Aktualitet

Fondet e premtuara për energjinë, BE i kalon Shqipërisë 72 mln euro

Shkruar nga Liberale
Fondet e premtuara për energjinë, BE i kalon Shqipërisë 72

Bashkimi europian lëvroi në favor të Qeverisë shqiptare, 72 milionë euro, pjesë e një pakete mbështetjeje prej 80 milionë eurosh, për të përballuar pasojat socio-ekonomike të krizës energjetike. Këtë e bëri të ditur të enjten Delegacioni i BE-së në Tiranë. Fondi në favor të Shqipërisë, u njoftua që tetorin e vitit të kaluar nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në kryeqytetin shqiptar.

“Kjo paketë mbështet Qeverinë në zbatimin e masave për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri nga ndikimi i krizës energjetike”, deklaroi Delegacioni i BE-së në një njoftim zyrtar, duke shpjeguar se “këto masa të qeverisë përfshijnë disa ndërhyrje: subvencionimin e çmimeve të energjisë (mundësisht nën një prag të caktuar mujor konsumi) për familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri për të ofruar norma të ngjashme si përpara krizës energjetike të vitit 2021”. Sipas përllogaritjeve, mbështetja nga BE pritet të mbulojë rreth 1 milion familje dhe 168 000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Pavarësisht rritjes së fortë që çmimet e energjisë elektrike pësuan vitin e kaluar, qeveria shqiptare vendosi të përballojë vetë kostot e shtuara, duke mos ndryshuar tarifat ekzistuese për familjet dhe bizneset e vogla.

Paketa e BE-së parashikon gjithashtu dhënien e ndihmës financiare për 11 200 persona në nevojë, si dhe mbështetjen e përpjekjeve të qeverisë për të diversifikuar burimet e energjisë përmes investimeve të reja në prodhimin e energjisë nga era dhe dielli, legjislacionit të ri për energjinë e rinovueshme në përputhje me standardet e BE-së dhe skemave mbështetëse për konsumatorët për të instaluar ngrohës uji me energji diellore.

“Vitin e kaluar agresioni rus kundër Ukrainës shkaktoi rritje të mëdha të çmimeve të energjisë në të gjithë botën. Nga kjo paketë mbështetëse e BE-së do të përfitojë drejtpërdrejt të gjithë përdoruesit familjarë të energjisë elektrike dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri duke e ndihmuar kështu qeverinë shqiptare që t’i mbajë çmimet e energjisë elektrike të qëndrueshme dhe që të diversifikojë burimet e energjisë. Ky është një shembull konkret që tregon se si e mbështet BE-ja Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.

Këto fonde janë grante të cilat Shqipëria nuk do të duhet t’i kthejë mbrapsht. Në 2024-ën do të transferohen edhe 8 milionë euro të tjera në pritje të progresit që do të arrihet me zbatimin e masave përkatëse nga qeveria.

Ndihma e BE-së për sektorin e energjisë në Shqipëri përfshin gjithashtu, rivitalizimin e hidrocentralit të Fierzës, instalimin e një rrjeti diellor lundrues në Vaun e Dejës, si dhe mbështetjen e masave për efiçencën e energjisë në biznes nëpërmjet programit IPARD. /voa/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH