Aktualitet

Fituesja e Çmimit “Kadare”/ Bekteshi: Doja të sillja një personazh të kohës sonë me efektet negative të tranzicionit

Shkruar nga Liberale
Fituesja e Çmimit “Kadare”/ Bekteshi: Doja të sillja

Me librin  e saj më të ri, “Pusulla të Verdha”, fituese e Çmimit “Kadare” 2022, Vera Bekteshi hap plagët e tranzicionit të vështirë shqiptar për t’i shëruar përmes një personazhi ndryshe.

Marini, heroi i romanit, njeriu me inteligjencë të lartë, bëhet udhërrëfyes për lexuesin drejt fenomeneve dhe problemeve të këtyre tridhjetë viteve, por edhe një dritë për të gjithë ata prindër me fëmijë ndryshe.

Ndaj autorja ua këshillon së pari këtyre prindërve. “Do të sqarohen me veten dhe fëmijën e tyre”, thotë ajo në një intervistë për “Vitrina e Librit” në televizionin Top Channel, me gazetaren Monika Stafa.

“Sepse këta njerëz duke qenë njerëzit më të rrallë, më inteligjentë, më të dëlirë dhe më të brishtë, këta njerëz duhet të paguajnë një çmim shumë të lartë për të përballuar vuajtjet e shpirtit”, ka rrëfyer shkrimtarja, autore e disa romaneve të suksesshëm dhe të zëshëm në jetën kulturore të kryeqytetit dhe disa herë kandidate për çmimin letrar “Kadare”. Bekteshi u shpall fituese në edicionin e shtatë të këtij konkursi, ku marrin pjesë prozatorë nga bota shqipfolëse, organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës.

“...vendoste pusulla të verdha që të ishin të dukshme si rrezet e diellit”, shpjegon titullin e romanit zonja Bekteshi, duke pohuar se libri ka një sërë nëntekstesh dhe ka qenë një nga më të vështirët që ka shkruar deri më tani. “Veçanërisht mbyllja”, pranon autorja duke e ftuar lexuesin të zhytet në këtë, sa trill letrar aq edhe letrarizim të realitetit që jetojmë. Pas botimit të “Pusulla të Verdha” nga shtëpia botuese “UET Press”, Vera Bekteshi zbulon se ka në duar një libër të ri...

Jeni  një emër i njohur për lexuesit shqiptarë;  pas rrëfimit autobiografik në “Vila me tri porta dhe “Bella Ciao”, që  fitoi çmimin e karantinës nga QKLL, me historinë e pesë  grave në kohën e pandemisë; tani fitoni një tjetër çmim të  rëndësishëm letrar - "Pusullat e Verdha", vijnë si fiction, apo letrarizim i një realiteti jetësor?

Ky libër botohet nga UET dhe mban emrin e shkrimtarit tonë më të shquar, Ismail Kadare, që i ka bërë nder si universitetit dhe Çmimit me emrin e tij, ashtu edhe ne, fituesve. Ky është një roman, është i bazuar vetëm pjesërisht në ngjarje të vërteta. Sa për dijeni, personazhet e librit që ndodhen në Tiranë – meqenëse libri ndahet në dy mjedise, Tiranë dhe Londër - janë të gjithë të trilluar. Personazhet e Anglisë, duke qenë se jetën e Londrës e njoh shumë pak, dy herë që kam qenë në periudha të shkurtra, janë personazhe të treguar nga një njeri ndryshe...

Romani është vlerësuar për risitë stilistikore dhe rrëfimin e kthjellët e origjinal; ju si autore keni zgjedhur të flisni me zërin e Marinit- personazhi kryesor i cili është një njeri ndryshe. Pse kjo zgjedhje?

Siç është bërë me dije edhe në fjalën time me rastin e marrjes së Çmimit dhe në takimin e ”Arnautistan” me Mustafa Nanon, ky libër bën fjalë për persona ndryshe dhe të bësh fjalë për persona ndryshe,  nuk mund të shkruash më mirë vetë sesa duke nxjerrë zërin e tyre. Zërin e tyre, lidhur me vuajtjet e jashtëzakonshme të shpirtit dhe të trupit, që kanë këta njerëz. Kam një tërheqje fatale ndaj njerëzve me aftësi ndryshe, sepse kanë inteligjencë të epërme.  Doja të bëja një personazh të kohës sonë, me të gjitha efektet negative që ka tranzicioni i vështirë në Shqipëri dhe përse këta janë shtuar shumë.

Në roman spikasin përshkrimet e skalitura bukur, si të fenomeneve të tranzicionit, ashtu edhe të galerisë së personazheve; vjen spontanisht kjo apo si zgjedhje për të ndërtuar nëntekste leximi?

Padyshim që janë të dyja këto. Ky Marini, që është heroi i kohës sonë në lidhje me këto probleme, një përfaqësues i denjë i këtyre problemeve, me inteligjence të lartë, vjen nga një familje e kulturuar - i ati arkeolog e ëma regjisore teatri, njeh disa gjuhë. Nga pikëpamja kulturore dhe profesionale është njeri i arrirë.  Nuk ka komplekse, por ka brishtësinë e jashtëzakonshme të mos durojë banalitetin e njerëzve. Është thirrje për vëmendje, veç të tjerash, ky është nënteksti i parë. Një thirrje për vëmendje të ndershme, jo të jashtëzakonshme. Të ndershme. Të gjithë personazhet e tjerë shpërfaqin dhe tipizojnë tipologji të ndryshme njerëzore dhe të fenomeneve sociale e psikologjike që na bashkëshoqërojnë.

Përse “Pusulla të Verdha”?

Ky libër ka shumë nëntekste dhe shumë kuptime, prandaj më është dashur ta mbaj aq gjatë në duar. Por sidomos e kam mbajtur gjatë për t’i gjetur fundin, sepse me thënë të drejtën kisha një vit që e kisha mbaruar, por fundin e kisha të vështirë. A do të sëmurej edhe e ëma, si ai? Nga i njëjti burim ishin të dy.  Ndaj vendoste pusulla të verdha që të ishin të dukshme si rrezet e diellit, them unë në libër.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH