1

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dardan Fest 2021”; roli i fundit i Gulielm Radojës merr çmimin special

               Publikuar në : 17:10 - 01/11/21 liberale

Pas katër netësh, gjatë të cilave publiku u njoh me filma artistik e dokumentar nga e gjithë bota, është mbyllur
edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Dardan Fest 2021”.
Çmimi special i këtij edicioni shkoi për filmin që përmbylli këto net filmash. ‘Mbjellja e pemëve”, ku interpretoi rolin e tij të fundit aktori Gulielm Radoja, u vlerësua me çmimin special të Dardanfest. Ky ishte filmi i parë i regjisorit Fabio Seferi që kishte bërë bashkë edhe dy emra të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, Luiza Xhuvanin dhe Kastriot Caushin.

‘Freestyle to Montenegro’ u vlerësua si filmi më i mirë dokumentar ndërsa çmimi për dokumentarin më të mirë me metrazh të shkurtër shkoi për filmin ‘Anna’ të Kristina Rushitit.

Mes dhjetëra prurjesh nga nga Italia, Amerika, Irani, Serbia, Shqipëria etj, juria zgjodhi tre çmimet e para që u dhanë në mbylljen e natës së katërt të festivalit që u zhvillua në sallën e re ‘Tonin Harapi’ të Liceut Artistik.

Pas muajve të gjatë e të vështirë të pandemisë, kineastë nga vende të ndryshme të botës, u bënë bashkë në Tiranë, për të rrefyer historitë e vendeve nga vijnë, përmes filmit dokumentar dhe atij artistik. Edhe në këtë edicion të dytë,
fokusi i Festivalit ishte urbanizimi dhe civilizimi, dy elementë të rëndësishëm mbi të cilët zhvillohet sot bota.
Festivali që po kthehet në traditën e tetorit në Tiranë, u realizua nga Dardan Studio, me sponsor gjeneral Raiffeisen Bank dhe Bashkinë e Tiranës.

Qëllimi i krijimit, por edhe vijimësisë së tij është të drejtojë vëmendjen jo vetëm bota e kinematografisë, arkitekturës, a zhvillimit të cilitdo zhanri artistik, por së pari të jetë një dritare mundësish që angazhon të rinjtë në krijime që i shërbejnë qytetērimit, kulturës e historisë.
Poducentja bashkëthemeluesja e Festivalit, Raelva Shabanaj dhe drejtori artistik, Gim Poçari, janë sërish të kënaqur për ecurinë dhe ndikimin e këtyre netëve në jetën artistike të kryeqytetit.

“Jam e kënaqur që pas muajve të vështirë e përpjekjeve të të gjithëve për të ruajtur nivelin dhe qëllimet e Dardanfest, ia dolëm sërish. Filmi ka qenë dhe ngelet edukues dhe nëse bëhet në mënyrën e duhur, rruga ku duam të mbërrijmë, si shoqëri, bëhet më e lehtë prandaj falenderoj edhe presidentin e Dardanstudio, Gent Prizrenit, që këmbënguli deri në fund për t’i kthyer këto ditë filmash të mirë në traditë.
Duke synuar audiencë të targetgrupeve të ndryshëm, përmes filmave, shpresojmë që mesazhet të mbërrijnë në të gjitha nivelet” – ka thënë Shabanaj.

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back