Letërsi

Fjalori i Eshref Ymerit, vepër madhore e leksikografisë dygjuhëshe

Shkruar nga Liberale
Fjalori i Eshref Ymerit, vepër madhore e leksikografisë

Prof.dr. Rami Memushaj

(Pasthënie e Fjalorit)

Frazeologjia është ajo pjesë e thesarit të një gjuhe që ndihmon të kuptohen karakteristikat psikosociale të bartësve të saj, mënyra se si ata e konceptojnë botën e jashtme që i rrethon dhe se si e pasqyrojnë botën e tyre të brendshme në gjuhën e vet. Pikërisht studimi i krahasuar i frazeologjisë së gjuhëve përbën një fushë me shumë interes, po edhe shumë të vështirë të gjuhësisë përqasëse, që lejon të zbulohen tiparet specifike të popujve që i flasin gjuhët e zgjedhura për t’u përqasur dhe të kuptohet ajo që V. Humboldi e quante “forma e brendshme” e gjuhës, e cila i dallon popujt nga njëri-tjetri, duke qenë se të njëjtat dukuri çdo popull i pasqyron në gjuhë në mënyrë origjinale. Ky origjinalitet i formës së brendshme të çdo gjuhe shfaqet edhe më dukshëm në fushën e frazeologjisë, që nuk ka aq natyrë emërtuese, sesa shpreh qëndrimin dhe vlerësimin emocional të njerëzve, dukurive, sjelljeve e ngjarjeve, saqë vështirë të gjenden përputhje midis shprehjeve frazeologjike të dy gjuhëve, po të përjashtojmë frazeologjizmat me burim biblën ose ato me natyrë ndërkombëtare që shpesh përputhen.

Kësaj fushe të vështirë të gjuhësisë i është përkushtuar qysh gjysmë shekulli më parë prof. dr. Eshref Ymeri. Si njohës i shkëlqyer i gjuhës ruse ai, që në vitet e para të punës si pedagog i kësaj gjuhe në Universitetin e Tiranës, iu vu punës për hartimin e një studimi të krahasuar të frazeologjisë së rusishtes me frazeologjinë e gjuhës shqipe. Për këtë qëllim zuri të grumbullonte shprehje frazeologjike të gjuhës shqipe, duke filluar me “Fjalorin e gjuhës shqipe” të vitit 1954. Autori i kësaj pasthënieje e ruan ende në bibliotekën e vet këtë fjalor - që në vitet ’70  të shekullit të shkuar gjendej me vështirësi - të cilin prof. Eshref Ymeri e ka mbushur me shprehje frazeologjike ruse të shkruara me bojë blu përbri shprehjeve shqipe. Por fjalori i 1954-s ishte i varfër dhe lënda që skedoi prej tij ishte e pamjaftueshme për studimin e synuar. Kështu që, me vullnetin e hekurt dhe me skrupolozitetin që e ka karakterizuar, vijoi mbledhjen e shprehjeve frazeologjike nga botimet letrare duke lexuar për këtë qëllim 472 vepra (përmbledhje me tregime, novela, romane etj.) dhe duke hedhur në skeda gjithë lëndën frazeologjike të tyre. Në këtë mënyrë, krijoi një korpus të pasur shprehjesh frazeologjike e proverbash të gjuhës shqipe, që ia mundësoi përfundimin me sukses të studimit, që e paraqiti si disertacion në kërkim të gradës “Doktor i shkencave”. Gjatë punës së mëtejshme si pedagog i përkthimit dhe sidomos si përkthyes nga gjuha shqipe në gjuhën ruse dhe anasjelltas e pasuroi edhe më tej këtë korpus. Lëndën shqipe të këtij korpusi frazemash (shprehjesh frazeologjike) e shtiu në punë gjatë hartimit të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh, në fillim të “Fjalorit frazeologjik italisht-shqip” (2007) si bashkautor, pastaj, si autor i vetëm, i “Fjalorit frazeologjik rusisht-shqip” (2015) dhe i “Fjalorit frazeologjik anglisht-shqip”, që po i paraqitet lexuesit.

Ashtu si dy fjalorët e parë, edhe ky fjalor i ri përmban një lëndë të pasur gjuhësore nga të dyja gjuhët. Në anglishte kjo pasuri arrin në mbi 25 mijë frazema - më saktë, 25 440 frazema - kurse frazemat e shqipes është e vështirë të numërohen, megjithatë mund të thuhet me siguri se kemi të bëjmë me një pasuri që mund të shërbente fare mirë si lëndë për një fjalor të madh frazeologjik të gjuhës sonë. Për vjeljen e kësaj lënde është shfrytëzuar një literaturë e pasur në të dyja gjuhët, që për anglishten përfshin rreth 30 fjalorë, nga të cilët 25 fjalorë shprehjesh frazeologjike e proverbash; kurse për shqipen, përveç kartotekës së pasur vetjake të autorit, edhe 13 burime të tjera - fjalorë shpjegues, fjalorë sinonimesh e fjalorë anglisht-shqip - nga të cilat pesë fjalorë frazeologjikë anglisht-shqip ose vetëm shqip.

Hartimi i një fjalori frazeologjik me përmasa të tilla në të cilin gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë si anglishtja, leksiku i së cilës ka qenë gjithmonë i hapur ndaj prurjeve prej gjuhëve të tjera, ka qenë një sipërmarrje e vështirë e prof. dr. Eshref Ymerit. Këtë provë ai e ka përballuar me sukses, duke dëshmuar jo vetëm njohjen e thellë të frazeologjisë së shqipes, por edhe se kjo ka një pasuri të madhe frazeologjike dhe se në këtë aspekt ajo është e aftë të ballafaqohet me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është anglishtja. Kësaj autori nuk do t’ia kishte arritur, në qoftë se nuk do të kishte punuar me përkushtim për disa dhjetëvjeçarë për të krijuar një korpus aq të pasur frazemash të shqipes.

Si i tillë, ky fjalor përbën një vepër tjetër madhore të leksikografisë dygjuhëshe që prof. Eshref Ymeri u dhuron përdoruesve, në radhë të parë përkthyesve nga gjuha angleze. Hartimi nga një autor i vetëm i dy fjalorëve të fundit në harkun e 12 vjetëve ka qenë një punë e stërmundimshme, të cilën edhe një ekip leksikografësh do ta kishte të vështirë ta përballonte. Pavarësisht nga modestia e autorit, lejohemi të pohojmë pa mëdyshje se këto ndihmesa e bëjnë atë kontribuesin më të madh në fushë të fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh dhe një ndër frazeografët më të shquar shqiptarë.

* * *

Fjalori paraprihet nga një hyrje, në të cilën autori shtjellon vlerësimet e veta për frazeologjinë e gjuhës dhe për rolin e saj në njohjen e veçorive etnopsikike të një bashkësie gjuhësore, duke qenë se ato “në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, mbartin në vetvete informacion kulturor për botën, për jetën ekonomike dhe për problemet shoqërore” të popullit që flet një gjuhë të dhënë. Si të tilla, ato përbëjnë pjesën më të vështirë të leksikut të një gjuhe, duke qenë se nuk mund të kuptohen pa njohur kushtet historike, ekonomike, politike e kulturore të jetës së një populli.

Në hyrje autori vë në dukje pasurinë e madhe frazeologjike të gjuhës angleze, duke theksuar se burimet e kësaj pasurie janë të brendshme (urtësia popullore anglosaksone, folklori, letërsia artistike, sidomos veprat e Shekspirit etj.) dhe të jashtme - bibla dhe huazime ndërgjuhësore, sidomos nga latinishtja, frëngjishtja, etj. Më tej, duke u ndalur në strukturën e shprehjeve frazeologjike, theksohet se Fjalori përfshin frazema dy- e shumëfjalëshe dhe vetëm në pak raste raste fjalë të vetme të cilave në shqipe u përgjigjen shprehje frazeologjike (si p.sh. nicely! “të lumtë” etj.). Sa i përket natyrës së frazemave të anglishtes, në përputhje me konceptin për to në frazeografinë anglo-saksone, autori shpjegon se lënda frazeologjike e këtij Fjalori përfshin njësi frazeologjike të mirëfillta, shprehje-kalke fluturake, që lidhen me mite të lashtësisë, gojëdhëna ose fakte historike, si: Ariadne's clew (thread) “filli i Arianës”, a Pyrrhic victory “fitore si e Pirros”, an apple of discord “mollë sherri”, I came, I saw, I conquered “erdha, pashë, fitova”, horn of plenty “briri i begatisë”, Open Sesame! “Sezam hapu!”, the fifth column “kolona e pestë”, the promised land - “tokë e (vend i) premtuar” etj., por në masë të kufizuar edhe fjalë të urta e maksima, sidomos pjesë të tyre që janë kthyer në frazema, si p.sh.:

every miller draws water to his own mill - “mullisi e çon ujin në mullirin e vet”, gjithsecili (gjithsekush, secili) kërkon të vaditë arën e vet (mendon për veten e vet), është më afër dera se qilari.

WEALTHY ■ early to bed and early to rise makes a man healthy, wealthy and wise - kush mëngoi, bloi; shpejt fjete dhe shpejt u çove, shëndet, pasuri dhe mendje fitove; u shtrive herët dhe herët je çuar, shëndet, pasuri dhe mend ke fituar.

thirty pieces - tridhjetë aspra, çmimi i tradhtisë.

Përkthimi i shprehjeve frazeologjike është një punë e vështirë, për arsye se në to përzihen kuptimet e figurshme të fjalëve me aspekte jashtëgjuhësore që lidhen me kushtet në të cilat kanë lindur. Por gjetja e përgjegjëses shqip të frazemës angleze, është edhe më e vështirë, për shkak të natyrës idiomatike të kësaj gjuhe. Kësaj pune fort të mundimshme autori ia ka dalë mbanë duke i gjetur barasvlerësit shqip për një pjesë të frazemave që kanë të njëjtën vatër kuptimore në të dy gjuhët, si p.sh.: a closed chapter “kapitull i mbyllur”, better late than never “më mirë vonë se kurrë”, break one’s oath “shkel benë”, in the flower of life “në lulen e jetës”, feel at home “ndihet si në shtëpinë e vet”, man is a wolf to men “njeriu për njeriun është ujk”, on foot “më këmbë” etj.

Në rastet e tjera kur frazemës angleze nuk ka qenë e mundur t’i gjendej përgjegjësja shqip, sidomos shprehjet frazeologjike që “përcjellin tradita gojëdhënore, që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit anglez”, autori thotë se ka përdorur kalkimin ose thjesht përshtatjen, duke dhënë disa variante, me qëllim për t’iu afruar sa më shumë kuptimit të frazemës, çka përbën edhe një ndihmë për përdoruesin e fjalorit, sidomos për përkthyesin nga anglishtja në shqip. Si frazema të tilla të vështira për t’u përkthyer ai përmend:

 

let the world wag (as it will) - “lëri njerëzit të dërdëllitin (si të kenë qejf)”, gojës së botës s’i vë dot peshqir, fjalët e hallkut e vrimat e gardhit s’mbyllen kurrë;

live on borrowed time - jeton me kohë (me ditë) “borxh”, i ka ditët të numëruara;

saw wood zharg - “sharron pyllin”, bën gjumin e ariut, e bën gjumin top, gërhet për shtatë palë qejfe;

the old woman is picking her geese - “plakushja u shkul pendët patokëve të vet”, po bie borë.

Në raste të tilla, autori ka dhënë në fillim në thonjëza përkthimin e fjalëpërfjalshëm të frazemës angleze, të ndjekur nga frazema ose frazemat shqipe që i përgjigjen më mirë asaj.

* * *

Lënda e këtij fjalori, ashtu si dhe në dy fjalorët e mëparshëm, është organizuar duke i grumbulluar shprehjet frazeologjike sipas fjalës që shërben si vatër e tyre kuptimore, e cila në të shumtën e rasteve është një emër ose një pjesë tjetër emërtuese e ligjëratës (folje, mbiemër a ndajfolje). Fjalët që shërbejnë si vatër kuptimore e frazemës - 4883 të tilla - janë renditur alfabetikisht dhe janë dalluar edhe grafikisht, duke i dhënë me shkronja të mëdha, ndërsa frazemat që lidhen me një vatër kuptimore janë renditur poshtë saj gjithashtu alfabetikisht. Kjo gjë e bën shumë të lehtë kërkimin e një shprehjeje frazeologjike në fjalor, mjaft që përdoruesi i tij të jetë në gjendje të dallojë vatrën kuptimore të frazemës.

Për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve, zërat e Fjalorit janë pajisur edhe me shkurtime që shënojnë fushën e veprimtarisë shoqërore të përdorimit të një frazeme të anglishtes (anat, gjeol, muz, treg, etj.), ngjyrimet shprehëse-emocionale (iron, keq, përb, shak, etj.) dhe rrafshet ligjërimore të përdorimit të saj (krahin, libr, thjesht, zyrt, zharg, etj.). Pajisja me këto shkurtime ia shton edhe më tepër vlerat fjalorit, duke qenë se e ndihmon përdoruesin të zgjedhë barasvlerësen shqipe që i përgjigjet më mirë një shprehje të caktuar të anglishtes që ka këta tregues. Për më tepër, përdoruesit i vjen në ndihmë edhe dallimi i kuptimeve të frazemave polisemike të anglishtes, duke dhënë për çdo kuptim përgjegjëset shqipe, p.sh.:

all right - 1. në rregull, jam në një mendje me ju, ashtu qoftë, s’po jua prish, kështu ka lezet, mos kini dyshim, të jeni i sigurt. 2. në mënyrë të kënaqshme, është e pranueshme. 3. në një masë të plotë. 4. me siguri, patjetër, pa pikë dyshimi. 5. ashtu edhe siç pritej, gjë normale (e zakonshme), gjëra që ndodhin, s’ka gjë për t’u çuditur, kuptohet vetvetiu, s’do mend, ta pret mendja. 6. me sukses, me mbarësi. 7. shëndoshë e mirë. 8. ta mbush syrin, i kënaqshëm, i pranueshëm, i mirë, i përshtatshëm. 9. i shëndetshëm, i ardhur në formë, i përtërirë. 10. zharg me moral të shëndoshë, i ndershëm. 11. zharg s’e ka shokun, i mrekullueshëm, i shkëlqyer.

Dhënia e frazemave sinonime përbën një vlerë tjetër të Fjalorit, që i lejon autorit të shpalosë pasurinë e madhe frazeologjike të shqipes. Vargu i këtyre frazemave sinonime, të vendosura dhe ato në rend alfabetik, është mjaft i madh, duke arritur për zëra të veçantë në disa dhjetëra.

Por, ashtu si edhe në fjalorët e mëparshëm frazeologjikë ku është bashkautor ose autor i vetëm, prof. Eshref Ymeri për pjesën shqipe të Fjalorit nuk i ka vënë vetes si detyrë të japë të dhëna për fushën, ngjyrimet dhe stilin e përdorimit të frazemave. I mbetet përdoruesit që ndër variantet e shumta të zgjedhë atë që duhet, gjë që ky mund ta bëjë duke iu referuar kontekstit ku përdoret një shprehje e caktuar.

Një veçori tjetër dalluese e këtij Fjalori janë edhe shënimet e karakterit etimologjik e kulturor për burimin e frazemave të anglishtes, duke treguar për disa shprehje se nga ç’gjuhë janë marrë, burimin historik për shprehjet e botës anglishtfolëse dhe për huazimet nga gjuhë si latinishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, etj., si edhe burimin mitologjik për shprehje të huazuara nga bibla ose nga mitet e lashta. Këto shpjegime, ndonëse në shikim të parë mund të duken të tepërta, vlejnë, në radhë të parë, për zgjerimin e horizontit kulturor të përdoruesit; por ato vlejnë edhe për ta ndihmuar atë në zgjedhjen e frazemës së duhur shqipe.

“Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është fjalori më i mirë i shkruar deri më sot në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe anglisht-shqip, ashtu si “Fjalori frazeologjik rusisht-shqip”, i botuar para tij, i cili, me gjithë vlerat që ka, për shkak të rënies së interesit për gjuhën ruse dhe pakësimit për këtë shkak të numrit të rusishtfolësve, ra në pak duar dhe mori vlerësimin që meritonte. Ndryshe nga rusishtja, anglishtja është sot gjuha e parë e huaj në hapësirat shqiptare dhe prandaj, ky Fjalor, si vepra më e re dhe më e plotë, duhet të shërbejë si një libër tryeze, në radhë të parë, për studentët, mësuesit dhe pedagogët e anglishtes, për përkthyesit nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas, po edhe për anglishtfolësit shqiptarë që duan ta thellojnë njohjen e gjuhës angleze.

Përtej këtyre vlerave utilitare, ky Fjalor, duke ballafaquar shqipen me një gjuhë të një kulture të madhe, siç është kultura e botës anglosaksone, nxjerr në pah pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, përkthyeshmërinë e lartë të saj. Për këtë arsye, ai u duhet edhe leksikografëve e frazeografëve, të cilëve mund t’u shërbejë si model për hartimin e fjalorëve frazeologjikë gjuhë e huaj - shqip edhe për gjuhë të tjera. Do të ishte me një vlerë të madhe për frazeografinë shqiptare, nëse lënda shumë e pasur shqip e këtij Fjalori do të shërbente për hartimin e një fjalori tjetër frazeologjik të gjuhës shqipe, gjë që, në pamundësi të autorit, mund ta kryente dikush tjetër si bashkautor.

Tiranë, 07 qershor 2019 /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH