanit të famshëm të shkrimtarit amerikan Jack London ”Thirrja e pyllit”, që pritet të nisë xhirimet së shpejti, është imazhi i heroit perfekt:i guximshëm, me zemër të madhe, i torturuar nga e shkuara, por i drejtë.

Thornton është një kërkues ari me një të shkuar të dhimbshme, që forcon miqësinë me qenin Buck, protagonist klasik i letërsisë amerikane, në të cilin çështja mjedisore që trajton, është në sintoni të plotë me kohën.

Harrison Ford, pse kjo histori është ende e rëndësishme?

Për jetën që po jetojmë aktualisht, për kontekstin social dhe politik në të cilin jemi zhytur, për atë që po i shkaktojmë mjedisit. Për të gjitha këto arsye, ky film është ende sot shumë i rëndësishëm.

Ju keni luftuar gjithnjë në mbrojtje të mjedisit…

Kam luftuar gjithmonë në mbrojtje të natyrës, nga e cila varet shëndeti i njeriut. Është në dorën e ne njerëzve, të mos e bëjmë atë krejtësisht armiqësore ndaj nesh.

Ne njerëzit jemi të këqinjtë në këtë film?

Ne po shkatërrojmë atë që na mban gjallë, dhe që na ka dhënë të gjitha mundësitë që kemi pasur deri më tani. Natyra s’ka nevojë për ne, jemi ne që kemi nevojë për të. Prandaj, unë mendoj se misioni më i rëndësishëm i njeriut sot, është të përveshë mëngët dhe të zgjidhë problemet që kemi shkaktuar ne vetë.

Dhe si arrihet kjo?

Para së gjithash duke besuar tek shkenca. Pikëllohem kur shoh sesi sot shkenca përbuzet, vetëm për të ruajtur statuskuonë e atyre që janë në pushtet, dhe që duan që gjërat të mbeten kështu siç janë. Është një moment i vështirë, por gjërat do të ndryshojnë.

Politika ka një rol të rëndësishëm në këtë mision. Kë do të dëshironit të sfidonte Trumpin në presidencialet e nëntorit?

Këtë nuk ua them. Por e sigurtë është se do të doja një kandidat të aftë që ta mposhtë atë.

Për momentin në mesin e demokratëve, nuk ka shumë qartësi…

Jo, por të gjitha e gjërat e mira janë në fillim të ndërlikuara. Në fund, do të dalë një sfidant i fortë, kështu duhet të ndodhë.

Le të flasim për filmin. Në 53 vitet e karrierës tuaj dhe 83 filmave të luajtur, është hera e parë që aktroni pranë një karakteri tërësisht dixhital, qenit Buck…

Ka gjithmonë një herë të parë, dhe në krahasim me qentë e vërtetë ka një avantazh, ai nuk jashtëqit mbi qilim. Përtej shakasë, kjo është një histori që të ngroh zemrën, dhe që flet për disa personazhe të patundur në idealet e tyre, të virtytshëm, dhe me aftësinë për të kapërcyer  çdo lloj pengese.

Po flisni për veten apo për qenin Buck, i llastuar dhe i mërzitur deri në momentin kur rrëmbehet për të qenë një qen slite në epokën e garës së ethshme për kërkimin e arit?

Për të dy. Personzhi im John Thornton, ka për detyrë të përfaqësojë njerëzimin në sytë e qenit Buck. Ai vetë ia del të kapërcejë vështirësitë e veta, pikërisht falë raportit që ka me këtë kafshë. Historia e London është shkruar 100 vjet më parë, e megjithatë nuk del asnjëherë jashtë mode, nuk është zhdukur asnjëherë nga raftet e librarive. Dhe kjo e ka një arsye.

Çfarë do të mendonte London mbi filmin, po të ishte mes nesh ?

Nuk e di, Jack London ishte një personazh i ndërlikuar. Një karakter i vështirë. Mendoj se ishte i shkatërruar nga më shumë se një problem në jetën e tij. Ndaj nuk e di se çfarë do të mendonte mbi filmin, por e di se kontabilisti i tij do të kishte qenë i lumtur.

Ju pëlqejnë qentë?

Ta shpifin! Bëj shaka, kam tre qen aktualisht. Në jetën time, qentë kanë qenë gjithmonë të pranishëm, dhe fatkeqësisht kanë fjetur gjithnjë në krevatin tim.

Në jetën tuaj kishit një mik tjetër me 4 putra, Chewbacca i “Star Wars”…

Chewie është një personazh i mrekullueshëm, i dashur dhe admiruar nga brezat, dhe interpretuar nga një person i mrekullueshëm, Peter Mayhew, që fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Me mungon.

A ndjeheni nostalgjik për “Star Wars”?

Nuk jam natyrë nostalgjike. Kam tendencën të shoh gjithmonë përpara.

Në plan është edhe seria e pestë e “Indiana Jones”. A mund të na thoni diçka ?

Asgjë prej gjëje, vetëm se nuk do të vdesë siç ndodhi me Han Solo.

A ka një datë konkrete për fillimin e xhirimeve?

Ende jo, është një film i komplikuar, por jemi  shumë afër nisjes së xhirimeve.

Ju keni bërë kinema që nga vitet 1960, si ka ndryshuar ambienti?

Nuk ka ndryshuar shumë. Është gjithmonë një përzierje e biznesit, argëtimit dhe përvojave emocionale. Ka pasur gjithnjë njerëz shumë të talentuar. Ndryshojnë emrat, por është gjithmonë e njëjta gjë. Megjithtë unë nuk jam i kualifikuar për të folur mbi këtë. Nuk merrem me sistemin që drejton kinemanë, unë thjesht punoj dhe kaq.

Çfarë trashëgimie intelektuale do të donit të linit pas?

Nuk më interesojnë  trashëgimitë. Vlera ime si qënie njerëzore, do të jetë ose jo e shprehur përmes fëmijëve të mi.

A ju ka mbetur ndonjë gjë peng në aspektin profesional?

Jo. Unë jam një njeri me shumë fat. Kam pasur më shumë se sa një jetë. Falë punës time, kam qenë në gjendje të hyj në kokën e shumë personazheve, dhe nga çdonjeri prej tyre kam mësuar shumë. Kam mësuar ndjeshmërinë, si është të ndjehesh nën lëkurën e tjetrit. E kam vlerësuar kontekstin bashkëpunues të punës time, energjinë, imagjinatën.

Nuk keni patur kurrë kënaqësinë e fitimit të një çmimi Oskar…

Nuk jam i vetmi në këtë aspekt, dhe kjo ka qenë e ndikuar nga zgjedhjet që kam bërë. Por janë zgjedhje që do t’i bëja njëlloj edhe sot. Puna ime si aktor, konsiston në dhënien e maksimumit, për të kontribuar në suksesin e një filmi, dhe në disa raste kam pasur sukses. Jam i kënaqur edhe kështu. Filmat që kam realizuar, më kanë lejuar ta jetoj jetën time lirisht, dhe të përballem me të me qetësi. Dhe sërish kështu do veproj.

Çfarë ju bën të lumtur përveç kinemasë?

Avionët, ata janë pasioni im. Unë jam një pilot, dhe më pëlqen të ndihmoj dhe përfaqësoj Forcat Ajrore, komunitetin e aviatorëve. Jam entuziast dhe më pëlqen shumë të jem “fytyra” e këtij pasioni. Më pëlqen t’ua transmetoj atë të tjerëve.

Punoni akoma objekte me dru?

Po, ky ishte një tjetër pasion i imi, por nuk kam kohë. Nuk e bëj më.

A jeni në kërkim të sfidave të reja?

Për mua edhe zgjimi në mëngjes është një sfidë. Gjithsesi në një farë mënyre, çdo ditë arrij deri të shkoj deri në kuzhinë. Përtej shakasë, për mua nuk janë sfida, por mundësi. Nëse i sheh ato si sfida, vë përreth vetes barriera, dhe pastaj rrezikon të dështosh. Mundësitë nuk të tradhëtojnë. / Sette – Bota.al

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back