Aktualitet

Fermeri sfidon të rinjtë që largohen, mbjell 20 hektarë tokë i vetëm: Bëhuni të zotët e vendit tuaj!

Shkruar nga Liberale
Fermeri sfidon të rinjtë që largohen, mbjell 20 hektarë

Nazmi Drizi është një nga fermerët më punëtorë në Njësinë Kastriot. Mosha 75-vjeçare nuk e pengon që ai të punojë jo pak, por 20 hektarë tokë.

Nazmiu ka një mesazh në fund për të gjitha ata që kanë emigruar. “I riu ka mundësi të fitojë 10-fishin e asaj që fiton nëpër botë. Të mos bëjë yzmetqarllëkun atje ku është, po ta bëjë këtu te vatani vet. Mos hiqni dorë prej këtij vendi, është vend i begatë, është vend i shenjtë”.

Mbjellja e tokave është kthyer në problem, jo vetëm në Dibër, por në gjithë Shqipërinë. Vitet e fundit, një pjesë e mirë e tokave po lihen djerrë, për shkak se ka rënie të fuqisë punëtore dhe largimit të rinisë.

Shpesh rritja e çmimit të punimeve dhe të naftës, apo problemet e tregut kanë bërë që produktet bujqësore të mos shiten apo të shiten nën kosto. Por ka edhe nga ato që punën në bujqësi e shohin me leverdi.

“Kam mbjellë një sipërfaqe prej 12 hektarë grurë që presim ta shijmë këto ditë. Për këtë vit kam mbjellë 3.5 hektarë misër të bardhë, misër buke. Kam mbjellë edhe 4.5 hektarë bimë mjekësore. Mbarështoj dele dhe bletë”, tha Nazmiu.

Nazmiu ka një fermë prej 20 hektarësh të mbjellë, por ka vendosur të mbajë edhe bletë. Si fillim, para 3 vitesh, e ka nisur me 5 koshere ndërsa tani ka 58 koshere. Ai plotëson nevojat e veta, por edhe për fëmijët e tij që kanë emigruar të gjithë. Përveç bletëve ai mbarështron edhe dele, të cilat i kullot në fermë.

“Kam pasur shumë pasion që të kem dhe bletë. Bleva 5 koshere dhe kam arritur të bëj 58”, tha Nazmiu.

Ai tregon se ka mbjellë 12 hektarë grurë, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Ministrisë së Bujqësisë për mbjelljen e grurit. Ai tregon se ka marrë subvencion për naftën, por thotë se është e pamjaftueshme për të përballuar punimet.

75-vjeçari ka mbjellë 3.5 hektarë bimë me bimë medicinale, pasi janë shumë të kërkuara në treg. Çudia është se Nazmiu përveç bimëve si mëllaga, bishti i kalit, tërfili, etj., ka mbjellë edhe hithra, dhe ndoshta është i pari fermer që kultivon hithrën.

Ai thotë se ka leverdi të kultivosh bimët medicinale, por tashmë njerëzit e kanë braktisur tokën, rinia është larguar dhe duhen politika për t’i rikthyer.

“Na kanë ikë rinia. Kemi mbetur vetëm ne. Çfarë do të bëj unë për shembull? Ka bimë që mbrojnë shëndetin e njeriut dhe që kanë leverdi ekonomike të papame”, tha ai.

Ai u kërkon institucioneve të shtetit, mbështetje, pasi bujqësia është e vetmja mundësi për Dibrën.

Nazmiu thekson se subvencionet duhet të shkojnë tek ato që punojnë tokat, dhe të mos jepen pa u verifikuar në terren pasi përfitojnë më shumë ato që s’kanë toka të punuara.

“Fermeri të them unë që kërkon e para drejtësi, jo pandershmëri. Të matet faktikisht duke e parë në terren se sa tokë kam mbjellë unë jo duke futur letra”, tha ai.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH