Analizë

Fleksibilitet deri fund  për reformën zgjedhore

Shkruar nga Liberale
Fleksibilitet deri fund  për reformën zgjedhore

Preç Zogaj

Ta themi  edhe njëherë: PD dhe  partitë e tjera të opozitës janë  në sistem, janë  legale, të regjistruara, me programet përkatëse, me selitë dhe siglat përkatëse- të gjitha  ligjore. Ato do të qëndronin  në sistem edhe po të  mos merrnin pjesë  në hartimin e reformës zgjedhore dhe në nisma të tjera  të ngjashme ku rekomandohet gjithëpërshirja.  Asgjë  nuk mund t’i nxjerrë nga sistemi, veç po të  ndodhte  të dilnin  në  ilegalitet dhe të shpallnin si objektiv marrjen e pushtetit me dhunë, gjë që nuk mund të ndodhë  në  një vend të NATO-s, siç është Shqipëria, por pa qenë nevoja të shkojmë te NATO, nuk mund të imagjinohet  për vetë orientimin  programor dhe përbërjen  demokratike të këtyre partive  në  masën dërmuese të anëtarësive të tyre. Partitë  ndërkaq mund të dalin nga sistemi edhe duke u  mbyllur për shkak të humbjes së  mbështetjes dhe mjeteve për të funksionuar. Pra duke falimentuar.  Që nuk është rasti për partitë e opozitës sonë.

Këto parti janë jashtë parlamentit dhe pushtetit vendor  për një zgjedhje politike që kanë bërë.   Rruga e rikthimit  aty ku kanë qenë dhe më lart se kanë qenë  kalon përmes zgjedhjeve dhe s’ka tjetër. Janë pikërisht zgjedhjet  e reja ato  që sugjerojnë një  qëndrim të hapur  dhe impenjimi të opozitës  ndaj reformës zgjedhore.  Një  qëndrim  i tillë  gjen përligje të plotë pikësëpari  në  vetë  kauzën e zgjedhjeve  të lira me  të cilën  kjo  opozitë  ka justifikuar  djegien e mandateve dhe bojktotimin e zgjedhjeve  vendore.  Për koherencë, çdo gjë që lidhet me  rregullimin e zgjedhjeve e  kërkon opozitën protagoniste.  Askush që ka një minimum arsyeje  nuk mund të thotë  se  duke bërë ketë partia po  tradhton sakrificat e saj. Sepse  këtu bëhet fjalë për reformën e kauzës.

Së dyti, qëndrimi i hapur e impenjimi i jep mundësi opozitës të  shpallë dhe avancojë  propozimet e saj për reformën zgjedhore.  Kjo ka vlerë edhe  si public relations.    Njerësit  mësojnë  çfarë   projekti  ka  opozita për sistemin zgjedhor, për   financimin e fushatave, për administrimin, numërimin, votimin e  emigrantëve , e tjerë.

Se  treti,  qëndrimi i hapur e impenjimi  është një  mundësi e mirë  për të forcuar marrëdhëniet  e investuar imazhin  e një force bashkëpunuese me partnerët  ndërkombëtarë - SHBA, BE  dhe OSBE- që qëndrojnë  fort prapa  reformës  zgjedhore gjithashtu. Një gjest bëri PD-ja që dërgoi përfaqësues në  tryezën e thirrur nga OSBE  për reformën zgjedhore dhe amerikanët nuk u menduan  dy herë për të përshëndetur  kryetarin  Basha duke njohur te akti i tij demonstrimin e një udhëheqësie të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë.  Pas një periudhe shumëmujore të marrëdhënieve të ngrira  kur nga SHBA kishim dëgjuar kryesisht kritika për qëndrimet e PD-së dhe opozitës, kjo deklaratë ishte një ngjarje  që gëzoi shumicën dërmuese të demokratëve,  sipas  bindjes sime. (Pavarësisht se zhvillimet  në  tryezë nuk shkuan  deri në fund në linjën që nënkuptonte deklarata dhe  mund ta ketë spërkatur me pak zhgënjim atë). Sidoqoftë, një hap  i parë në drejtimin e duhur  premton për të dytin e të  tretë.

Së katërti, reforma  zgjedhore  është  një prej  prej pikave në listën  e kushteve  gjermane dhe me gjerë.  PD dhe LSI do t’u interesonte politikisht, diplomatikisht dhe elektoralisht të  regjistronin rolin e tyre  aktiv në zbatimin  e këtij kushti, të cilin për shkak të daljes nga Kuvendi nuk  do ta kushtëzonin  dot  po ta kishin në mendje.   Ato  dolën këtë javë me propozimin që reformën zgjedhore ta bëjnë një strukturë e dominuar nga SHBA-BE-OSBE  e cila të imponojë  votimin e  saj në Kuvend. Në pamje të parë duket si një propozim reflektues  ndaj  hendekut që është krijuar midis  opozitës dhe partnerëve gjatë këtij viti  për arsyet që dihen.  Përveçse reflektues,  kam frikë se po shihet  nga ndërkombëtarë  edhe  i tepruar si propozim, madje  dikush mund të qëmtojë aty notat e një ironie  të vogël – bëjeni  ju meqenese i keni marrë përsipër të gjitha!  Ndërkombëtaret  ndihmojnë,  asistojnë pa rezerva, por nuk marrin përsipër  të kryesojnë draftimin  e një reformë që do të miratohet  në Kuvendin e Shqipërisë. Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt e tha qartë: Në nuk e qeverisim këtë vend, që të marrim në dorë reformën, ne nuk jemi të zgjedhur. Disi më  të hapur  amerikanët t që thanë  se reforma  do miratohet në fund nga Parlamenti, por nëse PD kërkon të kanalizojë propozimet e saj, ka mekanizma dialogu që ne nuk i refuzojmë apriori. Duhet mbajtur parasysh se partneret  i qëndrojnë gjithëpërfshirëse . Askush, për asnjë arsye nuk i  shkul dot ato nga ky princip.  Pjesë e realitetit politik në vend, përveç shumicë socialiste dhe opozitës së madhe jashtë Kuvendit, janë grupet dhe deputetët që kanë hyrë në Kuvend nga listat e PD-së dhe LSI-së. Në fund  të fundit reforma zgjedhore do të marrë jetë në Kuvend. Ky fakt i bën faktorë  të pashmangshëm  këta grupe dhe deputetë. Është iluzion të mendohet se ndërkombëtarët që ia kanë nxitur të marrin mandatet do t’i shpërfillnin.  Për të gjitha këto e tjera që nuk po zgjatem,  kam  përshtypjen se propozimi i opozitës për tua lenë  ndërkombëtarëve  reformën zgjedhore , në mos do të kundërshtohet, do të kërkohet  prej tyre të modifikohet në funksion të gjithëpërfshirjes.  Kryeministri Rama u ngut  panevojshëm  duke thënë nga  Nju Jorku  se nuk pranon përkthyes shqip-shqip.  Respektin ndaj ligjvënies  vendase dhe gjithë përfshirjen  e garantojnë e vetë partnerët. Thënë këtë,  opozita duhet të mbajë parasysh se  shumica e  Ramës,  në analizë të fundit,  mund të kërkojë  ta mbyllë  reformën  në Kuvend  me deputetët  “rebelë” të  listës së PD-së dhe LSI-së  duke  u qëndruar strikt  rekomandimeve  të OSBE/ODHIR-it   dhe duke e paraqitur  këtë si plotësim të kushtit gjerman.

Ka  plot arsye të tjera  pse PD dhe opozita  duhet të jenë   deri në fund fleksibël  në rolin e tyre për  hartimin e reformës zgjedhore. Shumë vetë flasin, shumë mendime jepen  cila duhet të jetë strategjia e opozitës  për tu rikthyer në sistem, siç thonë  disa apo në institucione, siç thonë disa të tjerë.

Sot sipas meje, një pikë  kyçe  e strategjisë në fjalë  do të ishte shmangia e çdo qëndrimi që nuk ka mbështetje  nga partnerët,  apo që  e mban fokusin e kriticizmit të tyre nga opozita, siç ka ndodhur  gjatë  muajve të fundit. Rama ka përfituar shumë nga kjo për të fshehur dështime e për  të rrëshqitur vendime dhe veprime  që  rezultojnë skandale, siç janë PPP-të . Kjo histori po vazhdon me pakësimin e vazhdueshëm të oksigjenit për ekonominë  reale  në një anë dhe me  kostot  jashtëzakonisht  të larta në ndërtimin e veprave publike në anën tjetër. Marzhi i aksionit opozitar në rrugë  është ngushtuar  dhe do të vijojë të ngushtohet më shumë pas hapjes eventuale të negociatave dhe plotësimit  shpejt të shumicës së kushteve gjermane.  Boshti i strategjisë së ringritjes mbetet konstuktivizmi në raport me shoqërinë dhe  demokracia e brendshme në parti. Mbetet  evitimi  i veprimeve dhe qëndrimeve  që i japin  avantazh  kryeministrit në peshoren e partnerëve.  Qeveria  e mban kjo rrethanë. Ajo mund të rrëzohet aty ku mbahet. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH