Editorial

Foltorja, stadiumi dhe protesta

Shkruar nga Liberale
Foltorja, stadiumi dhe protesta

Arion Sulo

Në “Foltoren” e radhës, që e mbajti në Bilisht, ish kryeministri Berisha bëri premtimin maksimal, që bëhet në politikë. Si në një miting elektoral, ai deklaroi se pas 11 dhjetorit, do të  përcaktohet dita e protestës së madhe, do  shpallen kërkesat, deri në fitoren e plotë. Kuptohet fitorja e plotë ka të bëjë me rrëzimin e qeverisë Rama, paçka se fitorja e plotë në fakt është fitorja  zgjedhjeve.

Përderisa jemi në fushatë edhe më e ashpër se ajo me kundërshtar natyral  politik kemi shumë premtime nga Berisha, i cili në rolin e sfidantit është normale të shpallë avantazhet  drejtimit të tij  të partisë ,  paketën e ndryshimeve statutore, kufizimin e mandatit të kreut të partisë, largimi në rast të humbjeve të zgjedhjeve, primaret në parti, ndarjen e postit të kryetarit dhe kryeministrit etj.

Por premtimi i djeshëm për fitoren  PD –së,  tanimë të drejtuar nga Berisha meriton vëmendje të posaçme, pasi është nuk është vetëm një gënjeshtër e  zakonshme politike e për pasojë e kuptueshme. Ai premtim është një mënyrë e tërë e të bërit politikë, madje është mënyra kryesore sesi Berisha e ka ushtruar politikën prej 31 vitesh, duke  e reduktuar opozitën tek përballja e ashpër, akuza dhe denoncimi.

Shpallja nga Bilishti,  se protesta e ardhshme e pa datë do të arrij fitoren e plotë nuk na tregon vetëm se opozita me Berishën do të jetë si opozita e viteve më të këqija të saj, atyre  98-‘2003, por se opozita do të kthehet 21 vite pas, duke mos pasur asnjë element tjetër veç berishizmit brenda saj.

Por shpallja e protestës që do të rrezojë qeverinë Rama tregoi edhe se kush ka qenë autori i vërtetë dhe vendimmarrësi i vërtetë në opozitë në vitet 2018 -2020, kohë kur u dogjën mandatet, u bojkotuan zgjedhjet lokale dhe u organizuan disa protesta të fuqishme, në fillim të të cilave nga Basha u premtua njësoj si tani nga Berisha, rrëzimi i qeverisë Rama.

Siç e dimë të gjithë qeveria nuk u rrëzua, opozita iu rikthye rrugës institucionale, duke marrë pjesë në reformën zgjedhore dhe arriti Këshillin Politik, i cili e fakto rrëzoi Parlamentin  e PS dhe Opozitës së re, por nuk arriti të bëhej shumicë në 25 prill.

Njëra nga arsyet e humbjes ka të bëjë pikërisht me radikalizmin në ekstrem të opozitës, djegien e mandatave dhe bojkotin  zgjedhjeve, si dhe premtimin e Bashës para çdo proteste se ajo do të ishte e duhura që do të rrëzonte qeverinë. Kjo e bëri të pabesueshëm Bashën dhe opozitën. Përveç disa idiotëve të dobishëm kush tjetër e hëngri përrallën e rrëzimit të qeverisë  me protesta?! A nuk krijoi kosto për besueshmërinë e Bashës ky premtim kaq i madh i pa mbajtur?!

Kundër argumentet se kjo qeveri nuk largohet me votë, por vetëm me protesta dhe të dhunshme madje, janë slogane, të cilat nuk kanë asnjë vlerë politike nëse sheh shifrat e  25 prillit. LSI la për faj të saj 3 mandate për një grusht votash në Gjirokastër, Durrës, Berat, dhe  2 të tjera për ca më shumë në Vlorë dhe Tiranë, që e zbrisnin PS në 69 mandate. Kush thotë se PS do e bënte qeverinë me tre deputetët  Tom Doshit duhet të pranojë se pas kësaj as Berisha nuk do të shpallej “non grata” dhe as qeveria nuk do rezistonte më shumë se fillimi i verës.

Jo rastësisht dje në Bilisht, Berisha përmendi edhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD më 1 dhjetor në stadiumin “Air Albania”. Ideja është masiviteti i turmës që pritet të mblidhet.

Njësoj si në rastin e foltoreve që do të rrëzojnë Bashën, njësoj si në rastin e mbështetësve të Foltores, që shprehen se Berisha ka shumicën e PD nisur vetëm nga masa e njerëzve në tubimet e foltores. Njësoj si në rastin e protestës që premtohet se do të rrëzoj qeverinë. Sigurisht duke harrur ose duke bërë sikur,  se përballë kryeministrisë tani do të jetë protesta e një opozite të përçarë dhe për më shumë të udhëhequr nga një person “non grata” në ShBA./ Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH