1

Fleta e Votimit dhe emri apo numri qe duam?

               Publikuar në : 09:23 - 05/04/21 Anjeza Xhaferaj Rreli

Anjeza Xhaferaj Rreli

 Debati mbi sistemin e duhur zgjedhor në Shqipëri është përherë i ndezur dhe kjo sigurisht se ne nuk jemi asnjëherë të kënaqur prej tij. Edhe pse më në fund ka filluar të artikulohet se nuk është faji i sistemit por mungesa e vullnetit të partive politike ajo që përcakton se sa ndershmërisht formula përkthen në vende në parlament votat e popullit, sërisht, meqenëse vullnetit nuk kemi ç’ti bëjmë i kthehemi sistemit dhe vazhdojmë ta ndryshojmë sërisht e sërisht duke i kërkuar të na japë atë që sitemi në fakt nuk mundet : i kërkojmë të na prodhojë deputetët që duam. Kemi sharë sistemin maxhoritar, atë miks dhe së fundmi edhe atë proporcional. Ua kemi nxjerrë lakrat në shesh për paudhësitë që bëjnë dhe i kemi fajësuar për kriminelët që hyjnë në parlament, për deputetët pa shkollë, për partitë e vogla që edhe pse pa elektorat vazhdojnë të ekzistojnë, për gratë që përmes kuotash të pamerituara dalin në podiumin e kuvendit dhe flasin për ‘kërpëratat’ e për c’nuk e kemi akuzuar këtë të shkretë sistem zgjedhor, a thua se është sistemi dhe jo partitë politike ai që i promovon gjithë të padëshiruarit.

Sistemin e fundit proporcional e akuzuam se i jepte shumë pushtet kryetarit të partisë duke përcaktuar renditjen e kandidatëve fitues në listë dhe bërtitëm me të madhe se po t’i zgjidhnim vetë emrat nga lista, do ishim në gjendje të zgjidhnim deputetin që donim, atë të ndershmin, të pakorruptuar, atë me tituj e grada, ekspertin që do na nderonte e përfaqësonte. E ndryshuam edhe këtë. Pastaj pamë që lista na dilte një çarçaf i gjatë, veçanërisht në Tiranë dhe pyetja që natyrshëm ulëret është: Po t’i nuk e dije? Nuk e dije që një qark që ka 36 deputetë do të ketë në listë nja 100 emra, sepse nëse së paku dy partitë ose grupimet kryesore propozojnë nga 36 deputetë, partitë e tjera në mos 36 do të propozojnë gjithsesi disa. E megjithatë nuk e di për ç’arësye, tërësisht jashtë strategjive elektorale të partive të vogla të cilat nuk arrijnë të prodhojnë – me shumë fat – më shumë se 1 ose 2 deputetë, në Tiranë të gjitha partitë, përpos PS dhe PD,  kanë propozuar nga 36 kandidatë: 36 kandidatë PSD që 36 deputetë nuk ka patur në gjithë republikën as në vitin e saj më të mirë dhe po nga 36 kandidatë Balli Kombëtar, Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare (O Zot po kush e njeh ketë), Partia Bindja Demokratike (Astrit Patozi), Aleanca Bashkimi Popullor (Kujtim Gjuzi- e ç’mund të thuash për këtë), Lëvizja Socialiste për Integrim, Nisma Thurje (gjithë entuziazëm edhe pse për herë të parë), Partia “Lëvizja e Re” (po nga mbiu?), Aleanca Demokracia e Re dhe Lëvizja për Ndryshim (Jozefina Topalli).

Nuk di të them nëse është delirante që parti të vogla ose më saktë inekzistente të propozojnë nga 36 kandidatë në Tiranë edhe pse kodi u lejon që të propozojnë më pak, madje edhe vetëm një, apo kjo është strategji për të dëmtuar cilësinë e fletës së votimit. 36 kandidatë në 12 parti, fleta e votimit në Tiranë ka plot 433 kandidatë për deputetë, duke përfshirë këtu edhe të vetmin kandidat të pavarur Boiken Abazi të Lëvizjes Vetëvendosja! që mesa duket është e vetmja që luan ndershmërisht.

Po pse është problematike kjo? Sigurisht dikush mund të thotë se partë politike shqiptare, veçanërisht ato të voglat, kanë potenciale të mëdha dhe kanë të drejtën e tyre t’i shpalosin, madje ato mund të kenë edhe më shumë potenciale se ç’u lejon fleta e votimit. E supozojmë se kjo është e vertetë, por është jashtë çdo logjike,  siç edhe na rezulton nga strategjitë e partive në vendet e tjera  ku një sistem i tillë aplikohet, që partia të ezaurojë me emra të gjithë listën e kandidatëve. Për shkak të sistemit këta kandidatë luftojnë edhe kundër njeri-tjetrit dhe gjëja e fundit që një parti e vogël do është që të ketë 36 luftime të brendshme kur të gjithë e dime madje edhe ajo vetë pavarësisht optimizmit tejet të pajustifikuar që ka, pra edhe ajo vetë e di se nuk mund të prodhojë më shumë se një deputet (me hatër kjo). Atëherë nga vjen ky delir i të propozuarit 36 kandidatë? Apo nuk është delir por thjesht sabotim i Fletës së Votimit.

A nuk i dinin vështirësitë e një flete të tillë votimi ata që miratuan ndryshimin e kodit zgjedhor? Sigurisht që po. Po atëherë pse farsa se gjoja tashmë ne do të votokemi për kandidatin që duam? Në fletën e votimit ne nuk do të kemi një emër por një numër dhe numri nuk tregon asgjë. Imagjinoni kandidatët e rinj për deputet, pa fonde dhe pa lidhje me bazën e partisë, që përpiqen të edukojnë qytetarin e thjeshtë në këto pak ditë që kanë mbetur për mënyrën e votimit. Në një kohë kur emrat e rinj, shpresa e shumëpërfolur, ata për të cilët u bë gjithë zhurma, nuk kanë arritur ta ndërtojnë ende infrastrukturën komunikuese dhe kur KQZ e vonon dhe është tërësisht e papërgatitur (si zakonisht) për mënyrën e votimit, deputetët e vjetër do vazhdojnë të lëvizin fijet e orientimit të elektoratit ashtu siç kanë bërë ngahera.

Me ç’duket ne sërisht nuk do jemi në gjendje të zgjedhim deputetin që duam. Kur unë marr në dorë fletën e votimit dua të shoh emrin dhe jo numrin: kandidatët kanë emra dhe fytyrë, ata nuk janë numra dhe nuk duhen trajtuar si të tillë. Edhe elektorati meriton të jetë në gjendje të identifikojë kandidatët dhe jo të mësoj përmendesh numrin që do të votojë. Ashtu siç pritej pra edhe kjo reformë zgjedhore nuk na e zgjidhi problemin, sepse faji nuk është i sistemit por i moralit të munguar të politikës sonë. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back