Dossier

Fiqrete Shehu akuzon Kadri Hazbiun për lidhje me agjenturat e SHBA

               Publikuar në : 18:58 - 19/08/21 liberale

Në gjyqin e Kadri Hazbiut, përveç dhjetëra dëshmitarëve, të cilët, të instruktuar nga hetuesia dhe prokuroria, dëshmuan kundër tij, në sallë u paraqit edhe bashkëshortja e Mehmet Shehut, Fiqreti. Gjendja e saj ishte tejet e rënduar.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Gazeta Panorama.al sjell sot për lexuesit pjesë nga ditari i rrallë i mbajtur nga brenda procesit më misterioz së kokës së komunizmit, ku ish-shefi i Sigurisë në Bllok, Gani Kodra, njeriu më i afërt i Mehmet Shehut ka hedhur në letër pas daljes nga qelia të gjitha prapaskenat dhe torturat të cilave iu nënshtruan, Kadri Habziu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini etj.

Sipas rrëfimit të Gani Kodrës, Fiqerete Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut nuk bëri as më pak dhe as më shumë, por citoi me pika dhe me presje atë çka kishte lexuar prokurori i çështjes, Rrapi Mino, në fillim të hapjes së atij procesi misterioz. Në këtë mënyrë ajo arriti të pranojë të gjitha akuzat dhe të dëshmojë jo vetëm kundër të shoqit por edhe kundër fëmijëve të saj, ashtu siç dëshmoi edhe kundër Kadri Hazbiut dhe Gani Kodrës. Madje sipas Gani Kodrës ajo shkoi më tej në gjyq teksa akuzoi dhe veten e saj teksa tha se “ishte e dashura e Dushan Mugoshës”.

Çfarë tha më tej Nesti Nase, i sjellë në sallë në cilësinë e dëshmitarit të instruktuar. Si reagoi Kadri Hazbiu në momentin që akuzohej në mënyrë të çuditshme nga Fiqret Shehu. Çfarë ndodhi në sallë që ai u detyrua t’i kthehet Fiqretit me fjalët: si je katandisur kështu moj Fiqret.

Cilat janë dëshmitë e mëtejshme të Gani Kodrës në lidhje me gjendjen e rënduar të Fiqretit. Pse ajo arriti të dëshmojë edhe kundër fëmijëve të saj, të cilët i kishte dobësi të veçantë. Cila është historia e kokrrave misterioze që Ganiu përshkruan se ua jepnin me detyrim çdo darkë në qeli.

DJALLËZIA PËR TË DETYRUAR FIQRETIN TË DËSHMONTE KUNDËR KADRIUT

Disa ditë para se të fillonte gjykimi i grupit tonë, në një nga sallat e godinës së Gjykatës së Lartë kishte filluar gjykimi i grupit tjetër të përbërë nga Fiqrete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase dhe Skënder Shehu. Edhe ky grup gjykohej me akuzën si pjesëtarë të “organizatës kundërrevolucionare” të drejtuar nga Mehmet Shehu. Gjyqi i këtij grupi përfundoi pak ditë para gjyqit tonë, por vendimi për dënimin e tyre nuk ishte dhënë. Kjo kishte qëllimin e vet. Problemi ishte se më parë duhej të shfrytëzohej Fiqrete Shehu dhe Nesti Nase, të cilët duhej të dilnin si dëshmitarë në gjyqin tonë.

FIQRET SHEHU DËSHMON KUNDËR KADRI HAZBIUT

Ashtu siç pritej, në gjyqin tonë Fiqret Shehun e sollën si dëshmitare. Ajo nuk njihesh fare. Ishte shndërruar sikur të ishte kufomë. Rrinte si e ngrirë. Fliste me një zë të mekur duke i nxjerrë me zor fjalët. Ajo dukej sikur ishte duke parë ëndërr. Fliste fare pa gjallëri, duke nxjerrë fjalët si ai nxënësi që nuk ka mësuar dhe rri gjithë frikë para mësuesit. Unë që e njihja mirë karakterin dhe gjallërinë e saj, mbeta i habitur. Mendoja se mund të ishin edhe ilaçet e shumta që na jepnin për të pirë në birucë. Mua, për shembull, më jepnin 7-8 kokrra çdo natë.

Gjatë dëshmisë së saj Fiqreti akuzoi Kadri Hazbiun si njeriun më të afërt të burrit të saj Mehmet Shehut. Ajo i pranonte duke i përsëritur edhe një herë akuzat që kishte bërë prokurori nëpërmjet përpilimit të aktakuzës se, gjoja, i shoqi i saj dhe Kadriu kishin drejtuar organizatën për “veprimtari armiqësore kundër pushtetit”. Ndërmjet të tjerash, tha se që të dy ata ishin të lidhur me zbulimet e huaja.

Po kështu në dëshminë e saj Fiqreti u shpreh: Edhe Gani Kodra ka qenë njeri i afërt i Mehmetit. Ai ka shërbyer duke u takuar me njerëzit e shërbimit amerikan dhe ka ndihmuar shumë djalin tim Skënderin që ishte bashkë me të në Suedi në lidhjet dhe kontaktet me zbulimin amerikan. Nga ai zbulim këta merrnin udhëzime të cilat ia dërgonin Mehmetit.

*
Deponimet e Fiqrete Shehut ishin shumë interesante. Të flasësh për burrin në atë mënyrë diskredituese dhe të shpifësh gjëra të paqena, ose të thuash për vete se “kam qenë e dashura e Dushan Mugoshës” e të tjera, është e habitshme dhe e pabesueshme. Ta zëmë për një çast se këto kanë qenë të vërteta dhe neve nuk i kemi ditur.

Por, të thuash se “Gani Kodra ka qenë i lidhur me zbulimin amerikan dhe se ka ndihmuar djalin e saj Skënderin në kontaktet me këtë zbulim”, ose se paskësha ndihmuar Fiqretin në realizimin e takimit që ajo bëri me zbulimin amerikan në parkun “Okausen” të Stokholmit dhe në nje hotel të qytetit Goteborg, të gjitha këto duken gjëra të sajuara, që i interesonin vetëm hetuesisë. Prandaj jam i bindur se duhet të ketë qenë një forcë shumë e madhe që e ka detyruar Fiqretin të flasë kështu.

KADRIUT I DHIMBSET GJENDJA E FIQRETIT

Të gjitha akuzat që bëri aje Kadriu i hodhi poshtë, ashtu siç kishte vepruar gjatë gjithë seancave të gjyqit dhe përfundoi duke iu drejtuar Fiqretit: Në çfarë gjendje qenke katandisur moj Fiqret deri sa arrite të pranosh dhe të deklarosh gjithë këtë shpifje. Edhe unë nga ana ime i hodha poshtë këto akuza.

Thonë se deri sa ishte gjallë djali i madh, Vladimiri, ajo nuk ka folur, duke mos pranuar as gjë. Por pas lajmit të vdekjes si Vladimirit, të cilin ja thanë hetuesit, ajo u bë si e hutuar dhe ka filluar të flasë për gjithçka që i thoshin hetuesit.

EDHE NESTI NASE DËSHMON KUNDËR HAZBIUT

Në sallën e atij gjyqi me cilësinë e dëshmitarit, pas deklarimeve të Fiqretit sollën edhe Nesti Nasen. Edhe Nase u qëndroi besnik porosive që i ishin dhënë për të dëshmuar kundër Kadriut. A tha: Në mbledhjet e qeverisë, çfarëdo gjëje që vendosej, bëhej, ashtu siç thoshte Mehmeti dhe Kadriu.

*
Këto dëshmi të Nesti Nases, tha Kadriu, të bëjnë për të qeshur, për faktin se për të gjitha problemet që ngriheshin në qeveri, më shumë propozime ka bërë Nesti Nase e të tjerë se sa unë që kam diskutuar shumë rrallë dhe kam miratuar propozimet tuaja, tha Kadriu.

Edhe këta dëshmitarë që konsideroheshin si më të rëndësishmit nuk dhanë gjë të re, vetëm se përsëritën po ato akuza që kishin bërë dhe të tjerët. Nga përsëritja e shumtë për të njëjtat gjëra, seancat e gjyqit u bënë banale dhe të mërzitshme. Thënia që Kadri Hazbiu i bëri Fiqrete Shehut “se në çfarë gjendje je katandisur”, ishte plotësisht me vend pasi gjendja e saj fizike dhe mënyra si prezantohej të bënin të dyshoje nëse ishte ajo Fiqret Shehu apo jo.

Gani Kodra, ish shefi i Sigurimit te Byrosë Politike duke folur per Gazeten Panorama
Gani Kodra, ish shefi i Sigurimit te Byrosë Politike duke folur per Gazeten Panorama

PSE FIQRETI AKUZOI FËMIJËT E VET
Ndërsa flet për dëshminë e Fiqret Shehut në gjyqin e Kadri Hazbiut, Gani Kodra deklaron: Unë e njihja mirë Fiqretin. Ajo ishte grua e mirë, e zonja dhe trime. Por doli e qartë se Enver Hoxha ishte sa dinak, aq edhe i pashpirt saqë e shkatërroi këtë familje të ndershme dhe këtë grua që kishte qenë luftëtare e vjetër duke kontribuar në të gjithë drejtimet në të mirë të vendit, të fliste keq për burrin dhe të akuzonte edhe fëmijët e saj. Prandaj e themi edhe një herë dhe i bindur plotësisht se vetëm dinakëria e Enver Hoxhës dhe presioni i tij për të likuiduar fëmijët e saj e bëri Fiqretin të fliste ato që donte Enveri, i cili i njihte mirë dobësitë e saj për fëmijët e vet.

HAZBIU POROSISTE VËMENDJE NË ARRESTIME

Gani Kodra: Kadri Hazbiu, në radhë të parë, ka qenë njeri i drejtë dhe me zemër të madhe. Shokët e sektorëve operativë tregojnë se ai si parim kryesor kishte këshillimin e këtyre njerëzve që ishin futur në rrugë të gabuar.

Ai gjithmonë porosiste me forcë që “në radhë të parë, studioni njeriun. Mundohuni të gjeni shkakun përse ai është futur në rrugë qorre. Studioni personin se mund të jetë njeri i mirë dhe gjeni mënyrën së bashku me organet e tjera të këshillohet. T’i thuhen gabimet që ka dhe kështu të shpëtohet”. Raste të tilla mund të ketë me qindra që ai ka shpëtuar nga arrestimi

vijon nesër /Panorama


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back