Nga 7 programet e para Master në vitin 2009, në 35 programe Master dhe 75 profile të dekadës së dytë
Kur kaluan 5 vjet nga hapja e universitetit, me plotësimin e ciklit 3+2, UET shënoi një kulmim të ciklit të tij akademik, duke diplomuar 75 studentët e parë të Masterit Shkencor. Këta studentë plotësojnë studimet, duke bërë një realizim konkret të Kartës së Bolonjës, e cila realizon një nga reformat më të rëndësishme në shoqërinë shqiptare, futjen, integrimin e sistemit arsimor të arsimit të lartë në Shqipëri në kuadrin e sistemit europian që nis dhe reformohet që nga viti ’97 me atë që njihet si Karta e Bolonjës. Reforma arsimore europiane standardizon procesin arsimor dhe e çon atë përpara. Diplomat e para të Universitetit Europian të Tiranës që u dhanë në sallën e Akademisë së Arteve, janë një konsolidim i procesit akademik të Universitetit Europian të Tiranës.
Kursi i parë i programeve Master, program që në atë kohë ekuivalentohej, në përfundim, me “diplomë e Nivelit të dytë”, filloi në UEt në vitin akademik 2008-2009 dhe u licencua si “debate bashkëkohore”. “Debate bashkëkohore” ishte një kurs hyrës dhe integrues për të gjitha llojet e diplomave të ciklit të dytë, për të agreguar e sjellë në një model të përbashkët “studentin Master”, që vinte nga studime, universitete dhe kohë të ndryshme.
Karriera dhe suksesi profesional fillon nga një zgjedhje e kujdesshme e studimeve universitare, nga përpjekjet maksimale në kërkim të një formimi sa më cilësor. Që prej themelimit e deri më tani, një rrugëtim afro 15 vjeçar, Universiteti Europian i Tiranës ka qenë gjithnjë në rrokje të standardeve perëndimore, për të sjellë në të trija ciklet e studimit ofertën dhe shërbimin më të mirë akademik për studentët. Duke kombinuar vazhdimisht eksperiencën e madhe të pedagogëve, me novacionin e vazhdueshëm në kurrikula, për të ofruar për student pikërisht atë që vërtetë u duhet studentëve, një ndihmë për të ecur më tej në karrierën e tyre.
Kur bëhet fjalë për këtë të fundit, një diplomë e studimeve Master është e domosdoshme për të konkurruar në tregun e punës. Avantazhi krijohet jo vetëm falë mundësisë së thellimit të njohurive, por edhe falë hapësirave që ky cikël studimi krijon për një riorientim në karrierë apo për fitim të kompetencave të dyfishta. Këto programe, tashmë të ofruara në pesë Fakultete të UET, falë larmishmërisë së tyre mbulojnë thuajse gjitha disiplinat. Mijëra student i kanë besuar këtij institucioni karrierën e tyre, duke e konsideruar këtë si një investim tejet të vlefshëm për të ardhmen. Që prej licencës së parë në vitin 2009, janë diplomuar mbi 5000 studentë si në Masterin e Shkencave ashtu edhe atë Profesional.
UET është bërë pioner i shumë novacioneve, duke i bërë këto programe studimi dinamikë dhe duke i afruar sa më shumë me kërkesat e tregut të punës. Këto dy vitet e fundit, si pasojë e reformës gjithëpërfshirëse të UET, programet e studimit janë pasuruar edhe me profilet përkatëse. Ndërthurja mes profilizimit të ngushtë dhe bazave të gjera të disiplinës ose nëndisiplinës sipas specialitetit të Masterit, krijon mundësinë e një identifikimi më të kollajtë në tregun e punës. Kjo gamë e gjerë zgjedhjesh u lejon studentëve të orientohen në një drejtim që përafron më së shumti me idetë dhe interesave të tyre, dhe që njëkohësisht u mundëson t’i paraprijnë ndryshimeve në një kohë dinamike si kjo ku jetojmë sot. Studimet master në UET për mënyrën se si janë strukturuar, për pozicionimin në kohë dhe orare, për shpërndarjen e ngarkesës mësimore nga një semestër në tjetrin, për llojin e veprimtarive akademike dhe praktike, lejojnë që të inkuadrohen edhe brenda jetës profesionale.
Gjallëria, dinamika dhe hapësira e mundësive, janë ato që i kanë shtyrë mijëra studentë të zgjedhin UET.
Brezi i dhjetë i të diplomuarve në këtë cikël studimi ka hedhur këtë të enjte kapelat në ajër, në praninë e të ftuarve të nderit, pedagogëve dhe familjarëve të tyre, në shenjë të festimit për përmbylljen e një rrugëtimi në përplotësimin e dijeve.
Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Nevila Nika, duke përgëzuar të sapodiplomuarit, theksoi se e tashmja ofron për ta mundësi të shumta, dhe se suksesi varet nga dëshira dhe përkushtimi i tyre ndaj objektivave personalë.
“Ju jetoni vërtetë në një kohë që ne e kishim ëndërruar. Më parë jo vetëm që nuk shkonin të gjithë në shkollë, por nuk shkonin as atje ku donin. Ju keni zgjedhur degët dhe profesionet që do t’i ndiqni me dëshirë, nuk ju kanë imponuar e as nuk ka vendosur dikush tjetër për ju, kështu që vazhdoni ëndrrën tuaj! Bota e punës nuk është bota e shkollës. Është tërësisht diçka tjetër, por mos u ligështoni, edhe kur keni shefa “të këqij”, që do t’ju kërkojnë gjatë gjithë kohës llogari, do të keni edhe drejtues që edhe mund të mos ju pëlqejnë, por gjithsesi ju mos u ligështoni. Keni marrë më të mirën e mundshme, megjithëse e mira nuk ka fund. Festoni sot, e nesërmja do të jetë përsëri e bukur. Urimet më të mira për ju!”
Ndërkohë Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa u shpreh se tashmë, në përfundim të këtij cikli studimesh, përgjegjësia është e shtuar për secilin prej të diplomuarve, për një kontribut të vlefshëm për vendin dhe shoqërinë.
“Ne, brezi i deritanishëm, i këtyre viteve të transformimit të Shqipërisë kemi arritur të bëjmë diçka por çdo brez duhet të japë kontributin e tij për vendin dhe shoqërinë. Në këtë rrugëtim që kemi bërë edhe ne edhe prindërit tuaj deri më tani kemi pasur shumë arritje por njëkohësisht kemi bërë edhe gabime. Çdo brez pasardhës duhet të korrigjoj ato që ne kemi bërë gabim, sepse siç thotë një shprehje ‘e njëjta mendësi që i krijon problemet nuk mund t’i ndreqë dot ato’. Kështu që sfida juaj e së ardhmes do të jetë të merrni përsipër fatet e vendit, biznesit e industrisë, si dhe të realizoni ato çfarë ne nuk mundëm t’i bënim dot më mirë.”
Përgjatë kësaj ceremonie të ftuar të veçantë mbajtën edhe “commencement speech”, ose të quajtura ndryshe, “fjalimi i fillimit të jetës”. Këto fjalime, ashtu si në universitetet e mirënjohura ndërkombëtare, shërbejnë për të motivuar dhe frymëzuar studentët e sapodiplomuar në rrugëtimin e ri që i pret.
Ministria e Shtetit, Elisa Spiropali: Talenti gjithmonë ia del, puna gjithmonë shpërblehet
Në fakt unë emocionohem kur janë salla të tilla, ku shoh kapele dhe studentë me mantele. Më kujtohet koha kur isha 16 vjeç, në vitin 1999, në një Shqipëri që kishte pak mundësi asokohe. Rastësia, por dhe fati, pse jo dhe rezultatet, e deshën që të marr një bursë për të shkuar në një vend shumë të largët, në Kanadanë perëndimore, në ishullin Vankuver. Ishte më pranë Azisë sesa Europës. Duhet të udhëtoja e vetme, prindërit e mi nuk kishin asnjë eksperiencë të mëparshme në dërgimin e fëmijëve jashtë siç quhej atëherë, dhe ishin të shokuar. Për mua ishte një emocion i jashtëzakonshëm dhe mendjen nuk e kisha te frika dhe pasiguria që po lija pas, por te e ardhmja.
Aty gjeta një botë krejt tjetër, që u hap papritur, ndoshta dhe e ngjashme me botën që shumë prej jush gjejnë kur vijnë në Tiranë apo kur marrin pjesë në leksione e takojnë shokët e tyre. Një botë krejt tjetër, të pavarur nga prindërit. Me shpresë për të ardhmen, dhe ishte pikërisht ky dyzim që mua më farkëtoi karakterin dhe më bëri të pavarur, dhe më bëri të aftë për të përballuar në të ardhmen. Pastaj studimi në universitet, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më vonë në Britaninë e Madhe, të gjitha këto eksperienca kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme te unë. Formimin akademik nuk mund ta marrësh vetëm duke lexuar, patjetër mund të rrish në shtëpi dhe të lexosh, mund të marrësh ndoshta më shumë informacion sesa merr në një universitet, por është e pamundur të marrësh atë eksperiencën unike që merr në një universitet i cili të stimulon imagjinatën, të frymëzon dhe të jep ‘vegla’ për të përballuar të ardhmen. Dhe besoj këtë merrni ju në Universitetin Europian të Tiranës, dhe në shpresojmë që në të ardhmen të keni më shumë mundësi, më shumë shanse dhe të mund të jepni më shumë kontribut në shoqëri.
E di që nuk është e thjeshtë shpesh, kur duket sikur nuk ke lidhjet e duhura, sikur nuk njeh njerëzit e duhur, sikur nuk jeni në partinë e duhur e me radhë, duket sikur dyert të mbyllen, por nuk është kështu. Talenti gjithmonë ia del. Puna gjithmonë shpërblehet. Madje edhe në diktaturë, edhe me të gjitha të zezat e vështirësitë e terroret, puna njihet dhe puna shpërblehet, jo më në një kohë të tillë kur liria është kaq prezente. edhe pse jam e majtë, po jam një e majtë liberale siç do më quanin disa, dhe besoj shumë te forca e individit dhe e gjithsecilit prej nesh për të dalë nga çdo lloj situate dhe për tu përballur me çdo lloj sistemi, me çdo lloj padrejtësie. Është ky besim që na bën ta bëjmë shoqërinë më të mirë, prandaj shoqëria varet prej nesh dhe ne nuk varemi prej shoqërisë. Kushtet shpesh na imponohen, po ne kemi fuqinë t’ju imponohemi kushteve tona padyshim. Ju uroj shumë suksese ju dhe familjeve tuaja dhe jam e sigurt që do i jepni këtij vendi më shumë energji, më shumë shpresë, më shumë punë dhe patjetër më shumë mendim të ri për të cilin ka shumë nevojë.
Presidenti i “Sigal”, Avni Ponari: Tregu i punës sot ka nevojë për njerëz kurajozë e të përgjegjshëm
Tregohuni të guximshëm, tregohuni kurajozë dhe drejtojuni me njohuritë tuaja ndërmarrjeve private për të qenë pjesë e stafeve të tyre. Dhe e dyta këshillë që unë doja tiu jepja është që: mos kërkoni poste drejtuese pa kaluar të gjitha shkallët e punës, sepse do gaboni për jetën tuaj dhe do jeni ju ata që do dëmtoni vetveten. Ngjitini shkallët ngadalë, ngjitini shkallët me kujdes, dhe kuptoni që puna fillon nga poshtë dhe nuk fillon nga lart, nuk fillon nga postet drejtuese. Dhe e fundit, tregu i punës ka shumë nevojë sot, ka shumë nevojë për ekspertë, ka shumë nevojë për njerëz që dinë të punojnë, për njerëz që marrin përsipër detyra, jo për njerëz të cilët kërkojnë që në një ditë të pasurohen apo në një ditë të arrijnë atë që duhet të arrihet për shumë vite. Megjithatë secili nga ju ka vizionin e tij, ka idetë e tij, ka bagazhet e tij, ka dëshirat e tij, të cilat mundësitë janë për ti realizuar dhe unë dua vetëm t’ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj të ri
CEO i “Teuta” Eleni Bamameto: Ktheni punën në pasion, për të patur sukses
Të përfundosh studimet Master në një universitet prestigjioz si UET është një arritje shumë e rëndësishme që ju jep siguri në hedhjen e hapave të tjerë në jetë dhe për këtë duhet të jeni shumë krenarë. Ju sot jeni të rinj dhe keni shumë ëndrra, dëshira dhe pasione, të cilat mezi prisni që t’i realizoni në jetë e të bëheni sa më të suksesshëm si për vete ashtu edhe për familjen e shoqërinë. Por nga ana tjetër askush nuk duhet të mendojë që suksesi është i lehtë dhe arrihet sapo fillon një punë. Mundohuni të punësoheni në një punë që ju përshtatet, që ju pëlqen dhe që më vonë ajo të kthehet në pasionin tuaj. Nëse arrini këtë, puna do t’ju duket e bukur, argëtuese, jo e lodhshme dhe do t’ju bëjë të suksesshëm. Ju do t’i ngjisni me lehtësi shkallët e karrierës, do të bëheni drejtues departamentesh, administratorë, apo edhe biznesmenë. Ju duhet të punoni në skuadër, pra duhet të dini të zgjidhni njerëzit e duhur për të bashkëpunuar. Pra do të zgjidhni njerëz me dëshirën për punë e të zgjuar. Kur ke lojtarë të mirë rreth vetes bëhesh edhe ti më i mirë e më i aftë. Një këshillë tjetër që mund t’ju jepja është të guxoni. Suksesi i përket atij që guxon. Por kjo nuk e përjashton kujdesin dhe vlerësimin e kushteve për të realizuar synimin tuaj. Megjithatë unë do të ngulja këmbë përsëri që të guxoni duke studiuar mirë situata, duke u konsultuar me skuadrën tuaj apo specialistë të fushës. Një tjetër sugjerim për ju është përdorimi i informacionit që sot është mundësia ta keni në përdorim me bollëk dhe pa shumë shpenzime. Ju duhet të ndiqni se si bota dhe kompanitë po ndryshojnë në epokën e informacionit.
Numri i studentëve të diplomuar në ciklin e studimeve Master, ndër vite
Universiteti Europian i Tiranës shënon 5168 të diplomuar në ciklin e studimeve Master, në të pestë fakultetet e tij, që prej vitit 2009 kur këto programe u hapën fillimisht.
Gjatë 10 viteve të programeve Master, debatet, ndryshimet në programe, lidhja me tregun e punës, krijimi i bordeve të tregut të punës, krijimi i traditës së Panairit të Punës në UET, i ka kontribuar sfidës që patën këto programe për tu legjitimuar në hapësirën publike universitare shqiptare dhe në përgjithësi në raport me aktorët e tjerë. Studimet Master kanë fituar tashmë në UET dhe jo vetëm, një legjitimim në përputhje me vendosjen e këtij cikli në skemën e studimeve të larta sipas Kartës së Bolonjës, si dhe në funksion të objektivit të tyre kryesor: lidhjen me tregun e punës. ato mbeten mjeti kryesor i studentit për të aksesuar tregun e punës/Gazeta Liberale
2009-2010 | 35 |
2010-2011 | 619 |
2011-2012 | 348 |
2012-2013 | 451 |
2013-2014 | 358 |
2014-2015 | 743 |
2015-2016 | 684 |
2016-2017 | 974 |
2017-2018 | 381 |
2018-2019 | 575 |
Totali | 5168 |