Aktualitet

Fillojnë sot punën Gjykatat për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Shkruar nga Liberale
Fillojnë sot punën Gjykatat për Korrupsionin dhe Krimin e

Gjykata e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të fillojnë punën sot, ndërsa zyrtarisht, dy gjykatat e Krimeve të Rënda do të shkrihen.

“Sot, më datë 18.12.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës, në të cilën miratoi vendimin për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe disa vendimeve të tjera individuale për sistemimin në pozicion të gjyqtarëve të Gjykatave për Krimet e Rënda, të cilat nga dita e nesërme pushojnë së funksionuari si të tilla”, njoftoi dje KLGJ-ja.

Më poshtë vendimi për

FILLIMIN E FUNKSIONIMIT TË GJYKATAVE TË POSAÇME

PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Këshilli i Lartë Gjyqësor, mbështetur në nenin135, pika 1 dhe 2, nenin 147, pika 1, nenin 147/a, shkronja “ë” dhe nenin 179, pika 8, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 162 të Ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 3, pika 3, shkronja “b”, nenin 11, nenin 15, pika 4, shkronjat “c” dhe “ç”, nenin 22 dhe nenin 83, të Ligjit nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 57 të Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, mbi propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës,

V E N D O S I :

I. Të përgjithshme

1. Fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 19.12.2019.

2. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda emërtohet Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda emërtohet Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

II. Për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

1. Selia e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është në Tiranë, në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

2. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është 16 (gjashtëmbëdhjetë).

3. Kryetari në detyrë i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, z.Sandër Simoni, qëndron në detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit ose si rezultat i procesit të rivlerësimit, në përputhje me Ligjin nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

4. Kancelari në detyrë i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, z.Saimir Shyti, qëndron në detyrën e Kancelarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deri në emërimin e kancelarit të ri të kësaj gjykate, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të nëpunësit civil gjyqësor ose si rezultat i procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të pozicionit, të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të Ligjit nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

III. Për Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

1. Selia e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është në Tiranë, në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

2. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është 11 (njëmbëdhjetë).

3. Menjëherë me fillimin e funksionimit tëGjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve e thirrur nga gjyqtari me përvojën profesionale më të gjatë, duhet të zgjedhë zëvendëskryetarin e kësaj gjykate.

4. Kancelarja në detyrë e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, znj.Elka Dajçi, qëndron në detyrën e Kancelares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deri në emërimin e kancelarit të ri të kësaj gjykate, me përjashtim të rasteve kur ka shkaqe për mbarimin e statusit të nëpunësit civil gjyqësor ose si rezultat i procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të pozicionit, të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të Ligjit nr.98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

IV. Fillimi i efekteve të vendimit

1. Ky vendim i fillon efektet më datë 19.12.2019.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH