Krye

Fituesi i “The Voice of Albania”: Zgjodha UET sepse vlerëson artistët

               Publikuar në : 08:42 - 09/07/20 liberale

Viola Shkulaku

Të gjithë e njohin tashmë talentin e “Gjeniut të Vogël” që u bë i madh në momentin, kur mes brohorimave dhe emocioneve ngriti lart trofeun e “The Voice of Albania”.

Por shumë pak e dinë se Klinti Çollaku është pjesë e Universitetit Europian të Tiranës dhe akoma më surprizues është fakti që studion Menaxhim Binzes, pranë Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit.

Kushdo që do e dëgjonte këtë, me siguri që do t’i vinte nëpër mend pyetja: “se pse kjo degë?”, mirëpo një artist ambicioz si Klinti e ka gjithmonë një përgjigje.

 “E ndjej veten të pregatitur për tregun e punës së Menaxhim Biznesit falë pedagogëve të UET”, shprehet Klinti, ndërsa shton se aftësitë menaxhuese dhe marketuese të marra në auditor, mund t’i përdorë në të ardhmen për veten dhe pasionin e tij për muzikën.

Duke qeshur, ai tregon se ka zgjedhur të studiojë menaxhim, pasi dëshiron t’i ketë të dyja anët e “medaljes”.

Në UET ai ka gjetur një ambient vlerësues për artistët, dhe këtë nuk e themi ne, por e thotë vetë Klinti duke treguar se kjo ishte arsyeja që e ka zgjedhur si universitet.

“Gjatë kohës që merrem me muzikë, unë kam zgjedhur të ndjek edhe studimet, dhe ku më mirë për ta bërë këtë se sa në një ambient si UET ku artistët vlerësohen.”, ndërsa nuk harron të shprehë mirënjohjen e tij për universitetin ku merr dijet.

“E vlerësoj sinqerisht shumë faktin që UET i pati dyert e hapura për mua që në fillim dhe që me mbështeti dhe i jam mirënjohës për gjithça”, shprehet Klinti.

Ai ndan me ne përshtypjet më të mira për pedagogët me të cilët ka një marrëdhënie shumë të mire.

“Përsa i përket marrëdhënies me pedagogët di të them që është më e mira e mundshme. Janë shumë të kuptueshëm dhe në një nivel të lartë profesional”, tregon ai.

E ndërsa “e ngacmojmë” se “a e mbajnë me hatër pasi është një artist i njohur”, Klinti tregon me seriozitet marrëdhënien mes tyre.

“Pedagogët thjesht më kanë pasur parasysh duke më njohur se kush jam, por nëse performance ime nuk ka qenë e mjaftueshme, i tillë ka qenë edhe vlerësimi.”,thotë studenti, ndërsa shton se e ndjen veten të përgatitur për tregun e punës së Menaxhim Biznesit falë aftësive të marra nga këta pedagogë pjesë e stafit të UET.

Klinti Çollaku rrëfen emocionet në “The Voice of Albania”

Ai ka lindur në një qytet të vogël siç është Peqini, ndërsa prej 10 vitesh tashmë jeton në Tiranë, ku mund të zhvillojë pasionin e tij dhe të realizojë ëndrrën e madhe për muzikën.

Siç thotë edhe vetë pas kaq vitesh punë dhe përpjekje, tashmë mund të quhet me plot gojë një këngëtar profesionit. Ndërsa startimi i tij i parë në televizion ka qenë tek “Gjeniu i Vogël”.

“E mbaj mend si sot që nuk isha aspak në dijeni të asaj që posedoja dhe se çfarë mund të isha në gjendje të bëja me talentin tim. Por “Gjeniu” më ka ndihmuar shumë duke krijuar vetëbesimin që nuk më është larguar kurrë që nga ajo kohë”, kujton Klinti me nostalgji.

Për të “Gjeniu” ishte një eksperiencë fantastike, madje një sfidë e cila për moshën që kishte i solli shumë benefite dhe mësoi prej saj.

Ndërsa pas një shkëputje të gjatë nga televizioni, pjesëmarrja e radhës dhe që e bëri të njohur për të mëdhenj e të vegjël ishte “The Voice of Albania 6”, para tre viteve.

“Do ta përshkruaj vetëm me një fjalë “Krenari”!”, thotë Klinti duke shfaqur besimin me të cilin ec përpara pa u “lëkundur”.

“Nuk mund ta mohoj në asnjë moment që “The Voice” është fitorja më e madhe e jetës sime. I kisha qëllimet e qarta në kokë dhe mund të them që ka qenë një koktejl fantastik emocionesh nga më të ndryshmet. Nga më të këqijat tek ato më fantastiket. Ka patur ulje dhe ngritje. E dua shumë “The Voice” ka një vend shumë të veçantë në zemrën time”, shprehet artisti, ndërsa tregon emocionet e përjetuara.

E ndërsa sfida e radhës, siç Klinti Çollaku e quan ishte pjesmarrja te  “Kënga Magjike”.

“Aty realizova këngën time të parë që për fat të mirë rezultoi një sukses dhe publiku e deshi dhe e do shumë si këngë.”, shprehet Klinti, por pa harruar të tregojë se aty e kuptoi tamam realitetin e tregut muzikor shqiptar.

Në dukje një artist plot vetbesim, Klinti thotë se ishte një përgatitje e asaj çfarë do të vinte më pas.

Ndërsa sa i përket së ardhmes, planet e tij do të jenë patjetër të lidhura ngushtë me muzikën, por pa lënë mënjanë menaxhimin.

“Pse jo të përdor teknikat që kam mësuar në UET në të mirë të vetes”, përfundon ai. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back