Kryesore

Fitoret të miat, humbjet të deputetëve

               Publikuar në : 09:50 - 10/09/19 Arion Sulo

Pse kryeministri akuzoi dje një pjesë të deputetëve socialistë,  vetëm dy muaj e gjysmë pas “fitores” së  30 qershorit, se me pazaret e tyre do e çojnë PS-në drejt humbjes?  Përpjekjet e Ramës për të hequr përgjegjësinë e qeverisjes nga vetja, duke ia faturuar korrupsionin drejtuesve të vegjël

Arion Sulo

Mund të jetë humbja që ka ndier apo parë kryeministri në sondazhet e ditëve të fundit,- meqë 30 qershori ishte votim dhe jo zgjedhje,- ajo që ka shtyrë të kërcënojë një pjesë të deputetëve me largim nga PS, por koha kur ato bëhen, 6 vite pas ardhjes në pushtet tregon se kemi të bëjmë thjesht me një transferim të përgjegjësisë te deputetët, të cilët realisht nuk janë përgjegjësit kryesorë për qeverisjen.

I pakënaqur me një pjesë të deputetëve të tij, kryeministri ka paralajmëruar, se nëse gjendja nuk ndryshon, humbja e pushtetit do të jetë pak, por e sigurt. Dy ishin momentet që Rama ndau si shkaqe të parashikimit pesimist; një pjesë e të zgjedhurve socialistë nuk dinë as zonën e tyre dhe shërbimet ndaj qytetarëve në zyrat e shtetit vuajnë nga korrupsioni.

Kryeministri akuzoi për këtë “grupin armiqësor” të deputetëve të cilët mund ta çojnë PS në humbje, kur tha se “ju interesoheni vetëm për drejtorët. Kush ikën dhe kush vjen?”.

Ishte pak e papritur që Rama vetëm dy muaj pas fushatës elektorale dhe fitores së 30 qershorit të pranonte se “PS s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje dhe të përsërisim të njëjtat gjëra, sepse do të  shkojmë të humbim. Ato takime me të njëjtat fytyra, me të njëjtat pazare, me të njëjtat dallavere duhet të marrin fund. As PS dhe as unë s’e mbajmë dot me këtë maskaradë, këto zullume, që bëhen nëpër zyrat e shtetit.”

Qeverisja dhe deputetët

Në pamje të parë paralajmërimet e Ramës mund të duken normale dhe si përpjekje për të ndryshuar gjendjen e rënduar të korrupsionit, që nuk është se u luftua ndonjëherë seriozisht nën këtë qeverisje. Pakkush nuk e di se kritikat e djeshme të kryeministrit janë të vërteta dhe se zgjidhja e një halli me pronën, shëndetin, arsimin shtetëror bëhet duke paguar nën dorë. Por çështja është se ato janë vetëm maja e ajsbergut dhe një nga shkaqet, sigurisht, jo kryesorë të gjendjes dhe humbjes që profetizoi dje Rama.

Justifikimi se po shkojmë drejt humbjes për shkakun e tyre e disa deputetëve, që s’duan t ia dinë për zgjedhësit dhe emërojnë e shkarkojnë drejtorët nuk mban as nga këndi institucional. Është kryeministri ai që i ka zgjedhur një për një deputetet që sipas tij po e çojnë PS në humbje dhe kjo është një kontradiktë më vete. Pa folur për faktin se përveç Ditmir Bushatit së fundi, e sidomos pas shkarkimit si ministër, askush në PS nuk ka guxuar të bëjë me kokë të vetë apo aq më tepër kundër urdhrave të kryetarit dhe kryeministrit.

Por sa më sipër kanë të bëjnë me inkoherencën politike dhe përgjegjësin e vërtetë të futjes në Kuvend të deputetëve që po hanë dhjamin e PS-së, e për pasojë në menaxhimin e pushtetit. Ajo që gabon jo pa qëllim kryeministri është fuqia e vërtetë e pushtetit dhe për rrjedhojë pasojat e keqqeverisjes dhe humbjes eventuale që ai parashikoi.

Nuk ka ndodhur asnjëherë në ndonjë qeveri këto 29 vite, që korrupsioni të vijë nga poshtë dhe menaxhimi qendror të jetë i pastër. Me pak fjalë kryeministri tha dje se dallaveret, pazaret, maskaradat e zullumet bëhen vetëm nga deputetët dhe drejtorët që ata emërojnë, lobojnë, blejnë apo shesin. Kjo është thjesht e pamundur.

Korrupsioni tek ne vijon të jetë sistem dhe jo rast përjashtimor i një pjese të vogël të deputetëve apo drejtorëve rajonalë, madje ndonjë ministri. Siç e ka thënë vetë Rama nëse do të qeverisej me forcën e shembullit dhe jo shembullin e forcës dhe do të kishim ministra të shkarkuar për korrupsion,  a mendon kush se do të kishte grup deputetësh që do të bënin dallavere dhe pazare me paratë publike? E kundërta ka ndodhur. Skandalet dhe akuzat më të mëdha për korrupsion janë të qeverisë. Janë vendime të marra në Këshillin e Ministrave. Unaza e re, koncesionet, rruga Milot-Balldre janë vetëm disa prej tyre dhe në të gjitha të akuzuar janë ministra apo ish, të cilët kur janë shkarkuar nga Rama janë përgëzuar se kanë bërë shumë mirë.

Edhe sikur të merret i mirëqenë fakti (ndodh përditë) se disa pjesëtarë të grupit socialist po e dëmtojnë pjesën e mirë dhe të shëndoshë, duke përfituar abuzivisht nga fondet për bashkitë, për shëndetësinë, instrakturtorët, pronat, etj., të gjitha këto lokale, sërish jemi shumë larg korrupsionit si sistem apo mitrës së tij. Fuqia e tij, fondet e mëdha, tenderët pa garë, PPP-të që shkojnë me dhjetëra vite dhe kushtojnë qindra milionë euro bëhen nga qeveria. Thërrimet që bien për ata poshtë që dje ishin nën shënjestrën e tij janë vetëm thërrimet e darkës qeveritare.

Korrupsioni i lartë qeveritar edhe pse asnjëherë i hetuar e gjykuar seriozisht tek ne, është një nga shkaqet kryesore të rrëzimit të qeverive.

Qytetarët janë të aftë të ndajnë grurin nga egjra, të vërtetat nga akuzat politike. Ndonëse të privuar padrejtësisht nga vendimet juridike ata kanë qenë të duruar dhe kanë pritur radhën e tyre, deri tek kutia ku kanë dënuar politikisht të korruptuarit.

Këtë ka pasur parasysh, kryeministri ndërsa fliste dje për zullume, që bëhen nëpër zyrat e shtetit, por është e sigurt se ndonëse kanë ulur kokat askush nga ata që kishte përballë nuk e ka besuar. Sepse e dinë shumë mirë që përmasat e një zyre deputeti nuk janë as sa paradhoma e një kryeministri. /Gazeta Liberale

(Visited 84 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *