Aktualitet

Fëmijë që luajnë në beton, rrugë pa asfalt në mes të Tiranës, Roland Bejko i nxjerr bojën ‘fasadës’ së Veliajt!

Shkruar nga Liberale

Me banorët e njësisë 2 të Tiranës, te rruga Todi Shkurti, Roland Bejko u ndal fillimisht dhe denoncoi Tiranën e kontrasteve, siç e quajti ai, duke fajësuar për gjendjen kryetarin aktual të bashkisë, Erion Veliaj. “Asfalti vjen deri këtu. Jemi vetëm pak metra larg sheshit të ri ku Erion Veliaj zhvilloi dy ditë më parë mitingun e tij, duke mbledhur gjithë administratën e bashkisë dhe të ndërmarrjeve. Këtu fillon Tirana e problemeve, Tirana e pa-urbanizuar, pa rrugë, pa asfalt, pa kanale, kaos komplet”.

Bejko ironizoi edhe koicidencën në lagjet e njësisë numër dy të Tiranës, teksa tha se aty ku ka asfalt janë socialistë dhe pjesa tjetër e mbetur pa asfalt rezulton se janë demokratë.

Këto janë hapësirat që ka krijuar Erion Veliaj, për kalamajtë e pallateve, shtoi Bejko në një denoncim tjetër tek e njëjta njësi, për të cilët tha luajnë në rrugën e parkimit. - “Vend tjetër ku të luajnë kalamajtë në të gjithë këtë lagje nuk kanë. Mungojnë hapësirat sportive. Ne do të angazhohemi të krijojmë hapësirat sportive në qendër të lagjeve. Qendrat multifunksionale në lagje janë të domosdoshme. Fëmijët duhet të dalin nga betoni dhe nuk duhet të rrinë gjithë ditën në rrjetet sociale. Do t’iu krijojmë hapësirat që të ndërtojnë fëmijërinë me  ëndrrat e tyre dhe aktivitete sportive. Vetëm kështu do të bëhen më të mirë, për të gjithë shoqërinë, për Tiranën, për Shqipërinë”,  u shpreh Roland Bejko.

Më tej, në lagjet dhe rrugicat e njësisë 2 të Tiranës Bejko denoncoi atë që e quajti fasadë të kryebashkiakut Veliaj. “Kjo është t’i futesh Tiranës në kapilar dhe ta shikosh përtej fasadave që ndërton kryetari aktual i bashkisë, Erion Veliaj. Shikoni pak rrugët. Asfalti vjen deri këtu dhe pastaj, në rrugët e brendshme të Tiranës, këtu jemi në zemër të Tiranës, mungon asfalti, mungojnë kanalizimet, mungojnë trotuaret, janë rrugë të ngushta, ku do të kalojnë këmbësorët dhe ku do kalojnë makinat, këtë nuk e di njeri”.

“Tirana është e kontrasteve të thella, siç është edhe shoqëria, kur vetëm një pakicë shumë e vogël oligarkësh është shumë e pasur dhe pjesa tjetër është sa për të jetuar, në kushtet e mbijetesës. Kjo është gjendja, shikojeni vetë”, tha Bejko duke denoncuar rrugët e pashtruara në mes të kryeqytetit.

Kandidati demokrat shtoi se Tirana nga keqmenaxhimi është sot një nga qytetet me normën më të lartë të ndotjes në Europë, sa dyfishi i normës së vendeve të tjera të Europës.

- “Sipas një studimi italian që ka dalë në media”, shtoi Bejko, - “për shkak të ndotjes edhe vdekshmëria nga kanceri është rritur me 60 për qind. Një shifër e frikshme. Prandaj i ftoj qytetarët e Tiranës të mos besojnë fasadat, ngjyrat e bukura, klipet që bën Erion Veliaj, por ta shohin Tiranën realisht ashtu siç është. Duhet të reagojmë që ta ndryshojmë”, theksoi Roland Bejko, teksa denoncoi rrugë të shumta të pa-asfaltuara, makina që nuk kishin vend ku të parkonin dhe mungesën e gjelbërimit.

“Makinat parkojnë ku të munden, hapësira të gjelbërta nuk ka. Pallate të vjetra nga njëra anë, pallate të reja nga ana tjetër, por parkime nëntokësore nuk ka.  Premtimi ynë për parkime nëntokësore në çdo lagje qyteti do të bëhet realitet, sapo ne të drejtojmë bashkinë”, theksoi Roland Bejko.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH