Aktualitet

Fitorja e Albin Kurtit në kurriz të burgosjes së drejtuesve të UÇK

Shkruar nga Liberale
Fitorja e Albin Kurtit në kurriz të burgosjes së drejtuesve

Pirro Prifti

Pavarësisht se fitorja e Albin Kurtit në zgjedhjet e ditës së Shën Valentinit me 14 Mars ishte absolute në raport me partitë e tjera të shqiptarëve të Kosovës, kjo fitore duket qartë se është në kurriz të burgosjes së liderëve të UÇK të cilët, janë ulur gabimisht me urdhër të gjykatës së Hagës, në karriget  ku duhet të ishin të pandehur politikanët dhe ushtarakët serbë të cilët ushtruan gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më e rënda është se Akoma sot qeveria serbe nuk ka kërkuar të falur për ngjarjet tragjike dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës.

E parë në retrospektive fitorja e Albin Kurtit është si `fitoret` e Pirros së Epirit, pra me shumë humbje për politikën e Kosovës. Përse?

Sepse kjo fitore përmbledh luftën e ashpër  midis grupimeve politike kosovare për pushtet (një luftë  e heshtur e cila ka filluar që herët mbasi Tito konfirmoi si Krahinë Autonome Kosovës,  me universitetin  përkatës dhe flamurin shqiptar), dhe u ashpërsua pas viteve `80 dhe `90, njëkohësisht me luftën për pavarësi të Krahinës Autonome të Kosovës. Kjo luftë e heshtur midis dy rrymave kryesore njëra paqësore e cila kërkonte pavarësinë nëpërmjet bisedimeve dhe zbatimit të ligjit të pushtuesit, dhe tjetra ajo e të rinjve që kërkonte luftë kundër okupatorit serb.

Njëra e drejtuar nga Rugova, dhe tjetra me drejtues të ndryshëm luftarakë si Adem Demaçi (ndërsa Albin Kurti punonte në këtë zyrë), por më në fund të drejtuar nga drejtuesi politik Thaçi. Në këtë përplasje ndikuan shumë edhe problemet me minoritetet që zinin rreth 10% të popullsisë së Kosovës.

Pavarësisht kësaj, Albin Kurti si i ri luftarak u dallua për herë të parë në  tetor të `97, si lider i protestave studentore, dhe në `98 i u bashkua UÇK, dhe është arrestuar disa herë dhe hera e fundit u lirua në 2001 për shkak të presionit ndërkombëtar, por mbeti jashtë partive politike deri në 2007 kur formoi Vetëvendosjen, duke kritikuar korrupsionin e madh, madje ka qenë edhe kundër UNMIK. Albin Kurti ka qenë anëtar i Parlamentit Kosovar pas 2010 për tre legjislatura rresht. Është arrestuar nga policia rumune e UN në 2007 në protesta kundër planit Ahtisari. Në 2017 fitoi 32 vende në Parlament ( 200.000 vota),  dhe në 2019 pas dorëheqjes së Haradinajt në zgjedhje fitoi 26.7% dhe u bë Kryeministër deri në 3 qershor 2020 sepse u zgjodh Abdullah Hoti, dhe tani më 14 shkurt 2021 fitoi zgjedhjet me 47.6% (378,550 vota), dhe u bë partia kryesore duke u bërë gjithashtu Kryeministër për herë të dytë.

Kurti ka deklaruar se ` shqiptarët e Kosovës nuk janë pro unifikimit territorial dhe politik me Shqipërinë dhe në vend të kësaj kërkojnë integrim më Shqipërinë dhe BE nëpërmjet suksesit të shtetit të Kosovës`…

Kurti ka deklaruar se prioritet ka luftën kundër korrupsionit, dialogun me minoritet në Kosovë dhe BE si prioritetin kryesor, duke vendosur në vend të fundit bisedimet me Serbinë.

Aktualisht Kosova është njohur si shtet nga 98 vënde  në raport me 198 vende që ka OKB (në total 113 vënde e njohën Kosovën si shtet por 15 vende e anuluan njohjen).

Këtu mund të shpjegohet se fitorja plebishitare e Kurtit, përveç  simpatisë ndaj tij që ka populli i Kosovës si njeri i `pa njollë` përsa i përket korrupsionit, një patriot i vërtetë, por edhe në një farë mënyre radikalist i majtë, përsa i përket dëshirës për të zgjidhur problemet gjë që e ka treguar burgosja disa herë madje dhe hedhja e bombave tymuese në Parlament; ka patur si aleat të fuqishëm rënien gjithashtu spektakolare të dy partive të mëdha tradicionalisht të kundërta për nga strategjitë dhe taktikat për njohjen dhe ecurinë e shtetit të Kosovës: LDK  (e cila mori 13% të votave, dhe PDK 17.8% të votave).

Nëse LDK humbi simpatinë e shqiptarëve të Kosovës pavarësisht se ajo u krijua nga Rugova pacifisti, dhe u vazhdua nga Bujar Bukoshi i cili krijoi FARK. Humbja e simpatisë ka ardhur qoftë nga taktikat paqësore  jo produktive që ndoqi Rugova dhe partia e tij, por dhe pjesëmarrja jo aktive në luftën kundër Serbisë, por dhe nga se NATO përkrahu UÇK,  si dhe nga kontradiktat për miratimin e Rezolutës 1244 në OKB, si dhe në negociatat në Rambuillet në pranverën e 1999 ku Thaçi ishte kryenegociator dhe Rugova si zëvendës i tij. Edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovë me 17 shkurt 2008, LDK nuk pati asnjëherë shumicën në votime.

Një shkak tjetër i armiqësisë LDK UÇK ka qënë edhe se kush ishte udhëheqës i luftës për pavarësi të Kosovës Ibrahim Rugova apo Adem Jashari. Të dy palët arritën t`ju ngrenë përmendore drejtuesit pacifist Rugova dhe Heroit Adem Jashari i cili luftoi me armë në dorë për liri.

Një shkak tjetër ishte konflikti i ashpër me UÇK ku LDK akuzoi drejtuesit  e UÇK për vrasjen disa anëtarëve të FARK-ut dhe simpatizantëve të tyre  si drejtuesin e FARK, Tahir Zemaj, i cili u vra në 2003 së bashku me nipin e tij Hasan në Pejë, dhe po në 2003 u vranë dhe Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj pjesëtarë të FARK-ut. Gjithashtu u akuzuan Drejtues të UÇK PËR edhe për vrasjen e Bardhyl Ajetit gazetar i Bota Sot, Bekim Kastrati  në 2001, si dhe armiqësia  midis Familjeve Haradinaj-Musaj që u bë dhe emblematike si armiqësi midis UÇK (PDK) dhe FARK (LDK) https://en.ëikipedia.org/ëiki/Armed_Forces_of_the_Republic_of_Kosovo.

Humbja e PDK në votimet e fundit ishte dhe më e rënda që nuk pritej, dhe këtu ndikuan jo vetëm korrupsioni gjatë qeverisjes së PDK në pushtet por edhe akuzat e përsëritura kundër drejtuesve të UÇK që pas çlirimit të Kosovës në 1999 nga ana e shtetit serb. Por akuzat më të rënda  u formuluan për vrasjet e pas luftës në Kosovë .

Prokuroria Speciale e Kosovës e ngritur në 2015 por e transferuar në Hagë në 2019, ka ngritur akuza ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe 8 të tjerëve, se janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme pas luftës (sipas tyre).

Duket qartë se Serbia dhe BE nuk  kanë qenë dakord që UCK të drejtonte Kosovën për shkak sepse në krye të shtetit të Kosovës ishin drejtuesit e Forcave të armatosura. Për këtë arsye Serbia në mënyrë të pareshtur ka akuzuar nëpërmjet Prokurorëve të Hagës, drejtuesit e UÇK për gjenocid, dhe kjo ka kaluar në heshtje nga BE e cila duhej të vinte përballë Serbisë akuzën për gjenocid dhe jo ndaj luftëtarëve të Kosovës të cilët luftuan me aq sa mundën për liri.

Duke qenë se akuzat kundër luftëtarëve të UÇK nga ana e Serbisë për `krime` gjatë luftës nuk pati shumë sukses edhe në opinionin ndërkombëtar, sepse është absurde fakti të akuzosh luftëtarët që duan lirinë e vendit të tyre dhe të mos akuzosh pushtuesit faktikë të këtij vendi-Serbinë.

Për këtë arsye u aktivizua akuza e vrasjeve të pas luftës duke aktivizuar individë qoftë nga minoritetet, qoftë ish spiunë të Serbisë qoftë duke shfrytëzuar armiqësinë midis FARK- dhe UÇK. Në këtë pikëpamje drejtuesit e UÇK u vunë në shënjestër , e cila gjatë gjithë kohës duke u shfrytëzuar dhe pakënaqësia e viteve të drejtimit të PDK për shkak të korrupsionit dhe keqmanaxhimit në drejtimin e vendit, nuk patën mundësi të drejtonin si duhet apo edhe të mbroheshin si duhet sepse goditja ndaj tyre erdhi nga vetë individë shqiptarë apo minoritarë në Kosovë të cilat mendohet se janë nxitur edhe nga vetë shteti serb.

Madje për këtë arsye me presionin serb në 2010 Këshilli i Evropës akuzoi gueriljet  e UÇK për vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politikë etnikë shqiptarë dhe nga minoritetet në Kosovë

Ky presion i madh mbi UÇK dhe pjesën politike të PDK shkaktoi humbjen e rëndë të klasës politike të vjetër, dhe lindjen e një Partie të re hibride të drejtuar nga një ish anëtar i UCK si Albin Kurti dhe nga një ish anëtare e LDK Vjollca Osmani.

Fitorja e Albin Kurtit jep shpresa për një të ardhme më të mirë të Kosovës e cila do të shihet në ditët e ardhme, por ka akoma  rezerva në këto drejtime, për sa i përket drejtimit të shtetit të Kosovës:

Mungesa e përparësisë në bisedimet më Serbinë.

Mungesa e dëshirës nga ana e të dy drejtuesve politikë që fituan zgjedhjet e `Shën Valentinit` si Kurti dhe Osmani,  për të bashkëpunuar ngushtë me Shqipërinë si vendi amë,

E kaluara `radikaliste` e Albin Kurtit në zgjidhjen e problemeve.

Mungesa e dëshirës për të mbrojtur luftën e UÇK dhe popullit të Kosovës kundër pushtuesit serb

Dyshimet se armiqësia e vjetër e dy rrymave politike njëra properëndimore dhe tjetra pacifiste me ngjyrime pro-turko-islamiste, mund të vazhdojë nëpër ulluqe të tjera, gjë që mund të dëmtojë edhe lidhjet ndërkombëtare por mund të dëmtojë seriozisht edhe marrëdhëniet me Shqipërinë, politikanët e të cilës gjithashtu janë të ndarë përsa i përket problemeve politike dhe mënyrës së zgjidhjes së tyre në Kosovë.

Le të shpresojmë se popullariteti pragmatist i Kurtit dhe feminiteti politik i Osmanit do të qetësojnë Kosovën dhe do ta drejtojnë atë drejt BE. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH