Letërsi

Fija poetike dhe kordoni i jetës

Shkruar nga Liberale

Agron Shele

“n’nji fije t’thellë gjaku” është vëllimi më i fundit poetik i autores Ledia Dushi. Që në titull nënkupton se përbrenda poezisë së saj nuk paraqitet thjesht një tablo ku derivohet ideja që të përafron me vizionin e thjeshtë të ngjyrës së paraqitur, por nënkresa e mendimit, metamorfoza e perceptimit dhe detaji më i fundit, ai i nënfijes së thellë të gjakut që qarkullon jo për të ngritur një trup në këmbë, por për të dhënë krahë dhe shpirt që të kapërcehet vetvetja, dhe ashtu i endur mes asaj ngrehine, të kapërcejë errëtinë dhe mistizmin e botës që na rrethon. Shkrimi i këtyre poezive në gegnisht është një sipar më tepër për t’ iu drejtuar lexuesit me orgjinalitetin e gjuhës, muzikën e fjalëve dhe rrjedhshmërinë e tyre, dhe nën një ritëm e frymë të përshkohet e lakonizohet e gjithë gjendja, jashtë akrelikës bojë, por brenda ideve që e përshkojnë, mënyrë që të prekë simbolikën, si egzintencializëm por dhe formë e imagjinuar, e cila përmbys përmes paradoksit dhe ringre format surreale. Citova gjendjet jo rastësisht, sepse si frymë filozofike, jeta vjen përmes gjallimit, përpjekjes dhe sakrifikimit, kjo më shpesh në emër të vetë ciklit jetë, dhe si e tillë, në asimetri të plotë me lindjen dhe vdekjen e një dite ajo shkon me zbardhjen, më pas oshilacionet e gjithë kapërcimit kohor (përfshi çastin fatlum, diellin, por dhe retë që qëndrojnë të gatshme për të sfumuar çdo shkëlqim), e së fundi udhëtimi i heshtur drejt perëndimit, gjegjia e atyre grigjave që në një katror të improvizuar kanë më së fundmi një përndritje të asaj që shkoi, një qiri të barazuar me një gjysëmhënë që shterg vegimet e zbeh kornizën dritare. Nuk është e thjeshtë të shkruash për këtë autore, sepse prognoza e saj ka shkallare të nëdheshme, gati tronditëse, të cilat duket sikur fshehin nëndijen, por në inkadeshencën e mendësisë janë okazioni më i madh që shpëthen, janë forma që perifrazon rrëmujën tonë të përditësisë, rregullsisë që nuk arrihet kurrë, por ngelet si një gjysëm faqe e zverdhur dhe e harruar, ku përherë duhet të plotësohet, ecur e vazhduar. Shumëkush mund të paramendojë Kafkën në dialogun e tij, ose ta zbresë në fëmijërinë që ambientohej me ndërshkimin përmes asaj dhome që kishte për të vetmin fluks drite vrimën e çelësit, këtij hapësi magjik, që nëse rrotullohej do hidhte gjithë dritën e botës përmbi sy, dhe nëse qëndronte i mbyllur do përmblidhte gjithë hijet e do fluronte të gjitha ankthet dhe dhimbjen. Ky nuk është paralelizëm jete por është koncept, se si narrativa e një autori prekte neuronet, ndërsa tek tjetër autor prek hemoglobinën e gjakut, si qëndresë ndaj dy realiteve të ndryshme, botës në përvijim të njëjtë, ku një Ave Maria bahet lotë e një humbje rikthehet në ninulla me shpirtra në kupolë të qiellit.

Pse në poezinë e kësaj autore ka kaq shumë eremi dhe flatra mbi lumenj të zinj, ujra me lulakë të thyer e gjer ke gjaku në diell të mjedisit?

 Ndoshta fryma e Bodler rrënjëzon poeten si *lulja e së keqes, apo është thjesht Kapitoli i një brendie që e merr për flokësh dhe e shtyn në atë ernajë që të mbjellë thëllim e të heshtë një fëshfërimë.

Për vete do e quaja një motiv më tepër për të kuptuar evoluimin e një arti, i cili përmes debatit formon individualitetin krijues. Ndoshta do të agravoja më tepër mbi këtë dualizëm (trup – shpirt), i cili së pari kërkon egzigjencën e më pas formën psikologjike për të shpjeguar amorfat tona.

Janë inkluiditet që na ndjesojnë e na shtyjnë të rrëfejmë, por çfarë sipas autores; afresku i një pulëbardhe në detin e trazaur apo valle e çmendur në korrikun e zhuritur, ku gjelbërimi i barit kthehet në humus?! Nuk do flasim për Korrikun e Hygoit (humusin njerëzor).

 

“Nata

del

prej avujsh t’përroit,

si lodhja e vajzës

t’derdhun andrrash...

Shiu frymon

ndër pemë,

engjëjt lëshohen

fruta

n’parrizat

e trupit tim...”

 

“Femna s’asht Njeri” thotë autorja. Sigurisht, sepse ajo zbret nga tjetër kostelacion, prej andrrash të lindura në avullin e një kroi që është burimi i jetës, zanafillë ku plotësojmë përpjekjen e vazhdimësisë.

Një vështrim më i thellë i kësaj poezie, nuk prevalon dhe njehëson habitatin e thjeshtë jetë nën kronoligjinë e ornamentit, por e diellon përmes shiut, që s’është asgjë më shumë se një pështjellim dhe një stigmë që preokupon si magji jashtëtokësore dhe risjell jetën në dimesionet e asaj që e përkufizon dhe e bekon.

 

“Dimnat

n’dashni drunit

ma gdhendin

gjarpnin e synit...”

 

Në këtë poezi nuk ndeshemi thjesht me akullsinë që troket përmes dimrit në trungje të zhveshur, as në liqene të boshatisur ku shpezët kanë ikur, por në formë akrosike dhe pse në një botë kaq të vakët e gdhendur gjarpnit të syve. Kjo është më tepër se fundi i fundit do thotë lexuesi më i parë, pasi përmes terjes së vështrimit sipas kuptimit më të parë metafizik, gjithçka vdes. Por vdekja në një vorrezë nuk mund t’i përmbledhë të gjitha, pasi gërvishja e heshtjes dhe ftillimi përmes fjollave të bardha kthen tjetër imazh dhe parafytyrim, atë të një dimni që i le përfund vendin një tjetër pranvere e që do shkundë letargjinë e ujrave të borës.

 

Ndjesitë

frymojnë e s’ndihen...

m’fishkëllojnë mendimet...

 

Kjo është një tjetër poezi e cila në kuptimin më të plotë figurativ përfshin të gjitha - hapësirën dhe kohën, formën dhe përmbajtjen, konceptin bazë të referimit të gjithë vizioneve përmes mendimit dhe formave krahasuese dhe të gjitha përmes vargut të lirë, të cilat plotësojnë atë strukturë dhe ngrejnë boshtin identik së qenësisë, si formë apriori e nëndijes dhe motiv për të udhëtuar në një botë pa kufij.

I gjithë arti krijues i Ledia Dushit i përngjan një qielli të hapur, ku çdo element jetësor pasqyrohet dhe rrezaton kuptimet më të thella, si mendësi dhe vizion i asaj që ne përkufizojmë, por dhe si gjurmë e të nesërmes që na indetifikon. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH